Demokratët Evropianë kanë reaguar në ditën e zgjedhjeve në Serbi, duke shprehur shqetësim për, siç thonë ata, shkelje serioze të procesit zgjedhor dhe rrezikim të standardeve demokratike.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, kjo organizatë ka përmendur raportime nga terreni për manipulim të votës, lista të dyfishta zgjedhore, blerje votash dhe intimidim të qytetarëve pranë qendrave të votimit.
Sipas tyre, janë raportuar edhe raste të pranisë së personave të armatosur në afërsi të vendvotimeve, ndërsa disa qytetarë janë sulmuar gjatë dokumentimit të parregullsive.
What is happening in Serbia today is not just alarming — it is unacceptable. Reports from across the country describe a systematic assault on democracy: alleged ballot fraud, duplicate voter lists, vote-buying, intimidation around polling stations, and even the presence of armed… pic.twitter.com/PDQR7vBXzX
— European Democrats (@democrats_eu) March 29, 2026
Sekretari i Përgjithshëm i Demokratëve Evropianë, Sandro Gozi, ka deklaruar se situata nuk përfaqëson një proces normal demokratik, por “një sistem nën presion që po përgjigjet me presion”.
Në reagim thuhet se kushtet minimale për një votim të besueshëm nuk janë përmbushur, ndërsa theksohet se kur frika zëvendëson lirinë dhe intimidimi zëvendëson pjesëmarrjen, themelet e demokracisë rrezikohen seriozisht.
Demokratët Evropianë i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian që të mos qëndrojë i paqartë përballë këtyre zhvillimeve, duke paralajmëruar se heshtja do të nënkuptonte bashkëpërgjegjësi.
Në fund thuhet se qytetarët e Serbisë meritojnë zgjedhje të lira, mbrojtje dhe demokraci funksionale.