Forenzika në vendin ku u gjet i vdekur inspektori i Komunës së Prishtinës - Gazeta Express
string(67) "dyshohet-se-inspektori-i-komunes-se-prishtines-u-vra-me-arme-zjarri"

Gazeta Express

19/12/2019 10:48

Forenzika në vendin ku u gjet i vdekur inspektori i Komunës së Prishtinës

Gazeta Express

19/12/2019 10:48

(I plotësuar , 11:45)- Një burrë ishte gjetur i vdekur në një pyll në afërsi të Liqenit të Badovcit mbrëmjen e së mërkurës. Prokuroria ka deklaruar për Express se sipas dyshimeve të para të bëra në vendin e ngjarjes, viktima ishte qëlluar me armë zjarri. Nërkohë Policia e Kosovës përmes një raporti ka konfirmuar zyrtarisht se bëhet fjalë për vrasje.

E në vendin e ngjarjes për t’i bërë të gjitha analizat e nevojshme kanë dalë zyrtarë të forenzikës si dhe të Policisë së Kosovës.

………………………

Dyshohet se inspektori i Komunës së Prishtinës u vra me armë zjarri

Mbrëmjen e së mërkurës në afërsi të Liqenit të Badovcit, në rrugën Graçanicë – Gjilan, është gjetur një person pa shenja jete. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se viktima ishte inspektor i Komunës së Prishtinës. Ndërkaq, Prokuroria ka thënë për Express se dyshimet e para janë se viktima është qëlluar me armë zjarri

“Në trupin e tij ka pasur plagë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Do të presim deri në raportin e mjekëve ligjorë për autopsi”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Po ashtu, Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, rastin e ka cilësuar si vrasje.

“Fshati Mramor, Prishtinë 18.12.2019-19:00. Raportohet se është gjetur pa shenja jete në pyll viktima mashkull K-Shqiptar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar ku shihet se viktima është qëlluar me armë zjarri. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse dhe prokurori publik”, theksohet në raportin e policisë.

Ndërkaq, edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në statusin e tij në Facebook ka thënë se inspektori N. Rr. është qëlluar me armë zjarri.  

“Mbrëmë Drejtoria e Inspeksionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit. Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli. Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë.

“Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë. Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës”, ka shkruar Ahmeti.

Ndërkaq, lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, i cili tha se janë duke u bërë hetimet e nevojshme për të mësuar shkaqet e vdekjes.

“Mund të ju konfirmoj që me datë 18.12.2019, rreth orës 21:50, në një distancë nga rruga Graçanicë – Gjilan, në pyll është gjetur një person vdekja e të cilit është konfirmuar nga ekipi i ambulancës. Njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti”, tha Hoxha. /Express/

Advertisement
Advertisement
Advertisement