Bazilika e Shën Marisë së Madhe ku Papa Françesku ka zgjedhur të varroset, është një kishë e shekullit të 5-të në zemër të Romës.
Papa argjentinas, i cili vdiq sot në moshën 88-vjeçare, tha në fund të vitit 2023 se donte të varrosej në bazilikën dhe jo në kriptën e Bazilikës së Shën Pjetrit, që do të ishte hera e parë në më shumë se tre shekuj që një papë varrosej atje.
“Menjëherë pas skulpturës së Mbretëreshës së Paqes (Virgjëreshës Mari) ka një gropë të vogël, një derë që të çon në një dhomë. E pashë dhe mendova: ‘ai është vendi.”
Në këtë bazilikë janë varrosur shtatë papë. I fundit ishte Klementi IX në vitin 1669. Është gjithashtu vendi i fundit i pushimit të disa figurave të tjera të famshme, si arkitekti dhe skulptori Bernini, i cili ndërtoi kolonadën në sheshin e Shën Pjetrit.
Jorge Bergoglio, i cili ishte shumë i lidhur me kultin e Virgjëreshës Mari, meditonte në bazilikën, e cila zyrtarisht është pjesë e territorit të Vatikanit, para dhe pas çdo udhëtimi jashtë vendit.
Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, ka vdekur sot në moshën 88-vjeçare.
“Të dashur vëllezër e motra, ju njoftojmë me pikëllim të thellë se Papa Françesku ka vdekur”, tha kardinali Kevin Farrell përmes një njoftimi në kanalin televiziv të Vatikanit.
“Në orën 7:34 mëngjesin e sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit”, tha ai.
Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.
Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.
Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.
Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar, dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.
Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë.
Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital./Periskopi