Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka kontaktuar Gianni de Biasin për ta ulur në stol. Express ka mësuar se Felix Magath, Walter Zenga dhe braziliani, Roberto Carlos – janë opsionet më reale për ta marrë drejtimin e ‘Dardanëve’.
Kombëtarja e Kosovës është vënë pas një emri për ta ulur në stol, pas shkarkimit të Bernard Challandes.
Menjëherë pas shkarkimit të trajnerit zviceran, janë përmendur shumë emra për të marrë drejtimin e “Dardanëve”, në mesin e tyre edhe emri i njeriut që shkroi histori me Shqipërinë, Gianni de Biasi.
Gazeta Express e ka kontaktuar ish trajnerin e Kombëtares shqiptare, i cili nuk ka hezituar që të jap një përgjigje lidhur me spekulimet që e lidhin me Kosovën.
Duke treguar se ka kontratë me Azerbajxhanin, De Biasi lavdëroi organikën e Kosovës.
“Sapo kam arritur në Baku nga Beogradi. Deri tash nuk më ka kontaktuar askush. Unë kam kontratë me Azerbajzhanin deri më 30 nëntor dhe nuk është e ndershme të flas për Kombëtaret tjera. Megjithatë, mund të them se Kosova e ka një ekip të mirë/shkëlqyeshëm”, tha De Biasi për Express.
Kryetari Agim Ademi menjeherë pas shkarkimit të Challandes, ka bërë të ditur se në ditët në vazhdim mund të ketë risi sa i përket trajnerit të ri.
Ndërsa, “Gazeta Express” mëson se favorit për ta marrë postin e selektorit të Kosovës është trajneri gjerman, Felix Magath.
68 vjeçari Magath është pensionuar nga zeja e trajnerit, por mund të rikthehet për “Dardanët”.
Ndërkohë, burimet e gazetës tregojnë se në opsion janë edhe trajneri italian Walter Zenga dhe ai brazilian, Roberto Carlos – legjenda e Real Madridit. /Gazeta Express/