Drejtori ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, beson se futbolli gjerman po përballet me krizën më të madhe në historinë e vet, përderisa po tenton të përballet me pandeminë e koronavirusit.
Liga e Futbollit Gjerman (DFL) e konfirmoi të premten se të gjitha ndeshjet e Bundesligës dhe Bundesligës 2 janë suspenduar deri më 2 prill, shkaku i përhapjes së koronavirusit, transmeton Gazeta Express.
Ky lajmërim erdhi pas një njoftimi të mëparshëm se ndeshjet do të vazhdonin ashtu siç ishin planifikuar fillimisht – të luhen prapa dyerve të mbyllura. Megjithatë, ky vendim ishte kritikuar ashpër nga shumë persona, duke përfshirë këtu edhe nga ylli i Bayernin, Thiago Alcantara.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Dortmundit beson se problemi duhej të ishte zgjidhur në ndonjë mënyrë tjetër, përderisa klubet pritet të takohen të hënën për ta diskutuar mundësinë e shtyrjes të edhe ndeshjeve tjera.
“DFL-ja e ka marrë një vendim që duhet të respektohet, pa marrë parasysh faktin që kishte edhe opsione të tjerë. Ne duhet të punojmë së bashku me solidaritet dhe t’i diskutojmë të gjitha opsionet të hënën”, ka thënë Watzke.
“Megjithatë, varësisht nga çfarë vendoset të hënën, futbolli gjerman po përballet me krizën e vet më të madhe në histori. Ne vetëm mund të shpresojmë që klubet e Bundesligës të kenë punuar shumë gjatë viteve të fundit për t’i mbijetuar kësaj krize”.
“Në bazë të të dhënave të analizuara sot, Borussia Dortmundi nuk është në krizë ekzistenciale”. /Gazeta Express/