Shtetet e Bashkuara po planifikojnë sulme të reja ndaj Iranit që mund të nisin që këtë fundjavë, ndërsa Presidenti Donald Trump po kërkon një zgjidhje për luftën, sipas dy zyrtarëve amerikanë të njohur me planet, raporton CNN.
Shtrirja e saktë e sulmeve dhe objektivat e mundshëm që SHBA mund të godasë nuk janë ende të qarta, ndërsa të dy zyrtarët theksuan se sulmet mund të anulohen.
Trump, duke folur gjatë një mbledhjeje të kabinetit të premten, paralajmëroi rifillimin e sulmeve të rënda, duke shprehur zemërim për përpjekjet diplomatike që, sipas tij, nuk kanë dhënë rezultat.
“Ne do t’i godasim shumë fort,” tha Trump. “Në një moment, ata do të thonë: ‘Nuk mund ta përballojmë më këtë.'”
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka përgatitur disa opsione dhe ka vendosur forcat e saj në gatishmëri për zgjerimin e luftës, përfshirë një fushatë intensive bombardimesh dyjavore kundër vendeve ku ndodhen raketat iraniane.
Gjithashtu, janë shqyrtuar plane që parashikojnë goditje ndaj objekteve energjetike të Iranit, thanë zyrtarët.
Administrata Trump ka qenë e kujdesshme në lidhje me goditjen e infrastrukturës energjetike iraniane, nga frika se Teherani mund të hakmerret duke sulmuar objektet energjetike në vendet e Gjirit Persik, gjë që do të trondiste tregjet globale të energjisë, të cilat tashmë janë nën presion për shkak të luftës.
Më herët gjatë kësaj jave, ministri izraelit i Mbrojtjes deklaroi se udhëheqja e Izraelit dëshironte të godiste objektivat energjetike të Iranit për të shtuar presionin ekonomik ndaj Teheranit.
“Ne dëshirojmë shumë të godasim objektivat energjetike të Iranit, por SHBA nuk po e miraton këtë për momentin,” tha Israel Katz.
Nuk ka asnjë tregues se Izraeli do të marrë pjesë në një valë të re sulmesh amerikane ndaj Iranit.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka bërë përgatitje për të ndërmarrë një seri sulmesh ndaj infrastrukturës bërthamore iraniane, përfshirë objektin nw Malin Pickaxe, në jug të Teheranit, megjithëse planet nuk kufizohen vetëm në atë objekt. Sipas zyrtarëve, këto përgatitje janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit.
E pyetur mbi raportimet se Trump kishte urdhëruar një raund të ri sulmesh gjatë fundjavës, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti nuk do të “qëndrojë duarkryq dhe të lejojë që kjo sjellje terroriste të vazhdojë.”
“Irani do të vazhdojë të paguajë çmimin derisa të vijë në tryezën e bisedimeve në një mënyrë që Presidenti Trump e konsideron domethënëse,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt./Express/