Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka komentuar shancet e kombëtares së Kosovës në kampanjën kualifikuese për Botërorin e vitit 2026.
Duka ka folur ekskluzivisht në “Favorit”, duke thënë se grupi i Kosovës është mjaft i balancuar, me “Dardanët” që mund të përfundojë në vendin e parë, ose edhe të fundit.
“Kosova ka vërtet një grup të balancuar, ka një grup të përafërt me atë që kishte Shqipëria në Ligën e Kombeve, i cili përfundoi në vendin e fundit me 7 pikë, ku 7 pikë nuk i kishin bërë në tre grupet tjera bashkë, nga vendet e fundit dhe vendet që u ngjitën më lartë ishin me pikë të barabarta, dhe Kosova ka të njëjtën gjë”, tha Duka në “Favorit”.
Duka e lavdëroi edhe lojën e Kosovës, të treguar në dy ndeshjet ndaj Islandës.
“Mund të arrijë vendin e parë në atë grup me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë, por mund të arrijë edhe vendin e fundit. Duhet të ketë fat, duhet që t’i ketë futbollistët në gjendjen optimale gjatë zhvillimit të ndeshjeve, e ka filluar mirë pavarësisht se ishin ndeshje play-offi për Ligën e Kombeve këto të marsit, por me rezultate shumë bindëse, me lojëra vërtetë shumë të bukura, qoftë në Prishtinë apo qoftë në Spanjë, kundër Islandës”, shtoi ai./GazetaExpress/