Trajneri i Milanit, Sergio Conceicao ka thënë se “nuk është më i lumturi në botë” pas humbjes 2-1 nga Napoli të dielën, një rezultat që i mbanë në vendin e nëntë në tabelë. Megjithatë, ai ka dhënë disa përditësime rreth lajmeve të ekipit, një ditë para ndeshjes së parë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë ndaj Interit.
Milani është i pamposhtur nga Interi këtë sezon, duke fituar dy herë – një herë në ligë e një herë në finalen e Superkupës së Italisë – e duke barazuar në takimin e fundit të zhvilluar në ligë.
“Kanë qenë ndeshje të rëndësishme për ne. Situatat kanë qenë të ndryshme, me lojtarë të ndryshëm në fushë. Do të shohim nëse do të kemi një ndeshje të mirë nesër. Të shohim edhe se çka do të bëjë Interi”, ka thënë fillimisht portugezi.
“Janë një ekip i fortë e i qëndrueshëm, me një trajner të mirë që është aty për një kohë të gjatë, por ne duam të fitojmë”, shtoi më tutje ai.
Conceicao ka bërë me dije se Ruben Loftus-Cheek do të kthehet shumë shpejt me skuadrën, pas një operacioni të detyruar të bërë në apendiks.
“Ruben do të kthehet në Milan sot. Të gjithë të tjerët janë të disponueshëm. Është në përgjegjësinë time që të zgjedh një 11-she të mirë. Po të ishte në dorën time, do të kishim 26 lojtarë që nisin ndeshjen”, tha Conceicao.
Me Milanin që është në vendin e nëntë në tabelën e Serie A, i duhet të fitojë Kupën e Italisë, për të siguruar një vend në kompeticionet e UEFA-s sezonin tjetër./GazetaExpress/