Në Galerinë Kombëtare të Kosovës vazhdon të jetë e hapur ekspozita ‘Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjjokajt’, e cila prezanton më shumë së 90 vepra të piktorit, që datojnë nga vitet e 60-ta të shekullit të kaluar
Nga Donjeta Abazi
Dy katet e Galerisë Kombëtare të Kosovës mbajnë të ekspozuara tri etapa të Gjokajt, duke filluar nga imazhet e hershme të artit të tij, që iu referohen kujtimeve të adoleshencës së artistit nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjelosh Gjokaj ka lindur më 25 korrik 1933 në Mal të Zi. Rrjedh nga një familje e njohur shqiptare, të kreut te njohur malësor Baca Kurt Gjokajt. Shkollën e mesme industriale e përfundoi në Novi Sad, ndërsa në Pejë dy vite të shkollës së artit. Për një kohë të shkurtër jep mësim në Negotin, prej ku, në vitin 1958, shkon në Beograd. Duke u njohur si talent, ai pa arsimim të mesëm të plotë regjistrohet në Akademinë e Arteve Pamore. Përcaktohet për pikturë, për të diplomuar ne sektorin e grafikës te profesori Boshko Karanoviq, më 1963.
Në periudhën 1964/1969 punon si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ku ishte njëri nga nismëtarët për themelimin e Fakultetit të Arteve (1973).
Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës, Akademisë Duklane të Shkencave dhe Arteve, Shoqatës së artistëve pamorë të Malit te Zi (që nga viti 1981), Shoqatës së artistëve të Serbisë (që nga 1965) dhe Akademisë së Shkencave, Letërsisë dhe Arteve në Palermo.
Në mesin e punimeve të artistit, pjesë të ekspozitës ishin edhe dy elemente të rëndësishme, një televizor që transmetonte pamje arkivore të një interviste të Gjokajt dhe një numër faqesh të gazetave ditore që po ashtu mbanin materiale ose intervista të artistit.
Në njërën nga këto të përditshme, Gjokaj ndër të tjera ishte shprehur kështu: “Arti është një shprehje shpirtërore, një filozofi personale e artistit, kaq e fuqishme sa që, për shembull me ma ndalue dikush artin është si me vdekë. Kam ruajtur në mendje përfytyrimin e krijuar nga tymi, muri i bardhë e mishi që terej. Kam marrë me vete edhe ngjyrat e bukës që gatuante e piqte nëna, atë ngjyrën e verdhë dhe pak si të kuqërremtë të korës, madje edhe erën e bukës.”
Kur i kombinojmë pamjet e pikturave të Gjokajt dhe kësaj pjese të intervistës, marrin kuptim të dyja në mënyrë perfekte. Gjokaj punonte dhe kishte marrë me vete kudo elemente të fëmijërisë së tij, elemente të ambientit në të cilin ishte rritur, autenticiteti i artistit vërehet lehtë në punimet sidomos të periudhës së parë, por edhe në tjerat pasuese. Pjesë të veprave të Gjelosh Gjokajt janë elemente të jetës që ne e njohim, kafshë shtëpiake, sofra me shumë të pranishëm, fëmijë etj.
Ama jo veç periudha e fëmijërisë dhe elementeve që artisti mbajti me vete dhe i barti në krijimtarinë e tij, janë pjesë të kësaj ekspozite. Gjokaj na flet edhe për periudhën e viteve 70-ta dhe 80-ta, një periudhë e cila identifikohet me ide më të mëdha së nostalgjia e tij.
Kuratori i ekspozitës Shkëlzen Maliqi, periudhën e këtyre viteve, në punimet e Gjokajt e shpjegon kështu:
“Imazhet e artit të hershëm Gjokajt u referohen kujtesave adoleshente të tija nga Lufta e Dytë Botërore, por gjejnë vazhdimësi anksioze edhe që trajtojnë kërcënimet katastrofike të Luftës së Ftohtë nga mesi i shekullit XX që kërcënonte me shpërthim të luftës bërthamore dhe asgjësimin e njerëzimit. Ky ndikim devijues i teknicizmit të keqpërdorur më veprat e viteve 70-ta dhe 80-ta të Gjokajt sikur trajton një teme aktuale edhe sot, mbi sfidën që njeriut i vjen nga robotët me inteligjencë artificiale. Në këtë aspekt pikturat e Gjokajt replikojnë përmes imazheve tematizimin heidegerian të sfidave të njerëzimit modern. Filozofi gjerman Martin Heidegger në vitet e 50-të shkruante mbi “të shkretuarit e tokës” dhe “shndërrimin e njeriut në lëndë të parë” ose “në subjekt shfrytëzimi”. Seria me buste dhe “koka që mbijnë” të Gjokajt, ku ai skicon imazhe groteske të riparimit apo rindreqjes shkel e shko të njeriut, duken sikur ilustrime të diskursit heidegerian.”
Pastaj i kthehemi serish vendlindjes, ama dokumentimeve atdhetare, mesazheve të rëndësishme për atdheun, kësaj here. Në njërën nga veprat e Gjokajt ne shohim dy personazhe në kuadër më të gjerë dhe mbi kokat e tyre një pjesë fshati, një fshat i cili po boshatiset, njerëzit aty po ikin, po largohen, me vete kanë edhe kafshët edhe ato pak pasuri që i kanë ruajtur. Njëjtë siç thotë edhe poeti Podrimja “Pra, vizionariteti është veti e krijuesve të mëdhenjë. Ata jetojnë me të ardhmen.”
Në ciklin e punimeve të viteve 80-ta, Gjokaj paraqet fatin e Mbishkodrës, të ardhmen e vendit të tij, një të kaluar që e dinte dhe një të ardhme që nuk premtonte shumë, pos largimit.
Elementet e punimeve të artistit gjatë asaj periudhe, identifikohen lehtë, pjesë e pandashme e tyre është shamia, si identifikues i një kulture, të një populli, të grave të atij vendi.
“Dhe, kur ajo shami e djepi, ajo kokërr molle në shuplakën e fëmijës, pakëz lustrative në të parë, nuk janë të rastësishme, atëherë kemi të bëjmë me shpërbërje, boshatisje përmasash të një tragjedie kolektive. Shkaku dihet, po ashtu, dhe fajtori. Krijuesi bën të mbetet vetëm spektator?”, shkëputur nga “Vizionariteti krijues” i Ali Podrimjes.
Një shpjegim tjetër është edhe ai mbi kafshët dhe natyrën, një pikturë në hyrje të ekspozitës na paraqet një pamje të tillë. Elemente tjera të punimeve të Gjokajt janë padyshim edhe kafshët, ani pse pjesa më e madhe e punimeve mbajnë në vete portrete, koka të njerëzve.
“Për shembull, folëm për Cemin, lumin e vendit tim, që më nxiti ta lidh njeriun me gurin dhe me fosilet nga lumi. Kur e shoh njeriun, apo kafshën para këtyre shpellave, ata bëhen pjesë përbërëse e gurit dhe natyrës…”, nga Monografia e Gjelosh Gjokajt.
Për shkaqe familjare, në vitin 1983/84 Gjelosh Gjokaj largohet nga Italia dhe vendoset në Augzburg, në Gjermani, ku jeton dhe vepron deri në fund të jetës. Si artist i famshëm me reputacion ndërkombëtar, emërohet profesor në Fakultetin e Arteve Pamore në Cetine. Në vitin 2000 ai e hapi ekspozitën e tij personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
/Gazeta Express