Edhe në rigjykim, zyrtari i Komunës së Rahovecit dhe biznesmeni lirohen nga akuza për korrupsion - Gazeta Express
string(95) "edhe-ne-rigjykim-zyrtari-i-komunes-se-rahovecit-dhe-biznesmeni-lirohen-nga-akuza-per-korrupsion"

Edhe në rigjykim, zyrtari i Komunës së Rahovecit dhe biznesmeni lirohen nga akuza për korrupsion

Lajme

Gazeta Express

27/06/2024 14:18

Zyrtari i Komunës së Rahovecit, Astrit Mullabazi, dhe biznesmeni Tahir Bala janë shpallur sërish të pafajshëm nga akuzat për korrupsion dhe mashtrim me prokurim.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të enjten nga gjykatësi Drilon Haraçia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Mullabazi akuzohej se, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së menaxherit të Prokurimit në Komunën e Rahovecit, kishte mundësuar në mënyrë të kundërligjshme që një operator ekonomik të fitonte tre tenderë në Komunën e Rahovecit, me një vlerë mbi 100 mijë euro. Ndërsa, biznesmeni Tahir Bala, pronari i kompanisë që fitoi këto tenderë, akuzohej për mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktgjykimit, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Për dy të akuzuarit, Themelorja më 14 gusht 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues, mirëpo ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Aktakuza ndaj Mullabazit dhe Balajt ishte ngritur më 1 mars 2022.