Epistula e javës/ Demosteni: Letër Filipit - Gazeta Express
string(40) "epistula-e-javes-demosteni-leter-filipit"

Arte

Gazeta Express

29/06/2024 19:50

Epistula e javës/ Demosteni: Letër Filipit

Arte

Gazeta Express

29/06/2024 19:50

Demosteni (384 322), politikan, orator, kundërshtar i madh i Filipit II të Maqedonisë dhe njëri prej dhjetë oratorëve të mëdhenj atikë, po ashtu njëri prej oratorëve më të famshëm të të gjitha kohërave

LETRA E FILIPIT

Lexo Edhe:

Nga Demosteni

Nga mometi që – pavarësisht dërgatave të mia të vazhdueshme përkitazi me respektimin e ujdive – ju këmbëngulni në qëndrimin tuaj, e vlerësoj të domosdoshme t’ju shkruaj për padrejtësitë që mendoj se i kam pësuar. Të mos ju habisë gjatësia e letrës, ankesat janë të shumta dhe është e domosdoshme qartësia e plotë rreth gjithçkaje.

E para: kur kumtari Nici qe rrëmbyer në territorin tim, jo vetëm që nuk i ndëshkuat fajtorët, por madje e mbajtët viktimën për dhjetë muaj, për më tepër i lexuat para asamblesë letrat e mia1, prurës i të cilëve ishte ai. E dyta: kur tasët i mirëpritën trirremëshet e Bizantit dhe piratët2, e injorove këtë gjë, sado që traktati e përcaktonte qartë se ai që bën një gjë të tillë duhet të konsiderohet armik. E treta: Pak a shumë në këtë periudhë Diopiti, pasi që hyri në territorin tim, e pushtoi Krobylin dhe Tiristasin, i shkretoi territoret fqinje të Trakës dhe në fund shkoi deri në atë deregje banditllëku sa e vuri në zinxhirë Amfilokun – i cili kishte ardhur si ambasador t’i lironte të burgosurit – dhe i shkaktoi trazimet më të rënda, duke prentenduar në fund një shpagaesë prej nëntë talentësh. Dhe gjithë këtë e ka bërë me mbështetjen e dekreteve të asamblesë suaj!

E megjithatë shkelja e prerogativave të kumtarëve dhe ambasadorëve, të gjithëve – po parasëgjithash juve – u duket e patenzonë: nëse është e vërtetë se, kur megarezët vranë Anthemokritin3, asambleja juaj mori masa ekstreme: i përjashtoi megarezët nga misteret dhe ngreu në portën e qytetit një statujë në kujtim të asaj ligësie. Mirë pra, si të mos e dënoj atë se jeni ju tash ai që po i bën këto ligësi, për të cilat dje aq shumë e urrenit atë që i kishte bërë në kurrizin tuaj? Nga ana tjetër, Kalia, strategu i dërguar nga ju, i pushtoi të gjitha qytetet e gjirit të Pegasit4, edhe pse ishit betuar se s’do ta bënit dhe ishin aleate të miat, e të gjithë ata që lundronin drejt Maqedonisë i shiste të gjithë si skllevër, duke i trajtuar si armiq: e për këtë gjest ju e lavdëruat në dekretet tuaja. Kësodore pyetem çka do të më bëjë vaki tjetër, kur të më shpallni luftë: se kur ishim në mospajtim të hapur, i dërgonit piratët kur mbretërisë sime dhe i shisnit si skllevër udhëtarët që vinin në Maqedoni, u jepnit ndihmë armiqve të mi dhe bënit inkursione në territorin tim.

Por, veç kësaj, keni arritur në një pikë të tillë banditizmi dhe armiqësie ndaj meje sa të dërgoni ambasadorë te mbreti i Persisë për ta nxitur të hyjë në luftë kundër meje. E mbi të gjitha kjo gjë më habit. Duke qenë se, para se ai ta pushtonte Egjiptin dhe Fenikinë5, ju votuat një dekret, sipas të cilit, në rast të kërcënimit persian, do të kërkonit ndihmë tek unë dhe te grekët e tjerë, kundër tij. Ndërsa tash te ju tallanditet deri në atë masë urrejtja ndaj meje sa nënshkruani marrëveshje me të për një aleancë mbrojtëse. E megjithatë, në kohën e tyre, paraardhësit tuaj, kështu kam dëgjuar, ua përplasnin për surrati pisistraditëve që i nxisnin persianët kundër Greqisë6: pra, nuk po turpëroheni të bëni pikërisht atë për të cilën i qortonit vazhdimisht tiranët.

Po tamam, në dekretet tuaja më urdhëroni t’i lë Teresin dhe Kersobleptin7 ta qeverisin Trakën, si athinas. Ndërsa unë e di se ata, jo vetëm që nuk kanë marrë pjesë në traktatin e paqes me ju, po as që janë përmendur në stela dhe nuk janë fare athinas: bile për Teresin e di që ka luftuar krah meje kundër jush, dhe për Kersobleptin se donte t’u betohej ndaras për paqe ambsadorëve të mi por ishte penguar nga strategët8 tuaj, që deklaruan se bëhej fjalë për një armik të Athinës. Dhe është krejtësisht e padrejtë, kur ju konvenon të thoni se është armik i qytetit, por ta shpallni qytetar tuajin për të më përgojuar! dhe analogjikisht, me vdekjen e Sitalkut9 – të cilit ia keni dhënë nënshtetësinë – dhe të lidhni aleancë menjëherë me atë që e kishte vrarë, ndërsa për Kersobleptin të hapni luftë kundër meje. E kjo, edhe duke e ditur se anjëri prej atyre që ju u bëni homazhe të këtilla nuk u kushton asnjë rëndësi ligjeve dhe vendimeve tuaja. Pra, për t’i rënë shkurt duke i lënë anash të gjitha rastet e tjera, ju ia keni dhënë nënshtetësinë Evagorës si Çipros, Dionigjit të Sirakuzës dhe pasardhësve të tyre: mira pra, nëse arrini t’i bindni ata që i kanë përzënë të tjerët për ta rikthyer mbretëritë e veta, mirë pra, në një rast të tillë rimerreni atë pjesë të Trakës me të cilën qeverisin Teresi dhe Kersobleptin. Por, nga momenti që fituesve të pasardhësve të Evagorës dhe Dionigjit nuk mendoni se duhet t’i qortoni për asgjë e mua më vërsuleni vazhdimisht, si nuk qenka e drejtë që unë të mbrohem nga ju?

Prandaj, për këto ndodhi, sado që edhe për një kohë mund t’i mbroj arsyet e mia, preferoj të mos shkoj tutje. Sa u përket kardianëve, e pranoj se po i ndihmoj – si aleat i tyre qysh para paqes – duke qenë se ju s’keni dashur kurrë të pranoni një arbitrat, edhe pse unë e kisha kërkuar shpesh dhe ata vetë më shumë se një herë. Pra do të dukej se unë jam më i dobëti prej të gjithëve, nëse, duke i lënë pas dore aleatët e mi, do ta mbaja mendjen te ju – që s’bëni tjetër veçse të më biehs në qafë – më shumë se sa tek ata që kanë qenë përherë aleatë të mi besnikë.

Po vij tash te një pikë tjetër: keni shkuar aq larg në pretendime, sa, derisa më herët mjaftoheshit me qortimet që i përmenda, së fundmi, kur Pepareto është qarë se ka pësuar një padrejtësi nga unë10, e keni urdhëruar strategun të përgatisë hakmarrjen. Megjithatë unë i kisha ndëshkuar më lurtueshëm se sa që e meritonin, ata që e kishin rënë pas shpine Alonesit, në kohë paqeje, e nuk e kishin kthyer as ishullin as garnizonin, pavarësisht kërkesave të pandërprera. Ndërsa ju as që e loshni kryet për agresionin që më është bërë dhe merreni me ndëshkimin që ua kam bërë atyre, sado që i dinit të gjitha fije e për pe! Pra se atë ishull s’e kam marr unë as nga ata as nga ju, por nga banditi Sostrat. Andaj: nëse deklaroni se ia keni besuar ju Sostratit, e pranoni se po u dilni krah piratëve; ndërsa nëse deklaroni se ai vetë e kishte pushtuar Alonesin kundër dëshirës suaj, atëherë pyetem çfarë padrejtësie paskit pësuar për faktin se unë e kam rimarr ishullin dhe e kam bërë të sigurt lundrimin në zonë.

Por kur unë i dhashë aq zor për qytetin tuaj dhe jua dhurova ishullin, atëherë u ngrenë në këmbë oratorët tuaj duke pohuar se nuk mund ta merrnit ishullin prej meje, por ta merrnit vetë: për çka sikur unë ta kisha pësuar këtë shtrim, do ta kisha pranuar se po uzurpoj territore të huaja; sikur të mos e kisha lëshuar ishullin, do t’i kisdha shitur frekuentuesit e asamblesë suaj. I vetëdijshëm për gjithë këtë, thirra një gjykim arbitrar rreth kësaj gjëje: nëse ishulli do të rezultonte të ishte i imi, do ta falja, nëse do të rezultonte i juaji, do t’ia «ktheja popullit athinas». Këtë propozim e kam bërë shumë herë, po ju keni refuzuar vazhdimisht; ndërkohë paparetët e kishin pushtuar ishullin. Çfarë më mbetej të bëja? Nuk më takonte t’i ndëshkoja shpërbetarët? T’i ndëshkoja të patenzonët kaq të pacipë? Në të vërtetë: nëse ishulli ishte i paparetëve, me çfarë të drejte e pretendonin athinasit? E nëse është e juaja, si është e mundur që nuk i ndëshkoni ata, predatorë të gjësë së huaj?

Armiqësia mes nesh ka arritur deri aty sa, kur unë desha ta çoj flotën përmes Hellospontit, u detyrova ta shoqëroj me trupa përmes Kersonsit: meqë klerukët, simbas dekretit të Polikratit, na trajtonin si armiqm, ju ishit në ujdi me dekrete të tilla, strategu e mbështeste Bizantin dhe proklamonte se kishte marrë urdhër nga ju të shfaqte armiqësinë po sa t’i jepej rasti. Mirë pra, edhe duke e duruar gjithë këtë, prapëseprapë nuk i kam prekur as trirremëshet as territoret athinase, sado që isha në gjendje t’i rrafshoja për toke plotësisht a në pjesën më të madhe dhe kam preferuar t’ju ofroj një gjykim arbitrar në lidhje me ankesat reciproke. Çfarë është më mirë: t’i shuajmë kundërshtitë me fjalë a me armë? Të bëjmë drejtësi vetë apo t’i nxisim të tjerët, me anë të bindjes, t’i mbrojnë të drejtat tona? E shikoni ju vetë a ka kuptim që athinasit t’i detyrojnë tasët e maronitët t’i zgjidhin paqësisht kundërshtitë rreth Strymës, por të refuzojnë t’i zgjidhin në të njëjtën mënyrë kundërshtitë me mua. E mbi të gjitha, e dini mirë se, nëse arbitrariteti ju shkon keq, nuk humbisni asgjë, nëse ju shkon mirë merrni territore që tash janë nën posedimin tim.

Po, mes të gjithëve, episodi më delirues më duket ky: kur unë jua dërgova një dërgatë të përbërë nga përfaqësues nga të gjithë aleatët e mi11, që të ishin dëshmitarë, dhe jua propozova një ujdi të drejtë në interesin e të gjithë grekëve, ju as që i latë të flisnin ambasadorët; megjithatë, në atë rast, kishit mundësinë t’i shpëtonit nga çfarëdo rreziku të gjitha shtetet që ushqenin në kurrizin tim dyshime për ndonjë dredhi, ose të më turpëronit si gënjeshtarin më të pacipë. Po kjo, nëse i shkonte për shtati «popullit athinas», nuk i bënte të ndiheshin më rehat oratorët. Në të vërtetë ekspertët e politikës athinase më thonë se për ta paqja është luftë dhe lufta është paqe12: në ujdi me strategët ose duke i përndjekur me procese gjyqësore, arrijnë gjthmonë t’u nxjerrin diçka me forcë, dhe duke i mbuluar me fyrje nga tribuna qytetarët më me nam dhe të huajt më të respektuar, fitojnë, në sytë e masës, emër si demokratë.

Është e qartë se do të mund t’i ndërprisja sot a nesër sulmet e tyre kundër meje, duke paguar diçka dhe duke i bërë të më thurin lavde: po do të ndieja krupë sikur po të dilte se unë po e blej dashamirësinë tënde me anë të këtyre njerëzve. Njerëz që, pas së gjitash, kanë shkuar deri në atë pikë të mëtimit drithërues sa të ma kontestojnë tash edhe Amfipolin. Po në këtë pikë besoj se pozicioni im është ku e ku më i drejtë se i kujtdo që ka pretendime mbi këtë qytet.

Nëse Amfipoli i përket atij që e posedonte që nga fillimi, si të mos e pranoni atëherë se na takon neve? Ishte paraardhësi ynë, Aleksandri13, ai që e pushtoi i pari dhe nga shpagesa e të burgosurve persianë e ngriti në Delfi një statujë të argjendtë. Nëse pastaj ka mospajtime rreth këtyre të drejteve dhe thuhet se qyteti i takon atij që e ka pushtuar i fundit, edhe në këtë rast e drejta është në anën time, duke qenë se unë e pushtova me forcë dhe duke i mposhtur ata që ju kishin prëzënë ju dhe ishin vendosur aty si kolonë nga spartanët14. Shkurt, të gjithë ne  banojmë në qytetet tona ose ngase na i kanë lënë paraardhësit, ose ngase i kemi pushtuar në luftë: ndërsa ju, Amfipolin as nuk e keni pushtuar i pari as nuk po e pushtoni tash, për më tepër keni banuar aty më pak se çdokush tjetër, e tash po e kërkoni, përkundër zotimeve solemnte të bëra para meje: duke qenë se shpesh ju kam shkruar në lidhje me këtë dhe ju e keni njohur posedimin tim legjitim të qytetit, duke e nënshkruar paqen në atë kohë kur unë po e pushtoja Amfipolin dhe pastaj edhe një aleancë, mbi bazën e të njëjtave njohje. Si përfundim, cilin posedim më të padikutueshëm të Amfipolit? të trashëguar në fillim në të parët tonë, të ripushtuar pastaj me luftë, rë njohur në fund si i imi edhe nga vetë ju, që zakonisht vini me pretendime edhe për atë që s’ju takon!

Pakënaqësitë e mia janë këto. Duke qenë se ju keni marrë iniciativën, dhe, për kujdesin tim, jeni gjithnjë e më agresivë, dhe, kur mundeni, mundoheni të më dëmtoni, unë do të mbrohem, ngase jam në anën e arsyes, dhe, perënditë i kam dëshmitarë, do t’i marrë masat e nevojshme kundër jush.

Shënime

1 Plutarku – te Normat politike dhe te Jeta e Demetrit – saktëson se, qëllimisht, athinasit megjithatë nuk e lexuan letrën e Filipit për gruan e tij, Olimpiadën: megjithatë te Jeta e Demetrit Plutarku e daton episodin “në kohën e konfliktit me Athinën”.

2 Tasi, aleat i Athinës, i mirëpriti anijet e Bizantit, që në atë kohë ishte në luftë me Filipin (341-340).

3 Në prag të shpërthimit të luftës së Peloponezit.

4 Zakonisht mendohet se bëhet fjalë për Kallin e Kolkidës, por përkufizimi “strateg i dërguar nga ju” e përjashton një identifikim të tillë (Weil).

5 Më 343/42.

6 Herodoti, V, 96 dhe VI, 94.

7 Teresi mund të jetë një sovran i Trakisë së Veriut, i përmendur nga Ksenofonti, Anabazat, VII, 5,1.

8 Më 346, rreth sjelljes së legatëve athinas ndaj tij me atë rast ka një polemikë mes Eskinit dhe Demostenit në fjalimet për procesin e dërgatës.

9 Është sovrani i odrisëve, bashkëkohës i Perikleut (Tukididi, II, 29; IV, 101).

10 Pepareti, ishull afër Alonesit, ishte përzier në ngjarjet Alonesit, siç del nga ky pasazh.

11 Weil ka treguar se me gjasë bëhet fjalë për dërgatën maqedonase ndaj së cilës replikon Egesipi më 342, jo ajo e vitit paraprak e drejtuar nga Pitoni, në të vërtetë në këtë dërgatë që e pëmend Filipi këtu “nuk mundi as të fliste”, ndërsa Pitoni ishe shumë i shkathët dhe rezultoi shumë efikas.

12 Ky mendim gjendet te Filipi i Isokratit, paragrafi 73; Diodori ia referon Filipit (XVIII, 10).

13Në kohën e invazionit të dytë persian.

Më 422 Amfipoli tashmë në dorën e spartanëve që nga dimri i viteve 424/23, ia mohoi nderet kushtuar themeluesit, Agnonit, dhe ia atribuoi Bresidit.

/Marrë nga Demostene, Discrosi e lettere – Discorsi all’assamblea, vol. 1”, UTET, 1974

/Përkthimi: Gazeta Express