string(117) "disa-deputete-te-pakicave-qe-i-takoi-ne-mesjave-sia-premtuan-voten-kurti-thote-se-po-joshen-dhe-kercenohen-nga-serbia"

Lajme

Gazeta Express

06/04/2025 15:55

Disa deputetë të pakicave që i takoi në mesjavë s’ia premtuan votën, Kurti thotë se po “joshen dhe kërcënohen” nga Serbia

Lajme

Gazeta Express

06/04/2025 15:55

Pak më shumë se një javë kohë i ka mbetur Albin Kurtit për t’i kryer konsultimet e nevojshme për formimin e qeverisë së re, të cilën ka thënë se synon ta prezantojë për votim në Kuvend më 15 prill. Përpjekja nuk duket e lehtë dhe dy ditë pasi i përfundoi takimet e para me përfaqësues të pakicave, kryeministri në detyrë evidentoi se Serbia “po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë” dhe e thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka konstatuar një “ndërhyrje për sabotim” nga disa deputetë të komuniteteve joshumicë dhe joserbë për formimin e qeverisë së re.

Në mesjavë ai nisi publikisht përpjekjet për formimin e qeverisë së re. Në zyrën e tij në qeveri, diskutimet i nisi fillimisht me përfaqësues të partive politike të pakicave.

Kurti të mërkurën u takua me zëvendësen e tij në detyrë dhe kryetaren e Partisë së Re Demokratike boshnjake, Emilija Rexhepin, e cila, siç tha Zyra e Kryeministrit, “konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit” me LVV-në.

Po atë ditë, takimet i vijoi duke e pritur në zyrën e tij në qeveri edhe ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiqin. Edhe ai, sipas ZKM-së, “e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm”.

Më pas u takua edhe me ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarin e partisë egjiptiane Iniciativa e Re Demokratike e Kosovë, Elbert Krasniqin.

Me këta të tre, tha se do ta vijonte partneritetin “edhe në katërvjeçarin e ardhshëm”.

Edhe ditën pasuese Kurti i vijoi diskutimet me deputetë të zgjedhur, përfaqësues politikë të komunitetit boshnjak, egjiptian, turk, rom, ashkali e goran. U takua me ministrin në detyrë të Zhvillimit Rural, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damkën, kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berishën, kryetaren e partisë boshnjake Unioni Socialdemokrat, Duda Baljen, kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinollin, kryetarin e Koalicionit Vakat, Rasim Demirin, kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, kryetarin e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifin e deputetin e zgjedhur nga ky subjekt, Artan Asllanin.

Pas takimeve me ta, Kurti shkroi në Facebook se “përgjegjësia na takon neve” për formimin e qeverisë, ndërsa përmendi përfshirjen, pjesëmarrjen, angazhimin e kontributin thelbësor të komuniteteve joshumicë. Diskutimet me ta, i përshkroi si të hapura”.

Megjithatë, deputeti i zgjedhur egjiptian, Veton Berisha, deputetja e rizgjedhur boshnjake Duda Balje dhe ai i komunitetit goran, Adem Hoxha, janë disa nga ata që nuk konfirmuan votat e tyre për një qeveri të udhëhequr nga Kurti pas takimeve me të.

Dy ditë pas këtyre diskutimeve, Kurti e thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë sot, në të cilën, siç u tha, “u raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë, me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë”.

Zyra e Kryeministrit në detyrë tha se aty i konstatua se “përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar ‘de facto’ i saj”, Serbia tash “po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë”.

“Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes.

Si konstatim, u tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u raportua se është takuar të premtën në darkë edhe me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në përpjekjen për të qëndruar më tej në pushtet. As nga LVV-ja dhe nga NISMA nuk i janë përgjigjur interesimit të Gazetës Express për këtë çështje.

Me partitë opozitare të cilat në çdo rast kanë konfirmuar se nuk do të bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Kurtit duket se do t’i duhet ndihma e partisë më të vogël parlamentare shqiptare, të kthyer në Kuvend në zgjedhjet e fundit parlamentare të 9 shkurtit. NISMA ka paralajmëruar në fillim të kësaj jave se “nuk voton asnjë qeveri për të cilën nuk ka marrë pjesën e saj të përgjegjësisë”.

Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani. Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar Kurti më herët.

LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të certifikuara të enjten e javës së kaluar – që nënkupton se asaj do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma). Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.