Një dermatologe e njohur ka ngritur alarmin se shumë njerëz po rrezikojnë jetën e tyre duke e ngatërruar një formë të rrezikshme të kancerit të lëkurës me një pickim të zakonshëm insekti.
Në një video që është parë mbi 300,000 herë në Instagram, Dr. Aleksandra Brown – eksperte e lëkurës me bazë në Virxhinia të SHBA-së – paralajmëroi për karcinomën e qelizave skuamoze (Squamous Cell Carcinoma), që është forma e dytë më e zakonshme e kancerit të lëkurës.
Më shumë se 25,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen me këtë lloj kanceri çdo vit. Megjithëse është shumë i shërueshëm në fazat e hershme, nëse zbulohet vonë, mund të përhapet në pjesë të tjera të trupit dhe të bëhet shumë më i vështirë për t’u trajtuar.
“Shumë pacientë vijnë duke menduar se kanë një cist, një ferrë të vogël nën lëkurë, ose thjesht një pickim merimange që është bërë i ndjeshëm,” tha Dr. Brown.
Por nëse keni një pikë të dhimbshme në një zonë të ekspozuar ndaj diellit që nuk largohet brenda dy javësh – ka shumë gjasa të mos jetë asnjëra nga këto.
“Ka të ngjarë të jetë një karcinomë e qelizave skuamoze. Shkoni menjëherë tek një dermatolog për biopsi,” thekson ajo, transmeton GazetaExpress.
Si duket ky kancer në lëkurë?
Sipas Shoqatës Britanike të Dermatologjisë, ky lloj kanceri:
Zakonisht është i ngritur dhe me sipërfaqe të ashpër, me luspa apo kore.
Mund të jetë i dhimbshëm ose i ndjeshëm në prekje.
Nën sipërfaqe mund të ketë një plagë të vogël që gjakoset lehtë – por jo gjithmonë.
Më shpesh shfaqet në zonat e ekspozuara ndaj diellit si fytyra, veshi, buzët, qafa dhe duart.
Kush është më në rrezik?
Sipas British Skin Foundation, grupet më të rrezikuara përfshijnë:
Personat me lëkurë të çelët që digjet lehtë nga dielli.
Imunosupresivët – persona me imunitet të dobësuar (nga sëmundje si HIV ose trajtime me ilaçe të forta).
Punonjësit që kalojnë shumë kohë në ambient të hapur.
Si mund të parandaloni rrezikun?
Dr. Brown dhe NHS rekomandojnë:
Përdorimin e përditshëm të kremit mbrojtës me SPF, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj diellit.
Veshje mbrojtëse, si këmisha me mëngë të gjata dhe kapela me strehë të gjerë.
Qëndrimin në hije ndërmjet orës 11:00 dhe 15:00, kur rrezet UV janë më të forta.
Lajm i mirë: nëse kapet herët, shansi për mbijetesë është 99%
Studimet tregojnë se kapja e hershme e karcinomës së qelizave skuamoze ofron 99% shanse mbijetese për pesë vjet – por vetëm nëse njihet dhe trajtohet në kohë. /GazetaExpress/