Sanjay Singh, gazetar hulumtues, në karrierën e tij të bujshme ka bashkëpunuar me kanale televizive si Zee News, Times Now, NDTV, News18, dhe New-X. “Telgi: A Reporter’s Diary”, është një raportim i frikshëm për një njeri që kishte krijuar një perandori të rreme të jashtëzakonshme. E gjitha ngjalli dyshime kur një mbrëmjeje, më 1990, Abdul Karim Telgi harxhoi një shumë të barasvlershme me njëzet kilogramë ari për një vallëzuese në një bar vallëzimi në Mumbai
29 mars 2003
E shtunë
Dita filloi si çdo ditë tjetër e zakonshme. Në jetën time, natyrisht. Isha duke punuar me NDTV-në, që ishte e kufizuar në një prodhim softveri nga shtëpia në këtë moment dhe kryesisht punonte 24×7 për kanalin Star News. Kam qenë këtu gjatë këtyre dy vjetëve e gjysmë dhe saktësisht edhe një ditë, të themi kështu pra, më 30 mars, kontratës me NDTV-në po i vinte fundi.
E diela ishte dita ime e pushimit, që do të thotë se e shtuna ishte dita ime e fundit në Star News. Dëshiroja me gjithë shpirt të sillja një artikull eksploziv në ditën time të fundit dhe ta lija rrjetin në stil me një big bang. Po në mëngë e kisha veç një histori.
Rastin e çiftit zviceran.
Ishte një rast i një çifti të moshuar zviceran, të cilët gjoja se ishin të përfshirë në keqtrajtimin seksual të një fëmije. Vendimi i gjykatës pritej sot. Kishte shumë gazetarë televizivë të pranishëm në seancën gjyqësore mbrapa meje dhe unë po ndihesha i ligur dhe i pamotivuar. Rreth orës 10 para dite mora një telefonatë nga një mik në departamentin e policisë, Patili. Më kërkoi të shkoja në periferinë e Andherit sa më shpejt që të mundesha dhe të prisja për pjesën tjetër të lajmit atje.
E braktisa grupin tim dhe pa i lënë shokët gazetarë t’i binin në të ikjes sime kaq të menjëhershme, u largova nga gjykata. Në zhargonin e Mumbiayas, të përbirosh jashtë një vendi në një mënyrë të tillë quhet kalti maarna. E thirra zyrën dhe kërkova të ma dërgonin një kameraman tjetër në Andheri të më shoqëronte. Me trenin lokal që e mora në Churchgate, e përshkova një distancë prej njëzet kilometrash për tridhjetë minuta.
Gjatë këtyre tridhjetë minutave, e gjitha që mund të mendoja ishte se çfarë lajmi mund të ishte ai ku po shkoja. A mos po e ndiqja ndonjë mirazh? Isha i frikësuar se mund t’i humbisja të dyja – lajmin që nuk ekzistonte dhe lajmin që e kisha lënë mbrapa.
Shumë herë në jetën time jam munduar të lundroj në dy barka njëherësh dhe kam përfunduar duke u përmbysur në proces. Në merak se mund të përsëritej historia, isha i dëshpëruar të qëndroja sipër këtë herë. Kisha ndarë mendjen të shfrytëzoja rastin. Duke e pranuar këshillën e dykuptimtë, kisha ndarë mendjen të mos i lija pasojat frikësuese të më shmangnin nga vendimi im.
Disi, me të gjitha mundësitë e dallueshme dhe paqartësitë që më fluturonin nëpër mendje, në fund arrita në stacionin e Andherit dhe aty e gjeta kameramanin, Baba Joshin, duke më pritur. I tregova se mund të merrnim ndonjë lajm të ri sot. Si zakonisht, zona përreth stacionit të Andherit ishte dëng me njerëz, kështu që vendosëm të ndaleshim tek autostrada dhe të prisnim për Patilin derisa të vinte. Makina jonë lundroi mes turmës së paanë deri te autostrada perëndimore Express.
Baba Joshi prore më drejtohej me Sanjay bhai. Ai sugjeroi, ‘Sanjay bhai, le të nisemi kah Jogeshwari, ta parkojmë makinën nën mbikalim dhe të pushojmë derisa të vijë Patili.
S’ngurroja ta ndiqja. U kthyem në drejtim të veriut nga autostrada. Tashmë ishte mesditë. Ishim duke pushuar kur dëgjuam një zhurmë të fortë si ajo e një shpërthimi prej fishekzjarrësh. Në mendjen më erdhën këto mendime: çka nëse ishte kërcitja e një arme? Pikërisht atëherë, Baba tregoi një automjet në lëvizje. ‘Shiko, Sanjay bhai, makina e oficerit të Degës së Krimeve!’.
Ishte makina e Bhatt sahebit. Pa ndonjë potere më të madhe, filluam të lëviznim kah ana tjetër e mbikalimit. Kumbimi shpërthyes vazhdonte të bëhej më i madh, pastaj, krejt papritur, ra një heshtje varri. E kishim kaluar urën brenda dy minutave dhe mund të shihnim fytyra familjare përreth nesh. Pas nja njëzet metrash, e vumë re njësitin e Pradeep Sharmës.
Me jelekun anti-plumb, Sharma po e lëkundte një Ak-47 në dorë. Për pak minuta, kolegu i tij Daya Nayak u pa të bënte të njëjtën gjë si guruja e tij Sharma. Të dy bashkë ishin përballur me më shumë se tetëdhjetë huliganë.
Ndërkohë më thirri Daya Nayak. ‘U përleshëm dhe e vramë Komandantin perëndimor të Lashkarit, Abu Sultanin dhe dy nga shokët e tij. Dy nga ta ishin pakistanezë dhe njëri nga Kashmiri’, tha ai.
‘Cilin lajm flash duhet ta raportoj?’, pyeta Dayan.
‘Ti je i pari që e kemi informuar’, deklaroi Daya në mënyrë të prerë.
E dija se Daya do t’ua thoshte të njëjtën gjë edhe disa gazetarëve të tjerë. I thashë se kam qenë duke e shikuar prej një distance, kështu që nisi të më jepte hollësi. E sinjalizova kameramanin Baba të fillonte të xhironte. Derisa po merresha me Dayan, shqova tre trupa të dergjur në tokë. E thirra zyrën në Delhi dhe udhëzimet e tyre ishin të merresha me lajmin e ri.
E dhamë lajmin së pari në Phono (lajme në telefon). Në këto rrethana vura re shefin e zyrës së Sahara News, Mandar Parabin, dhe reporterin e Zee News, Calvin Joshua në afërsi. Ia dërgova fotografitë e para dhe intervistat e regjistruara me Pradepp Sharmën dhe Daya Nayakun zyrës sonë përmes driverit tonë në Uplik – metoda që përdornim për të dërguar imazhe lajmesh te zyra kryesore në Delhi përmes satelitit. Mandari, Calvini dhe unë paralelisht po vinim bast pohimet tona individuale se ishim të parët që po e jepnim lajmin bombastik.
Në botën e lajmit elektronik, breaking news është nocion që është disi si një dozë e lartë dopamine për t’i mbajtur reporterët televizivë të lumtur. Të gjitha kanalet kanë dhënë lajmin me disa minuta më herët ose më vonë, por prapë secili pohon se ka qenë më i shpejti në dhënien e tij. Është një çështje tjetër që audienca e sheh lajmin në çfarëdo kanali lajmesh të zgjedhur rastësisht duke luajtur në Tv në dhomën e tyre të ndenjës.
Sidoqoftë, nëse flasim për përleshjet, kjo ishte më e madhja që e ka pasur policia e Mumbait në pestë vjetët e fundit. Pradeep Sharma dhe njerëzit e tij janë mburrur haptas për të arriturat e tyre.
Isha i befasuar të shihja zv.inspektori Sachin Vaze ishte po ashtu i pranishëm aty.
Sachin ishte suspenduar për shkak të një deklarate në të cilën ishte përfshirë rreth zhdukjes së një të akuzuari të një shpërthimi bombe. Prindërit e të dyshuarit, Khwaja Yunus, kanë deklaruar se ai ishte vrarë mizorisht nga policia sa ishte nën kujdestarinë e tyre dhe më pas trupi i tij ishte hequr qafe.
Duke mbajtur një revolver në njërën dorë dhe një komunikues nokia në dorën tjetër, ai erdhi tek unë dhe më kërkoi të mos merrja pamje të tij. E dija se çfarëdo lajmi rreth pranisë së tij aty pavarësisht suspendimit të tij mund t’i sillte telashe, kështu që e udhëzova kameramanin të të mos merrte asnjë pamje të Sachin Vazes. S’kishte ndonjë rëndësi për mua, sado që unë isha ai që kisha ngrehur pluhurin aq lart në media që të kërkoja suspendimin e tij nga forcat policore.
Sachini erdhi tek unë përsëri pas një copë kohe dhe kërkoi të merrnim lirisht pamje të tij. Dyshova se kishte marrë leje për këtë nga Sharma, bosi i tij. I sinjalizova kameramanit të vazhdonte tutje. Sachini vërdallisej rreth kufomës së njërit prej terroristëve të dyshuar, duke pretenduar se po hetonte diçka dhe më kërkoi të përdorja pamjet e tij si ta gjykoja të arsyeshme.
Ka rreth tridhjetë e dyzet minuta prej se përleshja ka marrë fund dhe ekipet e tjera mediatike kanë filluar të arrijnë te vendi i ngjarjes. Pas një kohe, Komisionari i Përbashkët (i Krimeve), Satyapal Singhi dhe Komisionari Plotësues Rakesh Maria po ashtu erdhën në vendin e ngjarjes. Pastaj u intervistua Singhi. Në fytyrën e Rakesh Marias befasia ishte e qartë. Me gjasë po vriste mendjen se si të gjitha mediat kishin ardhur te vendi i ngjarjes aq shpejtë. E dëgjova t’ia bënte Mandar Parabit këtë pyetje.
Po biseda të tilla të pakuptimta nuk kanë vend në kremtime kaq të mëdha. Mora vesh se Komisionari i Policisë së Mumbait, R.S. Sharma kishte thirrur një konferencë shtypi në orën 4 pas dite, për të ndarë detajet e përleshjes së sotme. Pasi që ishin terrorizuar nga shpërthime të panumërta bombash përreth qytetit gjatë gjashtë muajve të fundit, ky ishte një moment i tmerrshëm suksesi për Policinë e Mumbait. Kishte shpresë për të gjetur informata shtesë rreth përleshjes nga komisionari. Mendova ta mbyllja lajmin shpejt në zyrën time dhe të mbërrija te konferenca në kohën e duhur. Zyra e komisionarit të policisë ishte rreth tridhjetë minuta nga e imja. Gjatë kthimit, mesazhet përkëdhelëse dhe përgëzuese nga shefat e mi në Delhi po më vinin me radhë në telefonin tim.
Shënim:
Pas regjistrimit të një morie rastesh të përleshjeve, Pradeep Sharma në fund ishte arrestuar në përleshjen e rreme në Lakhan Bhiaya, më 2008. Ai u kthye në shërbimin policor pas një mungese të prolonguar dhe paskëtaj e arrestoi vëllain e Dawood Ibrahimit, Iqbal Kaskerin. Më vonë, mori pjesë në zgjedhjet për Kuvend në listën e Shiv Sena dhe humbi. Më 2021 u arrestua për shkak të vendosjes së eksplozivit jashtë shtëpisë së Mukesh Ambanit dhe vrasjes së një dëshmitari.
/Marrë nga Sanjay Singh, ‘Telgi: A Reporter’s Diary’, HarperCollins India, 2023
/Gazeta Express