string(33) "dodik-takohet-me-putinin-ne-moske"

Dodik takohet me Putinin në Moskë  

Lajme

Gazeta Express

01/04/2025 19:35

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje, Millorad Dodik, është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë më 1 prill.

Pas takimit, Dodik shkroi në X se Putini i tha që Rusia do të avokojë për ndalimin e punës së institucioneve ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë edhe punën e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

Lexo Edhe:

“Rusia është garantuese e marrëveshjes së paqes dhe Putin e tha këtë në takim. Ai shtoi se, në këtë kuadër, Rusia do të avokojë për përfundimin dhe ndalimin e punës së institucioneve ndërkombëtare, veçmas të Përfaqësuesit të rremë të Lartë, ose, siç i referohet ai, Përfaqësuesit jolegjitim”, tha Dodik.

Sipas Dodikut, ky ishte takimi i tij i 26-të me Putinin.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, paraprakisht kishte raportuar se një zëdhënës i Kremlinit ka thënë se presidenti rus ishte takuar me Dodikun.

Një ditë më herët, Dodik, politikan prorus, njoftoi se kishte arritur në Moskë, pasi Gjykata e Bosnje e Hercegovinës ka kërkuar lëshimin e një fletarrestimi ndërkombëtar për të.

Ai nuk tregoi se cili ishte qëllimi i vizitës së tij në Moskë, por shtoi se do të qëndronte në Rusi edhe më 9 maj, kur shënohet Dita e Fitores kundër fashizmit – ditë kur në Moskë pritet të mbahet një paradë e madhe ushtarake.

Më 27 mars, Gjykata e Bosnjës i kërkoi INTERPOL-it të lëshojë një “njoftim të kuq” për Dodikun dhe kryetarin e Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës”.

Ky vendim u mor pasi Dodik dhe Stevandiq u larguan nga Bosnja, duke shmangur procedurat e përcaktuara me ligj të kontrollit kufitar, në kohën kur ndaj tyre ishte lëshuar një fletarrestim qendror, që nënkupton se çdo agjenci policore duhet t’i dërgojë pranë gjykatës në Bosnje./REL