Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, i dënuar në shkallën e parë, iu drejtua sot publikut pas vendimit të Përfaqësuesit të Lartë për të ndërprerë financimin nga buxheti për SNSD-në dhe “Ujedinjena Srpska”. Ai gjithashtu komentoi edhe përpjekjen për ta arrestuar.
Dodik sërish kritikoi ashpër Përfaqësuesin e Lartë, Christian Schmidt, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin dhe kompetencat e tij, dhe deklaroi se RS nuk do të respektojë asnjë vendim të tij.
Ai e quajti Schmidtin “guvernator të rremë” dhe “fashist”, duke theksuar se ligjet dhe vendimet që ai imponon bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe nuk kanë asnjë bazë juridike, shkruan klix.ba.
“Christian Schmidt nuk ka legjitimitet, nuk ka të drejtë dhe as kompetenca. Partnerët tanë boshnjakë i kanë pranuar kompetencat e tij sepse ai është kundër nesh në RS, por kjo dëmton më së shumti vetë ekzistencën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Asnjë shtet nuk mbijeton këtë lloj ndërhyrjeje”, tha Dodik.
Sipas tij, Republika Serbe, që përbën 49 për qind të territorit të BeH, nuk do të pranojë “imponime dhe narrativa të rreme” që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare, dhe paralajmëroi se institucionet e RS-së do të reagojnë duke pezulluar zbatimin e akteve të kontestuara dhe duke kërkuar një marrëveshje të re për të ardhmen e BeH.
Ai gjithashtu komentoi krizën politike aktuale dhe paralajmëroi rezistencë përmes institucioneve, duke dërguar një mesazh të ashpër se ndjekja penale e lidershipit politik të RS-së nuk do të kalojë pa pasoja.
“Çfarë mënyre është kjo, që papritur të procesohen presidenti, kryetari i Asamblesë Kombëtare, kryeministri, ministrat? Kush mendon se nuk do të mbrohemi, e ka gabim”, deklaroi separatisti serb.
Në fund, Dodik nuk i kurseu fjalët kur komentoi komunitetin ndërkombëtar dhe vendimin e Schmidtit për ndërprerjen e fondeve buxhetore për SNSD-në dhe “Ujedinjena Srpska” për shkak të politikave antidejtoniane.
“Çfarë budallenjsh mendjemëdhenj. Si është e mundur që disa parti politike të marrin fonde dhe të tjerat jo? Kjo është demokracia e tyre. S’më intereson as për të, as për vendimet e tij”, tha ai. /Telegrafi