Miliarderi kontrovers ka ofruar një çmim unik për adhuruesit e basketbollit.
Çdo mars, basketbolli kolegjial merr vëmendjen kryesore në peizazhin sportiv amerikan.
March Madness, turneu i NCAA-së, njihet si një nga garat më emocionuese dhe të paparashikueshme në botën e sportit.
Ndryshe nga NBA-ja – ku faza e “playoff”-eve zhvillohet me seri të formatit më të mirë nga shtatë ndeshje për të përcaktuar kampionin – March Madness është një turne eliminimi direkt me një ndeshje të vetme.
Kjo do të thotë se jo vetëm që NCAA nxjerr në pah talentet më të mira që pritet të shkojnë në NBA – siç është Cooper Flagg, i cili aktualisht luan për Duke Blue Devils dhe pritet të jetë zgjedhja Nr.1 në draftin e ardhshëm – por gjithashtu krijon mundësinë që ekipet e vogla të sfidojnë gjigantët e basketbollit, duke prodhuar befasitë e mëdha që janë kthyer në një simbol të këtij turneu.
Dhe çdo vit, miliona fansa ndjekin turneun duke krijuar parashikimet e tyre për të gjitha fazat e garës. Por të parashikosh me saktësi të gjitha shtatë rundet është pothuajse e pamundur.
Në fakt, askush nuk e ka arritur ndonjëherë. Shanset për të plotësuar një parashikim perfekt për March Madness – edhe për dikë me njohuri të thella për basketbollin kolegjial – janë vlerësuar rreth 120 miliardë me një.
Por nëse dikush arrin këtë arritje të pabesueshme këtë vit, Elon Musk dhe platforma e tij X kanë ofruar një shpërblim shtesë të jashtëzakonshëm.
Rrjeti social i drejtuar nga njeriu më i pasur në botë është bashkuar me Uber Eats për sfidën “X Bracket Challenge”.
Fituesi – nëse do të ketë një të tillë – do të ketë mundësinë të shkojë në Mars në një mision të ardhshëm të SpaceX.
“Nuk po organizojmë thjesht një sfidë të zakonshme, por po e rishkruajmë mënyrën se si fansat lidhen, konkurrojnë dhe ëndërrojnë më madhështor se kurrë, në një platformë që tashmë është zemra e kulturës sportive në kohë reale,” tha Andrew Musk, vëllai më i vogël i Elonit dhe inxhinier kryesor i produktit në X.
Megjithatë, për ata që nuk dëshirojnë të rrezikojnë jetën në një mision për në Mars – i cili aktualisht është krejtësisht hipotetik – ekziston një paketë alternative çmimesh që përfshin 250,000 dollarë, një vit shërbim falas të internetit Starlink dhe mundësinë për të stërvitur si një astronaut në qendrën e SpaceX.
Dhe duke marrë parasysh sa e vogël është mundësia për dikë që të parashikojë një “bracket” perfekt, do të jepet edhe një shpërblim prej 100,000 dollarësh për personin që ka bërë parashikimin më të saktë. /GazetaExpress/