Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se LDK-ja është tradhtuar disa herë, ka të drejtë që kërkon marrëveshje për presidentin.
Hasani tha se marrëveshja nuk është juridike dhe nuk obligon me domosdoshmëri votimin e asaj për të cilën zotohen dy partitë.
“Kjo nuk do të thotë se nuk e tradhtojnë prapë. Marrëveshja politike nuk është juridike dhe nuk obligon me domosdoshmëri votimin e atij për të cilin zotohen”, tha ndër të tjera Enver Hasani.
Po ashtu, Hasani tha se sistemi zgjedhor në Kosovë duhet të ndryshohet për të evituar situatat që lënë vendin pezull.
Hasani ka thënë se disa Kushtetuta tjera siç është ajo e Maqedonisë Veriore e lejojnë që partitë tjera përjashtuar partinë e parë që ka dalë në zgjedhje, të formojnë qeverinë por, sipas tij, në Kosovë kjo nuk lejohet në bazë të Kushtetutës.
Ai ka thënë se edhe nëse ekzistojnë nënshkrime për të formuar shumicën nga partitë tjera jashtë Vetëvendosjes “është paragjykim se ata do ta votojnë qeverinë dhe kryeministrin tjetër”.
“Ku e dimë ne nëse ata deputetë që nënshkruajnë do ta votojnë shumicën tjetër”.
Hasani ka sqaruar se partia që ka dalë e para në zgjedhje, në këtë rast Vetëvendosja, ka të drejtë të propozojë edhe një kandidat të dytë për kryeministër nëse i pari dështon të marrë shumicën e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese që në kohën e VLAN-it rrëzoi Isa Mustafën nga posti i kryetarit të Kuvendit, thotë se nga viti 2014 gjithçka është e qartë kush e ndërton qeverinë dhe, sipas tij, më askush nuk ka provuar të veprojë ndryshe.