Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu raportohet se së bashku me nipin e tij kanë goditur me grushte një punonjës të njësisë administrative Ostren në Bulqizë.
Punonjësi i njësisë, Kalosh Murra, mban detyrën e përgjegjesit të ndihmës ekonomike. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë (24 prill) jashtë ambienteve të njësisë pas një takimi elektoral.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren”, informoi sot policia.