Tragjedia e zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan ku vdiqën 61 persona po hetohet nga 13 prokurorë. Deri më tani të dyshuar janë 47 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. Ndaj 19 të dyshuarve të rinj janë kërkuar masa sigurie, shkruan Portalb.mk.
Siç bëri të ditur prokurori publik shtetëror Ljubomir Kocevski, për 4 persona kërkohet paraburgim, për 7 persona arrest shtëpiak me ndalim komunikimi dhe për 7 të tjerë janë propozuar masa parandaluese. Një nga të dyshuarit nuk ndodhet brenda shtetit.Hetimi përfshin një sërë ish-zyrtarësh dhe aktualë, lëshimet e të cilëve lejuan që klubi të funksiononte pa i plotësuar kushtet. Kocevski tha se në mesin e të dyshuarve janë edhe tre ish-kryetarë komunash dhe tre inspektorë ndërtimor nga Komuna e Koçanit, të cilët sipas hetimeve nuk kanë kryer fare kontroll inspektues edhe pse objekti në mënyrë të kundërligjshme ishte shndërruar në objekt hoteliere.
“Gjithashtu, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka dyshuar për tre persona të cilët ndër vite nuk kanë bërë asnjë inspektim apo monitorim të objektit. Ata me veprimet e tyre të papërgjegjshme i ekspozuan qytetarët në rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tyre”, tha Kocevski. Hetimi përfshin dhe dy sekretarë shteti, një ish-ministër i ekonomisë dhe tre punonjës në sektorin e hotelerisë dhe turizmit të së njëjtës ministri, të cilët si kanë mundësuar klubit të marrë licencat dhe të vazhdojë funksionimin edhe pse ishte i paligjshëm.
Të dyshuar janë edhe katër inspektorë nga Inspektorati i Tregut, si dhe tre inspektorë të tjerë që kanë qenë pjesë e fazës së mëparshme të hetimit.Autoritetet hetimore po zhvillojnë procedim edhe ndaj shtatë punonjësve të policisë.Në hetim janë të përfshirë edhe pronarët dhe drejtuesit e diskotekës, përdoruesit e mjeteve piroteknike, rojet e sigurisë. “Hetimi është në vazhdim dhe po ndërmerren veprime të reja hetimore”, tha Kocevski.