Ditari i javës/ Nansen: 13 – 15 janar 1942 - Gazeta Express
string(38) "ditari-i-javes-nansen-13-15-janar-1942"

Arte

Gazeta Express

29/06/2024 19:53

Ditari i javës/ Nansen: 13 – 15 janar 1942

Arte

Gazeta Express

29/06/2024 19:53

Odd Nansen (1901 – 1973), shkrimtar, arkitekt dhe humanist norvegjez. Njëri prej bashkëthemeluesve të UNICEF-it. Iu bashkua rezistencës norvegjeze më 1940, u arrestua shumë shpejt nga Gestapo dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Sachsenhausen. Ishte edhe në kampin e punës së deturuar në Veidal.

E martë, 13 janar 1942

Lexo Edhe:

Në orën gjashtë e gjysëm sherifi i distriktit të Gausdalit Lindor erdhi te vila me dy gjermanë. Ishte terr. Pamë elektrikun e dorës së sherifit që larg. Menduam se ishte në kërkim të radiove, meqë erdhi në atë orë të papritur1.

Ishte për mua. Më thanë se duhej shkoja në Lillehammer, pastaj në Oslo, ku do të ma tregonin arsyen. Më dhanë kohë paktoja çantën e shpinës. Kari ishte i qetë, Mariti, Eigili dhe Siri qanë, të shkretët, por buzëqeshen trimërisht mes lotëve para se të largohesha. Kështu pra u mbudhem. Makina po priste te garazhi i sanatoriumit. Sherifi foli goxha shumë në makinë. Pa dyshim se ishte në ankth të dilte i larë nga ky rol për keqardhje. Më uroi një kthim të shpejtë ku doli nga makina në Urën Segalstad2.

Më futën në burgun e qarkut të Lillehammerit. Qeli njëshe. Kur u largua gardiani, një zë nga qelia ngjitur më pyeti kush isha. Isha zëri i Odd Wangut3. Ai nuk e dinte pse ishte arrestuar, por shkonte me mendjen se mund të ishte ndonjë keqkuptim. Se unë mund të arrestohesha, tha ai, ishe krejt e natyrshme, por se ai… Jo, ishte pa dyshim një keqkuptim, që do të sqarohej sa mpë shpejt që të shkonte në Oslo dhe t’i jepej shansi të fliste për veten. Ishte bërë vonë dhe shumë shpejt u shtrimë. Drita na lihej ndezur deri në orën dymbëdhjetë dhe mund të lexonim. Shtrati prej dërrase ishte i fortë, siç janë shtretërit prej dërrase, por nuk ishte ftohtë, se na kishin dhënë batanije.

Njëri prej “gjermanëve” doli të jetë një norvegjez i racës së patër. Në vilë pretendoi se ishte gjerman. Admirali Tank-Nielsen e kishte kaluar natën e mbrëmshme në qelinë time3. Dëgjova për aksionin e ri ndaj oficerëve specialë dhe ndaj miqve të familjes mbretërore, që të gjithë të arrestuar në atë kohë. Supozova se unë isha lënë për radhën tjetër dhe nëse ishte kështu a do të thothë kjo se me shumë gjasë do të mbahesha “brenda” deri sa të mbaronte lufta?

E mërkurë, 14 janar 1942

U zgjova në orën gjashtë, na shërbyen bukë me gjalpë dhe diçka që ngjante me kafen. Ditën e kalova duke lexuar dhe shkruar pakëz. Nuk na lejohej të tymosnim dhe na u desh të hiqnim dorë nga shkrepëset tona dhe thikat. Sidoqoftë, e gjeta çakmakun tim në xhep. Ishte i thatë, por në të vërtetë nxori një flakë të vockël, mjaftueshëm që ta ndizja një cigare. Kjo ndodhi para kafjallit. Kur erdhi gardiani në mëngjes, i hapi flegrat e hundës dhe tha, “Keni pasur një mëngjes me cigare, ë?”. M’u desh ta pranoja dhe e dorëzova çakmakun. Erdhi koha e drekës, por mua m’u desh të prisja radhën time më gjatë se të tjerët. Pastaj erdhi një shportë. Gardiani dukej misterioz dhe më tha të mos e hapja gojën. “Nuk është e lejueshme”, tha ai, dhe nga shporta doli një drekë e shijshme, me komplimentet e Håkon Tallaugut4. Mish lope, ullinj, një gjysëm shishe burgundy, thrashegra dhe ajkë, kuleçë, poshtë në fund të shportës miku im gardiani e kishte fshehur çakmakun tim dhe ta hajë dreqi nëse nuk funksionon prapë. Shkurt, një ushqim princëror. Shumicën e pasditës u argëtova duke u munduar të avis një cigare te ndezur te dritarja e Odd Wangut. I bashkova tojat e këpucëve për rripit të çantës sime dhe e lidha brushën e thonjve në fund të saj për të rënduar lavjerrësin. Qe dështim, por i lezetshëm. Më pas shkuam me idenë se mund të trokiste dhe të kërkonte të huazonte prej meje ndonjë kek ose sapun. Kësodore e mori cigaren – të ndezur në kutin e sapunit. Darka na erdhi që të dyve nga babai i Oddit. Gjë s’na mungonte. Para se të shtriheshim të flinim gjumin tonë të dytë në burg, dëgjuam se do të na çonin në Oslo herët në mëngjes.

E enjte, 15 janar

Treni u nis rreth orës gjashtë.

Në Oslo takuam disa nga familjarët e Oddit, por jo Marinë e Zezë, kështu që na u desh të ecnim deri te numri 195. Pas një tymosjeje të mirë të fundit dhe thithje të thellë të ajrit të freskët, kaluam nëpër një paradhomë për të dhënat biografike, mbi Urën e Psherëtimave dhe pastaj në Ferr6.

Na urdhëruan të rrinim drejt me fytyrën për muri. Një zakon i keq t’i fus duart në xhepa, të cilin e bashkëndaj me mjaft norvegjezë të tjerë të mirë, solli ca ulurima të frikshme nga njëri prej gardianëve gjermanë që rrinte në korridor. Kishte qenë duke ulurirë kohë të gjatë para se unë ta kuptoja si ishte puna. Më pas, kur isha aq i pafat sa t’i kryqëzoja duart rreth barkut tim, ulurimat shpërthyen prapë, këtë herë të vulosura me një godije të llogaritur mirë dhe unë i ula duart poshtë. Por ato e ndienë nevojën të takoheshin prapë, këtë herë pas shpinës sime. Atëherë çirrjet e tij qenë të forta, të neveritshme dhe kërcënuese dhe qëlloi aq fort dhe dhimbshëm sa duart u lëshuan poshtë me pëlqimin e tyre përgjatë vijës së pantallonave. U detyrova të rrija ashtu rreth tre çerekë orë. Pastaj më thirrën në një zyrë, ku u regjostrova, ma dhanë një numër dhe më privuan nga të gjitha gjërat e mia, përveç çfarë mund të kisha nga lloji i ushqimit dhe gjërave të “padëmshme” të tualetit. Pas kësaj më çuan në një qeli me potere dhe abuzime, së pari se ecja shumë shpejt, pastaj se ecja shumë ngadalë, dhe në fund ngase hyra në qeli tepër herët, me çka dëshmoja se nuk dija si të lexoja.

Në qeli veç ishte një i burgosur – një avokat [Jon] Nøkleby, nga Drammen7. Dukej i sëmurë dhe kishte qenë brenda prej tre muajsh. Ishte i lumtur të kishte një shok dhome.

Gradualisht u mësova me zakonet dhe rutinën e “shtëpisë”. Zgjimi në orën gjashtë, pastrimi i qelisë, ndreqja e “shtratit” – flija në dysheme, në një dyshek që veç duhej të bëhej rrotë – mëngjesi, i cili shërbehej përmes vrimës së shikimi në derë nga njëri prej “punëtorve”, kjo është, të burgosurit që kanë qenë në burg për ca kohë dhe e kanë fituar punën, pastaj jashtë në galeri për të marrë ujë, largimi i mbeturinave dhe larja e enëve. Dreka vjen përmes vrimës së shikimit në derë në orën dymbëdhjetë dhe darka rreth orës pesë. S’kishte ndonjë gjë tjetër për të thyer monotinë. Pa dyshim, thënë troç, më ishte ndaluar të lexoja, por në qeli ishin disa libra dhe unë u mora me njërin syresh. Asnjëri nga ne nuk kishte duhan, se kjo nuk ishte punë që bëhej. Nga ana tjetër, bëra një banjë. Roja e banjës ishte sherifi i qarkut Gabrielsen8. Bëmë një muhabet të këndshëm. Në qeli kisha një kuti me rezerva ushqimore; e ndamë dhe e hëngrëm me darkën dhe mëngjesin tonë, që ishte bukë dhe gjalpë dhe diçka e ngjashme me çajin ose kafen. Na dhanë po ashtu një filxhan me qumësht të thartë për kafjall dhe ca copëza rrepe për darkë. Kur copëzat e palara të rrepës depërtuan përmes vrimës, fillimisht u ndjeva saktësisht si lepur.

Shënime:

1 Posedimi i radios nga persona përveç anëtarëve të Nasjonal Samling ishte bërë e jashtëligshme në shtator të vitit 1941 nga autoritetet okupuese; radiot që u përkisnin henrenjve ishin konfiskuar në maj të vitit 1940. BBC News shërbimi norvegjez jepej në orën 19 e 30; ky shërbim ishte inauguruar pas okupimit gjerman.

2 Sigrid Undset, Çmimi Nobel për Letërsi (1929), jetoi në afërsi të Lillehammer. Biri i tij i parë, Anders Svarstad, i dërguar në shërbim menjëherë pas invazionti gjerman, ishte vrarë në betejën e Urës së Segalstadit, më 27 prill 1940, njëri prej rreth 860 ushtarëve norvegjezë (dhe 400 civilëve) të vrarë gjatë fushatës.

3 Wangu kishte punuar në tregtinë lundërtare në Gjermani, Angli dhe Francë para luftës. Më 1931 e filloi biznesin e vet duke shitur pajise anijesh. Ishte liruar më 23 janar 1943.

4 Carsten Tank-Nielsen (1877–1957), komandant i Distriktit të Dytë Detar, ku kishte luajtur një rol premtues në Aferën Altmark. Ishte burgosur në Grini për disa ditë dhe pastaj ishte liruar.

5 Håkon Thallaug, avokat që jetonte në Lillehammer, ishte arrestuar më 26 tetor 1942 dhe mbajtur në Grini dhe Sachsenhausen para se të lirohej, më 20 janar 1945. Pas luftës ishte anëtar këshillues i Akademisë Nansen, Akademisë humanistike norvegjeze, të themeluar më 1939 në Lillehammer dhe të emëruar në nderim të Fridtjof Nansenit (shkolla ishte ndaluar gjatë okupimit nazist).

6 Maria e Zezë, karrocë policie ose vagon mallrash. 19 Møllergata ishte adresa e burgut të Gestaposë. Para luftës ishte stacion i policisë norvegjeze dhe burg.

7 Ura e Psherëtimave është urë e ndërtuar më 1602 mbi Rio di Palazzo në Vendeik, që e lidhte dhomën e marrjes në pyetje të Pallatit të Dukës me burgun. Kështu ishte quajtur nga Bajroni, ia lejonte të dënuarit ta shihte për herë të fundit Venedikun para se të lante dënimin.

8 I liruar më 17 janar 1942. Bija e tij, Berit Nøkleby, është historiane që ka shkruar gjerësisht rreth përvojës norvegjeze në LDB.

9 Hans Gabrielsen (1891–1965), avokat dhe shërbyes civil, luajti një rol kyç në orgainizimin e anës civile të përpjekjeve luftarake në Norvegjinë veriore pas invadimit. Pas luftës ka qenë anëtar i kabinetit të bashkuar të emëruar së pari nga Mbeti Haakon VII.

/Marrë nga Otto Nansen, “From Day to Day – One Man’s Diary of Survival in Nazi Concentration Camps”, Vanderbilt University Press, 2016

/Përkthimi Gazeta Express