Chelsea ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me Enzo Maresca pas një përplasjeje të fortë me drejtuesit e klubit, duke i dhënë fund një periudhe të trazuar spekulimesh në Stamford Bridge. Italiani u largua të enjten, pasi marrëdhëniet me hierarkinë e klubit u përkeqësuan ndjeshëm dhe ai besonte se nuk mund të vazhdonte më në detyrë.
Sipas raportimeve nga mediat angleze, drejtuesit e Chelsea nuk planifikojnë një proces të gjatë për zgjedhjen e trajnerit të ri, por synojnë të veprojnë shpejt për të stabilizuar situatën. Në krye të listës së kandidatëve ndodhet trajneri i Strasbourg, Liam Rosenior.
Siç raporton The Telegraph, Rosenior – i cili drejton skuadrën franceze në pronësi të BlueCo, të njëjtës kompani që zotëron Chelsean – shihet si zgjedhja ideale. 40-vjeçari ra në sy fillimisht me Hull City dhe u transferua te Strasbourg në verën e vitit 2024, ku ka impresionuar në sezonin e tij të parë. Ai madje refuzoi interesimin nga Premier League për të rinovuar kontratën me klubin francez.
Rosenior është tashmë i njohur me modelin e menaxhimit të BlueCo dhe gëzon mbështetje të konsiderueshme brenda strukturave drejtuese, çka mund ta bëjë kalimin e tij në Stamford Bridge të shpejtë. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse një marrëveshje mund të mbyllet përpara ndeshjes së së dielës kundër Manchester City.
Ndërkohë, largimi i Marescës ka edhe një prapaskenë interesante. Sipas The Athletic, italiani kishte zhvilluar tre raunde bisedimesh me Manchester City gjatë këtij sezoni, në kuadër të mundësisë për të pasuar Pep Guardiolën në rast të largimit të këtij të fundit në fund të sezonit. Një klauzolë në kontratën e Marescës e detyronte atë të informonte Chelsean për çdo kontakt me klube të tjera, gjë që ai e kishte bërë që nga fundi i tetorit.
Koha e shkarkimit të tij, vetëm tre ditë para përballjes me Cityn, mund të jetë rastësi, por shton pa dyshim një dozë intrigë në një ndeshje që tashmë pritej me interes të madh nga tifozët dhe opinioni sportiv. /GazetaExpress