Vladimir Putin mbetet i hapur për kontakte me Donald Trump, tha zëdhënësi i Presidentit rus Dmitry Peskov, pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan që paralajmëroi për tarifa për naftën ruse nëse nuk ka paqe së shpejti në Ukrainë.
“Presidenti Putin mbetet i hapur për një komunikim të tillë (telefonik) dhe, nëse është e nevojshme, një bisedë e tillë mund të arrihet shumë shpejt ,” u tha Peskov gazetarëve, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse pritet një bisedë telefonike mes Putinit dhe Trump këtë javë. “Për momentin, nuk ka asnjë telefonatë të planifikuar mes dy presidentëve”, shtoi Peskov.
“Ne vazhdojmë të punojmë me palën amerikane, para së gjithash, për të ndërtuar marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat pësuan dëme të mëdha gjatë administratës së mëparshme. Kjo është vetëm faza fillestare, dhe përsëri pas një periudhe në të cilën marrëdhëniet tona u zhytën në pikën e tyre më të ulët. Prandaj, nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të korrigjuar situatën. Ne po punojmë gjithashtu për zbatimin e disa ideve që lidhen me zgjidhjen e Ukrainës. Këto punime janë në vazhdim. Deri më tani, nuk ka detaje për të cilat mund dhe duhet t’ju informojmë. Ky është një proces që vazhdon të zvarritet me kalimin e kohës, ndoshta për shkak të kompleksitetit të substancës”, shton më tej ai.
Për çështjen e tokave të rralla, Peskov sqaroi se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë nënshkruar dokumente në lidhje me shfrytëzimin e tyre . “Jo, nuk është nënshkruar asnjë dokument. Ju e dini se sanksionet janë ende në fuqi, kufizimet zbatohen për kompanitë amerikane,” tha zëdhënësi i Kremlinit, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar dokumente për projekte të përbashkëta për minierat e metaleve të tokës së rrallë.