Çeku ndau 257 mijë euro për organizatën që dikur e drejtonte, 255 mijë tjera për OJQ’në e motrës së deputetit të VV’së - Gazeta Express
string(115) "ceku-ndan-257-mije-euro-per-organizaten-qe-dikur-e-drejtonte-255-mije-tjera-per-ojqne-e-motres-se-deputetit-te-vvse"

Çeku ndau 257 mijë euro për organizatën që dikur e drejtonte, 255 mijë tjera për OJQ’në e motrës së deputetit të VV’së

Lajme

Gazeta Express

27/06/2024 17:24

Ministria e Kulturës, që udhëhiqet nga Hajrullah Çeku, ka publikuar para dy ditësh listën preliminare të përfituesve në thirrjen publike për “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2024”. Kjo listë u kthye dje në raportimin kryesor të mediave meqë në krye të saj si përfituese renditen dy organizata joqeveritare, Autostrada Biennale dhe “EC Ma Ndryshe”. Në këtë të fundit, Ministri Çeku ka qenë më parë Drejtor. Edhe vëllai i tij ka qenë i angazhuar aty. Ndërkohë, në organizatën tjetër bashkëpronare është motra e deputetit të VV’së, Artan Abrashi.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrullah Çeku, ka vendosur ta përkrahë financiarisht organizatën ku më parë ka qenë vetë Drejtor Ekzekutiv dhe ku ka qenë i angazhuar edhe vëllai i tij. Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” renditet e treta në listën preliminare të publikuar para dy ditësh nga MKRS’ja për thirrjen publike “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2024.

Për këtë vit, Ministria do të ndajë për këtë organizatë 82 mijë euro, vitin e ardhshëm 85 mijë, derisa për vitin 2025 do t’i ndajë 90 mijë euro. Në total, organizatën ku punonte dikur, Çeku do ta mbështes me 257 mijë euro.

Se Çeku ka qenë i angazhuar në këtë organizatë figuron edhe në biografinë e tij.

“Përgjatë viteve ka qenë i angazhuar në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Klubi për Politikë të Jashtme dhe EC Ma Ndryshe”, thuhet në biografinë e publikuar në blogun e tij.

Ndërkohë, në sajtin e kësaj organizate figuron se Çeku ka qenë drejtor deri në fillim të vitit 2017, kur e kishte marrë pozitën kryetari i ri.

“Sipas vendimit për emërimin e drejtorit të ri ekzekutiv, Edon Mullafetahu pozitën e drejtorit do ta marrë nga 1 janari i vitit 2017, ndërsa muajt e mbetur do të jenë periudhë transitore për bartjen e përgjegjësive. Drejtori ekzekutiv aktual, Hajrulla Çeku, pas këtij ndryshimi do të vazhdojë të jetë pjesë e stafit të organizatës.

Në këtë OJQ ka qenë i angazhuar edhe vëllai i Çekut, Fati. Kjo i figuron edhe në profilin e tij në Facebook.

Gazeta Express ka kontaktuar Çekun për ta pyetur se si u vendos të përkrahej financiarisht organizata ku ai kishte punuar, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

Vëmendje ka marrë edhe organizata tjetër që ndodhet e para në listë, Autostrada Biennale. Kjo pasi bashkëdrejtohet Vatra Abrashi, që sipas raportimeve të mediave, është motra e deputetit të Vetëvendosjes, Artan Abrashit.

Titulli i projekt propozimit të kësaj organizate ka qenë “Programi vjetor i institucionit të artit bashkëkohor “Autostrada Biennale” në hapësirat për edukim, prodhim artistik dhe ekspozitë”.

Për sivjet, kjo organizatë do të mbështetet me 80 mijë euro, vitin e ardhshëm me 85 mijë, derisa për vitin 2026 me 90 mijë euro.

Në gusht të vitit të kaluar, Ministri Çeku bashkë me Kryeministrin Albin Kurti e kishin vizituar ekspozitën e edicionit të katërt nga Autostrada Biennale.

“Ishte kënaqësi ta mirëpresim në vizitë Kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku, Ministren Artane Rizvanolli dhe pjesëtarët e tjerë nga kabineti. Ekspozita e edicionit të katërt të Autostrada Biennale titulluar “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” kuruar nga Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu është e hapur deri më 9 shtator, në Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë”, kishte njoftuar Vatra Abrashi.