Paulo Dybala është bërë futbollisti i tretë i Juventusit që ka dalë pozitiv në testin për virusin Covid-19, pas Daniele Ruganit dhe Blaise Matuidit. Lajmin e bëri të ditur vetë futbollisti.
Ylli argjentinas i Juventusit, Paulo Dybala e shfrytëzoi llogarinë e tij zyrtar në rrjetin social Instagram për të bërë të ditur se ai dhe e dashura e tij, Oriana Sabatini, janë infektuar me koronavirus, transmeton Gazeta Express.
“Përshëndetje të gjithëve, unë vetëm dua të ju informoj se i kemi marrë rezultatet për testin e koronavirusit dhe të dy kemi dalë pozitivë. Për fat të mirë jemi në gjendje të përsosur. Faleminderit të gjithëve për mesazhet e juaja”, shkroi Dybala në Instagram.
Ata të dy janë në mesin e 6557 rasteve të reja të regjistruar me virusin Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit në Itali, që kanë qenë të vështira për vendin pasi që vetëm në këtë periudhë 24-orëshe kanë vdekur 793 persona të tjerë.
Dybala ishte detyruar vetëm para pak më shumë se 24 orëve t’i mohonte lajmet se ai është infektuar me koronavirus, pasi që për një gjë të tillë ishte raportuar në mediat kiliane, italiane dhe argjentinase.
Edhe Dybala e edhe e dashura e tij Sabatini kanë qenë të vetizoluar në shtëpinë e tyre në Torino që kur Rugani u bë lojtari i parë i Serisë A që doli pozitiv në testin për koronavirus më 11 mars.
Ky lajm i fundit e ka bërë edhe më të çuditshëm vendimin e Juventusit për t’i lejuar katër lojtarë të skuadrës të dalin nga shtëpia e madje edhe të largohen plotësisht nga Italia, duke mos i respektuar kështu rregullat për vetizolim. /Gazeta Express/