string(79) "duka-jep-detajin-ekskluziv-ne-favorit-brruti-ka-qene-edhe-me-heret-te-shqiperia"

Duka jep detajin ekskluziv në “Favorit”: Brruti ka qenë edhe më herët te Shqipëria

Sport

Gazeta Express

13/04/2025 21:49

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka folur ekskluzivisht në “Favorit” rreth situatës së Etnik Brrutit.

Ai ka thënë se secili shqiptar e ka derën e hapur te Shqipëria, derisa ka dhënë edhe një detaj rreth Brrutit, që pothuajse askush s’e ka ditur.

Lexo Edhe:

“Unë e kam thënë sa herë dhe po e rithem që politika e Federatës Shqiptare të Futbollit të paktën prej dy dekadash është politika e dyerve të hapura për çdo shqiptar, i cili dëshiron të kontribuojë për ekipin kombëtar shqiptar. E njëjta politikë ka qenë edhe për Etnik Brrutin dhe për gjithë të tjerët. Edhe pa dyshim që ne dëshirojmë që të paktën si zgjedhje të parë të kenë Kosovën ose Shqipërinë dhe jo ndonjë kombëtare tjetër”, ka thënë Duka.

Duka për “Favorit” ka thënë se Brruti më herët ka qenë te Shqipëria, ka kaluar te Kosova pastaj dhe tash është rikthyer përsëri te Shqipëria.

“Djali është i talentuar, realisht ka filluar futbollin me ekipet kombëtare të Shqipërisë, pastaj ka vendosur të vazhdojë me ekipet kombëtare të Kosovës dhe të kthehet përsëri në Shqipëri. Ne nuk i kemi thënë as në kohën që ka shkuar në Kosovë pse ke ikë dhe as në kohën që ka ardh në Shqipëri t’i mbyllim derën”, tha Duka.

“Ka edhe një pjesë të opinionit që e kundërshtojnë për më shumë sportivisht dhe për mendimin tim kanë dhe të drejtë sepse nga pikëpamja sportive, mbase skuadra e Kosovës dëmtohet. Por, politika jonë ka qenë, është dhe do të jetë po kështu, me dyer të hapura për çdo njeri që dëshiron të kontribuojë për Kombëtaren Shqiptare”, shtoi Duka./GazetaExpress/