Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas një takimi elektoral të Partisë Demokratike në fshatin Ostren, në Bulqizë, ku dy shtetas janë përfshirë në një akt dhune ndaj një qytetari tjetër. Policia ka njoftuar se specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë referuar materialet në SPAK për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Ngjarja ka ndodhur më 24 prill 2025, rreth orës 13:00, pas takimit elektoral të zhvilluar nga PD. Dy shtetas, njëri 58 vjeç dhe tjetri 36 vjeç, xhaxha dhe nip, të dy banues në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me grushte shtetasin 33 vjeçar, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.
Aktualisht, policia ka ndërmarrë veprime për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që rasti është kaluar për hetim nga SPAK, duke iu referuar përkatësisht veprës penale të dhunës ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, një akt që do të hetohet në nivel më të lartë.