string(65) "ekspozita-arti-pamor-si-rezistence-se-shpejti-ne-open-art-gallery"

Arte

Gazeta Express

28/04/2025 15:54

Ekspozita “Arti Pamor si rezistencë” së shpejti në Open Art Gallery

Arte

Gazeta Express

28/04/2025 15:54

Më 7 maj hapet ekspozita, Esat Valla- “Arti Pamor si rezistencë” kuruar nga Zeni Ballazhi në ‘Open Art Gallery’.

Gjatë viteve 1981–1999, Kosova përjetoi një nga periudhat më të errëta të historisë së saj moderne, kur popullata shqiptare u përball me shtypjen sistematike nga regjimi serb. Përballë censurës dhe përjashtimit nga galeritë e kontrolluara nga shteti, artistët krijuan forma alternative të shprehjes. Ata përdorën artin si gjuhë të heshtur proteste, përmes së cilës dëshmuan dhunën, shpërnguljen dhe luftën për ruajtjen e identitetit kombëtar. Kjo periudhë, e krahasuar shpesh me aparteidin, u karakterizua nga përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet publike, cenimi i të drejtave të njeriut dhe shtypja e identitetit kombëtar. Në këtë kontekst të errët, arti pamor në Kosovë mori një rol të jashtëzakonshëm si mjet rezistence, dëshmie dhe mbijetese kulturore.
Esat Valla – i njohur për stilin ekspresiv dhe simbolikën e thellë.
Kthesa e madhe në pikturën e Esat Vallës erdhi në dekadën e tetë të shekullit të 20-të. Në këtë kohë ai pikturoi kompozimet: “Thyerje qetësie”, “Fluturat dhe demonët”, “Rënja e brinjëve”, “Sulmi i demit dhe goma”, “Dashi kurban”, “Shkëputja”, “Demi i lënduar”, “Dama”, “Fosilet e dhisë”, “Demolimi i fakultetit teknik”, “Brinjët”, “Flutura gomë”, “Kokat”, “Koka e kaltërt”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “R&N”, “Sulmi i kokëboshëve” etj.
Keqtrajtimi dhe torturimi i shqiptarëve në Kosovë, duke filluar nga viti 1990 deri në vitin 1999, përbëjnë idenë bazë të këtij cikli nga Esat Valla, si dhe ngjyrat dominuese të kuqe, të zezë, të bardhë dhe të kaltërt që shprehin zymtësinë dhe dëshpërimin e popullit të Kosovës me shpresën për një të ardhme më të mirë.
Faza e hershme (1990-1999) është vazhdimësi e fazave të mëparshme, por dallon në trajtimin e motiveve dhe ngjyrave. Kjo periudhë fillon në dekadën e tetë të shekullit të kaluar, vit i mbushur me ngjarje shqetësuese, dramatike, me kohë të vështira për Kosovën. Viti 1989 arriti kulmin e situatës së vështirë, e cila preku edhe shpirtin e piktorit.
Temat kryesore të veprave të artit në këtë periudhë të krijuara nga Esat Valla janë:
• Dhuna dhe represioni: Vepra që pasqyronin brutalitetin policor dhe frikën kolektive si: “Thyerje qetësie”, “Sulmi i demit dhe goma”, “Dashi kurban”, “Demi i lënduar”, “Flutura gomë” etj.
• Shpërnguljet dhe mungesa e lirisë: Kompozime me figura të mbyllura, të thyera apo të errësuara si: “Shkëputja”, “Fosilet e dhisë”, “Demolimi i fakultetit teknik” etj.
• Identiteti dhe kultura shqiptare: Përdorimi i simboleve kombëtare, motiveve folklorike dhe elementeve tradicionale si shenjë e qëndresës kulturore: “Kokat”, “Koka e kaltërt”, “Dashi”, “Demonët” etj.
• Shpresa dhe mbijetesa: Përkundër vuajtjes, disa vepra përçuan mesazhe shprese, ringjalljeje dhe besimi në liri: “Fluturat dhe demonët”, “Lumi amshuar”, “R&N”, “Sulmi i kokëboshëve” si dhe pjesa e cikleve të fundit si faza në tranzicion etj.
E ndjeu ngjyrën si një pasion dhe një dinamikë të gjallë që mbetet si simbol i fatit njerëzor. Kjo vihet re në kompozimet e dhjetëvjeçarit të fundit. Të gjitha këto tema kanë përjetime psikike, por me një tonalitet më të sinqertë, ku ndihet një simbolikë për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për njeriun, për personazhet e tij. Zakonisht në mes të kompozicionit ai paraqet një personazh simbolik pothuajse të copëtuar të mbushur me shumë histori, që shquhen me një ndjeshmëri psikologjike me një dramë jetësore, si dhe me një paraqitje shprehëse.
Në optikën e tyre u shpreh koha dhe njeriu shqiptar në lëngatat dhe tjetërsimet historike, sociale, politike, kulturore, shpirtërore; u shpreh vetëkoha dhe proceset evolutive, kthesat e forta dhe transformimet, hutimet dhe qëndresat, kontinuiteti dhe ndërprerjet, e vogla dhe e madhja, dramatikja dhe komikja, tragjikja dhe groteskja, e madhërishmja dhe sarkastikja, e bukura dhe e shëmtuara, një pafundësi antinomish e kontrapunktesh.
Imazhet e kultivuara të Esat Vallës, gjysmë figurative dhe gjysmë abstrakte, mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë tejet individuale dhe ku ndjeshmëria tonale kthehet tërësisht në vlerë surreale. Pikturat karakterizohen nga një përcaktim më i madh i kontureve lineare, nga një përcaktim plastik më rigoroz. Ai ka një shije të veçantë në përcaktimin e kompozimeve, mjeshtërisë dhe elegancës, një shije që e ka trashëguar nga studimet e tij deri më sot.
Arti pamor i kësaj periudhe sot përfaqëson një dokument të gjallë të historisë, një pasqyrim të fuqishëm të qëndrueshmërisë përmes estetikës dhe ndjeshmërisë, mjeshtërisë dhe elegancës.
Esat Valla vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe të ruajë kujtesën kolektive të një kohe të vështirë, por edhe krenarinë dhe dinjitetin njerëzor.

Lexo Edhe:

Zeni Ballazhi, kurator