string(65) "djali-i-trumpit-do-te-takohet-perseri-me-vuciqin-neser-ne-beograd"

Mediat serbe: Djali i Trumpit do të takohet përsëri me Vuçiqin nesër në Beograd

Lajme

Gazeta Express

25/04/2025 13:05

Donald Trump Jr., djali i ish-presidentit amerikan Donald Trump, nesër do të vizitojë për herë të dytë brenda dy muajve kryeqytetin serb, Beogradin.

Ai do të zhvillojë një takim dhe darkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa në orët e pasdites do të marrë pjesë në një forum biznesi të organizuar nga Oda Ekonomike e Serbisë dhe Klubi i Biznesmenëve. Sipas burimeve të gazetës Blic, Trump Jr. do t’i drejtohet të pranishmëve me një fjalim në këtë forum.

Lexo Edhe:

Vizita e tij në Beograd është pjesë e një turneu në Evropën Lindore, që përfshin gjithashtu Hungarinë, Bullgarinë dhe Rumaninë. Qëllimi kryesor është zgjerimi i lidhjeve të biznesit të familjes Trump në rajon, në kuadër të ngjarjeve me titullin “Trump Business Vision 2025”, raportoi dje Bloomberg.

Familja Trump ka treguar interes të veçantë për Ballkanin, veçanërisht për investime në Serbi. Kompania investuese Affinity Partners, e themeluar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka në plan ndërtimin e një hoteli luksoz dhe një kompleksi banimi në vendin e ish-Gjeneral Shtabit në Beograd. Projekti do të mbajë emrin “Trump” dhe është në bashkëpunim me Trump Organization, përmes një marrëveshjeje licence.

Kjo vizitë vjen në një kohë të ndjeshme politike në Serbi, kur presidenti Vuçiq përballet me protesta dhe një krizë të brendshme. Mediat ndërkombëtare, si The New York Times, kanë vënë në pikëpyetje motivet e këtyre vizitave, duke sugjeruar se ato mund të kenë edhe një qëllim politik – ndihmën ndaj Vuçiqit për të forcuar pozitën e tij dhe për të ndikuar në çështje të ndjeshme, siç është shtyrja e sanksioneve amerikane kundër rafinerisë NIS, e cila kontrollohet nga Gazpromi rus.