Presidenti Aurelio De Laurentiis është “i bindur se kjo skuadër e Napolit është më e fortë se sezoni i kaluar” pas fitimit të titullit, dhe bën thirrje për rregulla të reja për futbollin e klubeve dhe atë ndërkombëtar.
Partenopejt u rikthyen në krye të tabelës bashkë me Milanin pas fitores së madhe 1-0 ndaj Romës, që deri atëherë kryesonte kampionatin.
Ndërsa Antonio Conte është ankuar vazhdimisht për mungesën e alternativave në skuadrën e tij mes krizës së dëmtimeve, dhe më herët kishte insistuar se pritshmëritë pas titullit të vitit 2024 ishin tepër të larta, De Laurentiis e sheh ndryshe situatën.
“Jam i bindur se ky Napoli është më i fortë se sezoni i kaluar,” tha Presidenti në “Gran Gala del Calcio” në Milano.
“Lojtarët e rinj duhet të dashurohen me këtë fanellë, por këto pengesa iu dhanë mundësinë të tregonin aftësitë e tyre. Jam i bindur se do të kemi një sezon të madh, por duhet të kemi parasysh se ka 20 skuadra të tjera, ndaj duhet t’i respektojmë edhe ato. Do të jetë një kampionat i jashtëzakonshëm, të gjithë jemi aty lart”, tha ai.
David Neres shënoi golin e fitores ndaj Romës, të tretin në dy ndeshje, pasi më parë kishte qenë në hije derisa kriza e dëmtimeve i dha një mundësi të shkëlqente në formacionin e ri 3-4-2-1.
“E patëm edhe sezonin e kaluar, por duke qenë se ishim vetëm në një kompeticion, nuk pati mundësi që të gjithë të tregonin çfarë dinin të bënin,” shpjegoi De Laurentiis.
“Këtë sezon jemi në disa gara, kështu që kemi më shumë hapësirë për të tjerët. Neres ka shënuar tashmë më shumë gola se gjithë sezonin e shkuar dhe jemi ende në fillim.”
Napoli fitoi titullin në vitin 2023, më pas ra ndjeshëm sezonin tjetër, dhe u rikthye në majë në sezonin e parë të Contes.
Së fundmi është publikuar një dokumentar mbi rrugëtimin drejt titullit të sezonit 2024-25, por cili prej dy titujve ishte më emocionues për De Laurentiis?
“Emocionet nuk kategorizohen, ato përjetohen në moment. Shumë mendojnë se dashuria është emocion, por sipas meje është një moment perfekt dhe pak veta arrijnë ta përjetojnë ose ta vlerësojnë si duhet.”
Presidenti i Napolit ka kritikuar publikisht FIFA-n, UEFA-n dhe ekipet kombëtare që nuk kompensojnë klubet kur lojtarët dëmtohen rëndë gjatë detyrave ndërkombëtare.
Kjo është vetëm pjesë e planeve të tij për të transformuar futbollin në të ardhmen.
“Institucionet e futbollit janë të vjetruara, jashtëzakonisht të vjetruara, dhe janë të interesuara vetëm të ruajnë pushtetin, ndërsa ne trajtohemi si mall që shkëmbehet nën supremacinë e tyre.
“Futbolli nuk i përket vetëm tre ose katër kombeve, por gjithë botës. Duhet të kuptojmë ku qëndrojnë problemet për qëndrueshmërinë financiare të gjithë sistemit.
“Sipas meje, duhet ta pastrojmë gjithçka nga e vjetra. Ka një mori rregullash e kufizimesh; flasim sikur jemi drejtues biznesi, por sillemi si punonjës të një sistemi ku vetëm dy persona të fuqishëm marrin vendime. Kjo duket e trishtueshme, anakronike dhe jo reale,” përfundoi De Laurentiis./GazetaExpress/