Njëlloj si Kampionati Evropian 2020, edhe Kupa e Amerikës është shtyrë për verën e vitit 2021, si pasojë e përhapjes së pandemisë koronavirus.
Sportet në gjithë botën janë pezulluar për kohë të pacaktuar, në përpjekje për ta shmangur përhapjen e kësaj sëmundjeje ngjitëse, e cila i ka vrarë mbi 7.500 njerëz në botë deri tani, transmeton Gazeta Express.
Kupa e Amerikës duhej të zhvillohej nga 12 qershori deri më 12 korrik 2020, në Kolumbi dhe Argjentinë.
Por, tani është vendosur që ky turne të zhvillohet në data të njëjta si Euro 2020, nga 11 qershori deri më 11 korrik 2021.
Vendimi u mor nga CONMEBOL, FIFA dhe UEFA.
“Dua t’i falënderoj Alejandro Dominguezin dhe CONMEBOL-in, të cilët janë pajtuar për zhvendosjen e Kupës së Amerikës, në mënyrë që të ndiqen udhëzimet e organizatave botërore të shëndetësisë”, ka thënë presidenti i UEFA-s Aleksandar Ceferin. /Gazeta Express/