Serbia sërish shkeli Marrëveshjen e Ohrit me kundërshtinë e saj të ashpër ndaj vendimit të Kenias për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë situatë, Qeveria e Kosovës kërkoi nga ndërmjetësit ‘t’i binte bilbilit’. Në një përgjigje për Gazetën Express, Bashkimi Europian si reagim për këtë veprim të Serbisë thotë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë progres në normalizimin e marrëdhënieve të tyre për t’u bërë anëtare të Unionit. Por, pa ndonjë dënim më eksplicit.
Alma Baxhaku
Një zëdhënës i Bashkimit Europian tha për Gazetën Express se qëndrimi i BE-së është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe përkujtoi kushtet që Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin në synimet e tyre të deklaruara për anëtarësim në BE.
“Jemi në dijeni për njohjen nga Kenia të pavarësisë së Kosovës. BE-ja është neutrale ndaj statusit. Kosova ka një perspektivë të qartë europiane dhe ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të 2022-ës. Komisioni mbetet në dispozicion për të përgatitur një Opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo ta kërkojë Këshilli. Progresi në rrugën e pranimit të Serbisë dhe Kosovës në BE kërkon përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha BE në përgjigje.
Kaq e butë s’ishte BE-ja kur dënoi shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit nga Serbia kur së fundi pengoi Kosovën në Këshillin e Europës. Në këtë organizatë Kuvendi i Kosovës kishte kërkuar marrjen e statusit të mysafirit special, por kishte ndërhyrë Serbia dhe pika ishte hequr nga rendi i ditës.
Një zëdhënës i Bashkimit Europian pati thënë më 7 mars të këtij viti për mediat në Bruksel se “Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023”.
Kenia u bë vendi i 118-të që njohu Kosovën shtet me vendimin që mori të mërkurën e 26 marsit.
Serbia reagoi menjëherë pa drojën më të vogël për shkeljen ndaj Marrëveshjes së Ohrit, e cila e thotë qartë se Kosova dhe Serbia s’duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare.
Duke e përshkruar vendimin si “për keqardhje”, Beogradi paralajmëroi se vendimi mund të dëmtojë “marrëdhëniet e tij tradicionalisht të forta me Nairobin, të cilat janë ndërtuar gjatë dekadave”.
“Ky veprim vendos një precedent për keqardhje në marrëdhëniet tradicionalisht miqësore midis Serbisë dhe Kenias – marrëdhënie që janë ndërtuar gjatë dekadave mbi parimet e respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në një pjesë të deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme serbe.
Ky reagim i MPJ-së serbe mori përgjigje nga MPJ kosovare.
“Edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja”.
Ministria e Jashtme e Kosovës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare “që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit obligime që, siç kanë deklaruar Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni, përbëjnë një njohje de facto të Kosovës”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që shpesh kritikat për mungesë progresi në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit nga ana e Kosovës i ka arsyetuar me atë që Serbia s’po hedh asnjë hap, kishte kërkuar që sa herë që Serbia e shkel këtë marrëveshje, Brukseli të luajë rolin e gjyqtarit dhe të identifikojë shkelësin.
“Dua që Brukseli ta luajë rolin e një gjyqtari, që do t’i bie bilbilit sa herë që ka shkelje të marrëveshjes”, kishte thënë ai.