string(107) "ekskluzive-evidentohen-parregullsi-edhe-ne-kuvendin-e-punes-se-ffk-se-nga-komisioni-i-ministrise-se-sportit"

Ekskluzive: Evidentohen parregullsi edhe në Kuvendin e Punës së FFK-së nga Komisioni i Ministrisë së Sportit

Futboll

Gazeta Express

24/04/2025 17:40

Federatës së Futbollit të Kosovës i kanë dalur probleme të reja me shtetin, respektivisht me Komisionin Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive, pranë Ministrisë së Sportit. Ky komision ia ka dërguar një shkresë FFK-së, të cilën e ka siguruar Gazeta Express, e në të cilën e ka njoftuar me një sërë parregullsish që i ka identifikuar në Kuvendin e Punës që FFK e mbajti më 5 shkurt të këtij viti.

Ndër të tjera janë evidentuar parregullsi statutore, parregullsi në numrin e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, është evidentuar se në Kuvend kanë votuar përfaqësues të dy klubeve të futbollit, që nuk janë të licensuara, e po ashtu përmenden probleme harmonizimi me Lidhjet Rajonale të Futbollit.

Lexo Edhe:

“Sipa procesverbalit të Federatës së Futbollit të Kosovës, të datës 05.02.2025, nuk është paraqitur ndryshimi i përbërjes së Komitetit Ekzekutiv, i cili deri në atë datë ka qenë me përbërje deri në 13 anëtarë. Megjithatë, në Statutin e miratuar po atë ditë, neni 39 i Statutit të FFK-së “Përbërja” ka ndryshuar në “deri në 14 anëtarëe”, por ky ndryshim nuk është reflektuar në procesverbal, duke krijuar një mospërputhje të dokumenteve zyrtare”, thuhet në shkresën e Komisionit drejtuar FFK-së.

“Në Kuvendin e FFK-së të datës 05.02.2025 kanë qenë pjesë e kuvendit edhe dy klube që nuk janë të licensuara (KF Istogu dhe KF Besa – Pejë), çka përbën shkelje të UA 01/2022”, thuhej në vazhdim të shkresës.

Gjithashtu, ky komision në letrën dërguar Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Lidhjeve Rajonale, thekson që klubet dhe shoqatat që janë anëtarë direkt të FFK-së, nuk mund të jenë njëkohësisht edhe përfaqësues me të drejtë vote në Kuvendet e Lidhjeve Rajonale të Futbollit.

“Lidhjet Rajonale të Futbollit, Shoqatat Profesionale të Futbollit, Klubet që marrin pjesë në Superligë dhe Ligën e Parë, janë anëtare direkt të FFK-së, ndërsa anëtarët tjerë janë anëtare jo të drejtpërdrejtë të FFK-së, domethënë janë të lidhur me një Lidhje Rajonale të Futbollit”, thuhet në këtë shkresë.

Në fund të shkresës, KVLFS rekomandon që neni 39 i Statutit të FFK-së të ndryshohet dhe plotësohet.