Të dielën besimtarët myslimanë në Pejë u drejtuan për te xhamia “Haxhi Ibrahim Devolli” për të falur namazin e Fitër Bajramit.
Falja e namazit të sabahut në xhaminë “Haxhi Ibrahim Devolli” nisi në orën 5:41 për të vijuar me ligjërata nga hoxhallarët.
Muhamed Stublla, i cili e bëri edhe hydben e Fitër Bajramit, imami në xhaminë “Haxhi Devolli”, Kujtim Jashanica dhe Enes Goga, i cili është edhe kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës në Pejë dhanë mesazhet e tyre.
Falja e namazit të Fitër Bajramit u bë në orën 6:59 minuta për të vazhduar pastaj me lutjet dhe urimet.
Muhamed Stublla, profesor në Medresen “Alauddin” në ligjëratën përmbyllëse dha mesazhe për besimtarët.
“Vëllezër dhe motra, njeriu ndihet i gëzuar dhe i lumtur atëherë kur arrin ta jetësojë një qëllim punë detyrë. Agjëruesit sot me shumë të drejtë ndihen të gëzuar e festojnë. Madhështia e kësaj dite përmes shfaqjes së gëzimit konsiderohet adhurimi më i veçantë në të. Të dashur besimtarë, shenjtëria dhe shpërblimi i agjërimit është i jashtëzakonshëm. Agjërimi si një trajnim i gjatë një mujor ndikon në rritjen e sinqeritetit në raport me Allahun”, tha hoxha Stublla.
Ndërkaq, imami në xhaminë “Haxhi Devolli” në Pejë, Kujtim Jashanica foli për disa prej të mirave që kanë besimtarët myslimanë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ai u tha të pranishmëve derisa ishin aty për të falur namazin e Fitër Bajramit se mësimet e muajit të Ramazanit do t’u shërbejnë vazhdimisht.
“U munduam të përfitojmë nga ky muaj me agjërim, namaz, lexim Kurani, sadaka dhe vepra të tjerat nga më të mirat me të vetmin qëllim që të arrijmë kënaqësinë e Zotit”.
Në transmetimin special të sjellur nga Klan Kosova direkt nga xhamia “Haxhi Ibrahim Devolli” në Pejë, shikuesit patën mundësi të ndiqnin faljen e namazit të sabahut, ligjëratat si dhe programin artistik nga ilahisti Egzon Ibrahimi dhe grupi i tij. Ky i fundit dha premier këngën e tij kushtuar ditës së Bajramit.
Ndiqeni videon ekskluzive për të parë të gjithë ceremoninë e jashtëzakonshme të faljes së Fitër Bajramit në Xhaminë “Haxhi Ibrahim Devolli”. / Klankosova.tv