string(34) "cikel-me-poezi-nga-jacques-prevert"

Cikël me poezi nga Jacques Prévert

Arte

Gazeta Express

09/08/2022 14:46

Jacques Prévert (4 shkurt 1900 – 11 prill 1977) ishte një poet francez dhe skenarist. Poezitë e tij u bënë dhe mbetën të njohura në botën frankofone, veçanërisht në shkolla. Filmat e tij më të shquar janë pjesë e lëvizjes poetike realiste, dhe përfshijnë Les Enfants du Paradis.

STINA E BUKUR

Lexo Edhe:

E pangrënë e humbur e ngrirë

Krejt e vetmuar pa një lek

Rri në këmbë një vajzë

Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçe

Në Sheshin Konkord

Më pesëmbëdhjetë gusht pasdreke.

ALIKANTE

Një portokall mbi tavolinë

Fustani yt mbi tapet

Dhe ti në shtratin tim

Dhuratë e ëmbël e së tashmes

Ngrohtësi e jetës sime

Freski e natës.

PËR TY E DASHURA IME

Shkova në tregun e zogjve

Dhe bleva zogj

Për ty

E dashura ime

Shkova në tregun e luleve

Dhe bleva lule

Për ty

E dashura ime

Shkova në tregun e hekurishteve

Dhe bleva pranga

Për ty

E dashura ime

Shkova në tregun e skllevërve

Të kërkova atje

Por nuk të gjeta në të

E dashura ime

ATI YNË

Ati ynë që je në qiej

Rri pra aty

Dhe ne do të rrimë mbi tokë

Që kaq e bukur është nganjëherë

Me misteret e saj të Nju Jorkut

Të ndjekura nga misteret e Parisit

Që vlejnë sa ajo e Shën Trinisë

Me kanalin e vogël të Urkut

Dhe murin e saj të madh Kinez

Dhe lumin e saj Morleks

Dhe karamelet e saja Kambre

Me oqeanin e saj Paqësor

Dhe me vaskat e saja të Tuilerive

Me fëmijët e saj të mirë dhe me subjektet e këqija

Me të gjitha mrekullitë e mrekullueshme të botës

Që qëndrojnë

Shumë thjeshtë mbi tokë

Oferta të të gjithëve

Të shpërndara

Të mrekulluara dhe ato duke qenë disa mrekulli të tilla

Aq sa nuk guxojnë t´i rrëfehen vetvetes

Ashtu si një vajzë lakuriqe që s´guxon të tregojë veten

Dhe me gjithë vuajtjet e botës

Që janë legjione

Me legjionarët e tyre

Me torturuesit e tyre

Me zotërinjtë dhe padronët e botës

Secili padron me predikuesit e tij  tradhtarët e tij

Me rrëmbyesit e tij

Me stinët

Me vitet

Me vajzat e bukura dhe të marrët e mjerë

Me kashtën e varfërisë që kalbet në çelikun

E topave

RRUGA  E SENËS

Rruga e Senës: ora dhjetë e gjysmë

e mbrëmjes

atje, në qoshe, është një njeri

që epohet…, është një i ri

ka një kapele

një pardesy

një grua e tund…

e shkund

i flet

ai tund kokën

me atë kapele krejt të shtrembër

ndërsa kapelja e saj është gati duke i rënë prapa kokës…

sigurisht janë shumë të zbehtë që të dy

dhe burri ka një dëshirë të madhe të ikë…

të zhduket në hiçin… të vdesë…

por gruaja ka një dëshirë të furishme për të jetuar

dhe zëri i saj

zëri që pëshpërit

nuk mundet së paku as ta dëgjojë

është një ankim…

një urdhër…

një britmë…

aq e etur sa ç´është dhe ai zë…

është e trishtueshme, jeton…

një i porsalindur i sëmurë që kërcet dhëmbët mbi një varr

në një varrezë dimri…

një njeri me gishtat e shtypur në portierën dhe bërtet…

një këngë

një frazë

përherë po ajo

një frazë

e përsëritur…

pa pushim

pa përgjigje ai e sheh dhe sytë e saj

rrotullohen, rrotullohen, bën ca gjeste

me krahët, përpëlitet

si një e mbytur

dhe ajo frazë kthehet

në rrugën e Senës në qoshe

gruaja vazhdon

pa u lodhur…

vazhdon të pyes e shqetësuar

një plagë që nuk shërohet

Pierr thuamë të vërtetën

Pierr thuamë të vërtetën

Dua të di…të di gjithçka

thuamë të vërtetën

i bie kapelja…Pierr

dua të di gjithçka

thuamë të vërtetën

pyetje e marrë dhe e madhe

Pierr s´di sesi ti përgjigjet

ka humbur burri me emrin Pierr

në buzë ka një buzëqeshje që do të donte ta ruante

dhe ta përsëriste…

Pra qetësohu… je e marrë

Por nuk di sa e vërtetë është

Nuk e sheh, s´e merr me mend

që buzëqeshja i shtrembëron buzën

e mbyt

bota e tërë i rri përsipër

e mbyt

është i burgosur

i zënë në kurth nga premtimet e tij…

dhe i kërkohen llogaritë…

atje përpara…

një llogaritëse

ose një makinë për të shkruar letra dashurie

një makinë për të vuajtur

e kap

varet tek ai

Pierr

thuamë të vërtetën.

GOMARI I KLASËS   

Thotë jo me kokë

por thotë po me zemër

thotë po për atë që do

i thotë jo profesorit

është në këmbë

e pyesin

dhe të gjitha problemet janë vendosur

befas i kap e qeshura

dhe fshin gjithçka

numrat dhe fjalët

datat dhe emrat

frazat dhe grackat

dhe me gjithë kërcënimet e mësuesit

midis britmave të djemve mrekulli

me shkumësa të të gjitha ngjyrave

mbi tabelën e zezë të fatkeqësisë

vizaton portretin e lumturisë

KTHIMI NË ATDHE

Është një Breton që kthehet në vendlindje

Pasi s´la gjë pa bërë

Shkon poshtë e lart fabrikave në Duarnez

Dhe nuk njeh asnjë

Asnjë s´e njeh atë

Është shumë i trishtuar

Hyn në një kręperi dhe porosit krępes

Por s´i ha

Diçka e pengon

Paguan

Ikën

Ndez një cigare

Por nuk arrin ta pijë

Ka diçka

Diçka në kokën e tij

Diçka që nuk shkon

Është i trishtuar, përherë më i trishtuar

Dhe papritur i shkon në mendje

Që kur ishte fëmijë dikush i kish thënë

«T´i do të përfundosh në trekëmbësh »

Dhe shumë vite

Nuk guxoi të bënte asgjë

As edhe të kapërcente rrugën

Të kalonte detin e të largohej

Asgjë, absolutisht asgjë

Iu kujtua… xhaxhai Grésilard

Ai që kishte parashikuar gjithçka ishte Xha Grésilardi

Xhaxha Gresilardi tersi i gjithë njerëzve

Ai derri i ndyrë !

Bretoni mendon për motrën e tij

Që punon në Vozhirard

Për vëllanë e tij vdekur në luftë

Për gjithçka që ka parë

Që ka bërë

Trishtimi s´i ndahet, e shtyp

Provon edhe njëherë të ndez një cigare

Por s´i pihet

Vendos atëherë për xhaxha Grésilardin:

Shkon tek ai

Hap derën

Xhaxhai s´e njeh

Por e njeh ai

E përshëndet:

« Mirëdita xha Grésilard »

Pastaj i përdredh qafën.

Dhe përfundon në trekëmbësh në Kuimper

Pasi hëngri dy duzinë me krępes,

Pasi piu një cigare.

DËSHTIMI I KONCERTIT 

Shokë të kohëve të ashpra

Ju uroj natën e mirë

Dhe shumë përshëndetje.

Arkëtimet janë të pakta

I gjithë faji është imi

Të gjitha fajet janë të miat

Do kisha dashur t´ju jepja të drejtë

Të dukem si një këlysh

Është një muzikë që më pëlqen

Por desha të ndjek fatin tim

Dhe pastaj u mërzita.

Nëse bëhet si qen me qime të ashpër

Duhet luajtur lehtë me harkun

Njerëzit nuk vijnë në koncert

Që të dëgjojnë britma për vdekjen

Dhe kënga e stelës së qenit

Na ka shkaktuar dëme të mëdha

Shokë të kohëve të vështira

Ju uroj natën e mirë

Flini

Ëndërroni

U shkaktuan dëme të mëdha

Shokë të kohëve të vështira

Ju uroj natën e mirë

Flini

Ëndërroni

Unë po marr beretën time

Dy ose tri cigare në paketë

Dhe po iki me shpejtësi…

Shokë të kohëve të ashpra

Mendoni për mua herë pas here

Më vonë…

Kur ju të jeni zgjuar

Mendoni atë që luan fokën dhe salmonin e tymosur

Nga ndonjë anë…

Në mbrëmje

Në breg të detit

Dhe lyp pastaj lëmoshë

Që të blejë për të ngrënë

Shokë të kohëve të vështira

Ju uroj natën e mirë…

Gjumë të ëmbël dhe ashtu qoftë

Ju ëndërrofshi

Unë po iki

/Gazeta Express