Një natë e plotë gjumi mund të djegë qindra kalori, duke i dhënë termit “gjumë bukurie” një kuptim krejt të ri.
Ndërkohë që trupi pushon gjatë natës, ai kryen një sërë procesesh si riparimi i indeve, konsolidimi i kujtimeve, ruajtja e energjisë dhe rregullimi i niveleve hormonale. Por ndërkohë, trupi gjithashtu djeg deri në 500 kalori gjatë gjumit – afërsisht sa një orë vrap.
Një studim i ri nga Welltech zbuloi se një person me peshë rreth 57 kilogramë (125 lbs) djeg rreth 38 kalori në orë gjumë, që përkthehet në 266 deri 342 kalori gjatë një gjumi prej 7–9 orësh.
Një person me peshë 68 kilogramë (150 lbs) djeg rreth 46 kalori në orë, ndërsa një person me peshë 84 kilogramë (185 lbs) djeg rreth 56 kalori në orë – për një total prej 392 deri 504 kalorish të djegura gjatë natës.
Sipas Dr. Cassidy Jenkins, eksperte e psikologjisë pranë Welltech, shpenzimi i kalorive gjatë gjumit varet nga norma bazale metabolike (BMR), e cila ndikohet nga faktorë si pesha, mosha, seksi dhe shëndeti i përgjithshëm.
Për të llogaritur BMR:
Meshkujt: 66 + (6.2 × pesha në paund) + (12.7 × gjatësia në inç) – (6.76 × mosha në vite)
Gratë: 655.1 + (4.35 × pesha) + (4.7 × gjatësia) – (4.7 × mosha)
Pastaj, BMR ndahet me 24 për të gjetur shpenzimin kalorik për orë dhe shumëzohet me orët e gjumit.
Përveç BMR-së, numri i kalorive të djegura ndikohet edhe nga masa trupore, përbërja e trupit, cilësia e gjumit dhe sëmundjet ekzistuese.
REM (faza e gjumit ku ndodhin ëndrrat) është faza ku digjen më shumë kalori. Aktiviteti i lartë i trurit në këtë fazë kërkon më shumë energji, duke bërë që edhe djegia kalorike të rritet.
Edhe pse digjja e deri në 500 kalorive gjatë gjumit është joshëse, Dr. Jenkins paralajmëron se kjo nuk duhet të zëvendësojë aktivitetin fizik të rregullt:
“Edhe pse këto shifra janë mbresëlënëse, ato nuk duhet të zëvendësojnë ushtrimet e përditshme. Përkundrazi, nënvizojnë rëndësinë që ka pushimi dhe rikuperimi për mirëqenien e përgjithshme dhe menaxhimin e peshës.”
Mungesa e gjumit mbetet një problem serioz: rreth 84 milionë amerikanë nuk arrijnë të flenë 7–9 orë në natë, ndërsa rreth 20 për qind e popullsisë fle pesë orë ose më pak. Kjo çon në nivele më të larta të kortizolit, rritje të urisë, metabolizëm të ngadalësuar dhe rrezik më të lartë për obezitet.
Për të përfituar maksimalisht nga gjumi:
Ruani një orar të rregullt të gjumit: Flini dhe zgjohuni në të njëjtën kohë çdo ditë.
Krijoni një mjedis të përshtatshëm për gjumë: Një dhomë e freskët (rreth 18°C), e errët dhe e qetë ndihmon për një gjumë më të thellë dhe më rikuperues.
Bëni aktivitet fizik gjatë ditës: Ushtrimet, veçanërisht ato me rezistencë, rrisin masën muskulore dhe BMR-në, duke rritur djegien e kalorive edhe gjatë gjumit.
Në fund, kujdesi për gjumin është po aq i rëndësishëm sa aktiviteti fizik për një shëndet optimal. /GazetaExpress/