string(105) "burim-meta-i-reagon-isa-mccustafes-turp-vjosa-osmani-ka-mbeshtetjen-e-81-te-qytetareve-per-mandat-te-dyte"

Burim Meta i reagon Isa Mustafës: Turp, Vjosa Osmani ka mbështetjen e 81% të qytetarëve për mandat të dytë

Lajme

Gazeta Express

29/04/2025 19:38

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka kritikuar mbrëmë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke vlerësuar se ajo duhet të angazhohet më shumë në zgjidhjen e bllokadës politike në Kuvend, konkretisht në çështjen e zgjedhjes së kryeparlamentarit.

“Situata, veçmas te zgjedhja e kryeparlamentarit, sa i përket zgjidhjes që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 mund të zvarritet në pafundësi. Nga kjo situatë dilet me zgjidhje politike e jo me norma juridike. S’mund të flas se cili është autoriteti i presidentes tek subjektet politike tani, duke e pasur parasysh se ajo ka qenë tepër e lidhur me VV-në deri në fund të vitit të kaluar. Por do duhej të heqë dorë nga shetitjet dhe të merret me punët e shtëpisë”, deklaroi Mustafa, duke aluduar në angazhimet e Presidentes Osmani.

Lexo Edhe:

Deklarata e tij ka nxitur reagime, ku një ish-deputet i partisë Guxo, Burim Meta i cili përmes një shkrimi në Facebook, ka mbrojtur Presidenten dhe ka kritikuar Mustafën për qëndrimin e tij.

“Isa Mustafa, një ish-kryeministër që turpëron veten sa herë hap gojën. Njeriu që me mashtrim mbajti pushtetin duke shkelur interesin e shtetit, sot ka guximin të quajë ‘shetitje’ diskutimin për Kosovën që Presidentja pati me Presidentin Trump dhe mbi 30 liderë shtetërorë të tjerë”, ka shkruar ish-deputeti, duke i cilësuar udhëtimet e Osmanit si përfaqësim dinjitoz ndërkombëtar.

Ai përmendi gjithashtu mbështetjen e lartë që, sipas një sondazhi të Institutit Republikan Amerikan (IRI), Presidentja Osmani gëzon në mesin e qytetarëve për një mandat të dytë, si dhe respektin që i është shprehur nga përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.

Reagimi përfundon me akuza për dëme që, sipas tij, Isa Mustafa i ka shkaktuar institucioneve të Kosovës.

“Le të merret me nipat e mbesat, sepse çdo deklaratë e tij vetëm e kujton opinionin publik për dëmin që i ka bërë Kosovës”.