I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se sot është mbajtur takimi i gjashtë i grupit punues në Bruksel lidhur me çështjen e targave.
Lajçak, në njoftimin e publikuar në Twitter, ka thënë se ekspertët e Bashkimit Evropian kanë asistuar delegacionet nga Kosova dhe Serbia për ta gjetur mirëkuptimin për këtë çështje.
Ai ka thënë që është koha e fundit që të arrihet marrëveshja lidhur me targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Express.
“Ndërkohë, delegacionet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia janë takuar sot në Burksel për takimin e gjashtë të grupit punues për targat. Ekspertët e BE-së asistuan të dyja delegacionet për të gjetur të gjitha opsionet ekzistuese sikurse edhe implikimet e tyre teknike. Është koha për t’u aktivizuar në mënyrë që të gjendet mirëkuptimi mes palëve”, ka shkruar Lajçak.
In the meantime, expert delegations of Kosovo & Serbia met in Brussels today for the 6th meeting of the WG on Licence Plates. EU experts assisted both delegations in identifying all existing options & their technical implications. It’s time now to engage in finding common ground.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 11, 2022
Në shtator të vitit 2021, delegacionet nga Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje të përkohshme në Bruksel për çështjen e targave të veturave, për de-eskalimin e situatës së tensionuar, pasi që Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të ndalonte hyrjen e veturave me targa serbe në territorin e Kosovës.
Kjo marrëveshje kishte të bënte me vendosjen e stikerëve mbi simbolet shtetërore në targat e veturave që mbanin regjistrimet e Kosovës dhe Serbisë kur ndodheshin në territoret e njëra-tjetrës. Megjithatë, tani është duke u kërkuar një zgjidhje e përhershme dhe normale për këtë çështje në Bruksel.