Qeverisë së Kosovës po i bëhet thirrje për heqjen e tarifave që kanë qenë të vendosura ndaj mallrave të SHBA-së pasi Administrata Trump i vendosi tarifë prej 10% mallrave kosovare që shkojnë në SHBA.
Këtyre thirrjeve i është bashkuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, e cila tha se “e mbështet fuqishëm” thirrjen e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave doganore për mallrat amerikane.
“Kjo thirrje fuqizon thirrjen tonë për pezullimin e tarifave doganore për mallrat amerikane dhe nënvizon rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është një hap i rëndësishëm për të avancuar tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar”.
Oda Ekonomike e Kosovës tha se konsideron se heqja e tarifave doganore për produktet amerikane do të hapte mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe do të kontribuonte në rritjen e mundësive të tregtisë dhe investimeve.
“Ky veprim do të forconte marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe do të shënonte një hap të madh drejt një tregtie më të lirë”.
“Oda Ekonomike e Kosovës beson se veprimet që forcojnë lidhjet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht ato që janë të bazuara në interesa të përbashkëta dhe vlera ekonomike, janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Në këtë kuadër, Oda Ekonomike e Kosovës fton Qeverinë e Kosovës që të veprojë shpejt dhe të marrë vendimet e duhura që do të mundësojnë heqjen e tarifave doganore dhe avancimin e partneritetit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Edhe Oda Ekomomike Amerikane në Kosovë pati një thirrje të tillë.
Po ashtu, nga opozita kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i bëri thirrje Qeverisë që të veprojë në këtë drejtim.
Po ashtu, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council – AARC) përveç Kosovës i bëri thirrje që të heqin tarifat ndaj SHBA-së edhe vendet e tjera të rajonit: Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut./Express/