Sir Arthur Ignatius Conan Doyle (1859 – 1930), shkrimtar anglez. Doyle e krijoi personazhin Sherlock Holmes më 1887 për librin ‘A Study in Scarlet’, romani i parë nga katër sosh dhe i pesëdhjetë e gjashtë tregimeve rreth Holmesit dhe Dr. Watsonit. Tregimet e Sh. Holmesit janë guri themeltar në fushën e fiksionit të krimit
Për Mary Doyle
HOTEL KUMMER,
Vjenë, 5 janar 1891
Ne këtu jemi mirë e shëndosh. Në nja dy vende gjatë udhëtimit e ndjemë të ftohtin një çikëz, ndërsa në herat e tjera s’qe nevoja të shpalsonim shallat tonë të mëdhenj. Ishte bukur më i hidhët i ftohti këtij mëngjesi kur mbërritëm, po tash s’është më i ftohtë (ose nuk duket gjithaq) se ngrica e bukur angleze.
U nisëm drejt këtij hoteli dhe ishim bukur të freskët kur mbërritëm këtu në orën 12. Pastaj hëngrëm mirë dhe filluam të kërkonim një shtëpi bashkë. Sapo u kthyem nga një shëtitje e mirë. Thirrëm te secila banesë me qira, por pastaj vendosëm të qëndronim në një pansion që është përnjëmend me stil. Madame Bomfort, Universität Strasse 6, Vjenë, është adresa jonë nga nesër. Besoj se do të jetë krejt në rregull. Janë 14 veta që po rrinë këtu, shumica anglezë dhe amerikanë. Ne kemi dhomën tonë që sheh kah njëra prej rrugëve kryesore të qytetit. I ka dy shtretër të vegjël qesharakë, një tryezë shkrimi që më volit shumë, një sofa, disa karrige, garderobë dhe sobën e zakonshme të madhe të bardhë të porcelantë, që mund të ngrohet deri në çfarëdo grade. Vaktet janë të përbashkëta, kafjalli prej orës 8-10 – dreka në orën 1.30, darka në 7.30 – ushqim të mirë sa të duash. Universiteti dhe spitalet janë bukur afër – as njëqind jardë. Po paguajmë 4£ javën gjithsej, me llambë, zjarr, birrë dhe verë ekstra – mund të them se s’e kalojmë shumën e 5£ për javë, por mendoj se puna më e mirë është të kemi ambientin tonë të këndshëm, se ashtu kam më shumë gjasa të punoj mirë. Gjithçka duket se po shkon për bukuri.
Dërgomi letrat në atë adresë dhe po ashtu te Temple Barr M.S.S, të rregulluara dhe të adresuara mirë. Kjo do të na ndihë, po qe se arrij t’i marr. Nëse s’kam punuar kurrë në jetën time, atëherë më duhet të punoj tash – por po ndihem kështu, pas pushimeve të mia të rehatshme. E gjitha që dua është t’ia filloj. Ajri këtu është gjallërues.
Po ashtu duket se po i përshtatet prë mrekulli edhe Touies. Njerëzit janë të këndshëm dhe të sjellshëm – më shumë se sa në Berlin. Tash që kemi lagje kaq të lezetshme, ma ha mendja se do ta thërras korrespondentin e Times dhe përgjithësisht do të dalë të shëtis paksa.
I kam shkruar Pickard & Curry dhe u kam kërkuar të t’i dërgojnë një paë – 10 sosh duhet të jenë të mëdha dhe me korniza xhami. Ato janë për punën nga afër, sa je e pranishme – 13 janë për objektet në distancë. Sa kohë që i heq syzet e tua dhe kërrusesh mbi punën tënde, sytë e tu do të përkeqësohen, sepse je duke i mbajtur vazhdimisht të zënë dhe të mbingarkuar. Këto syze do t’i mbash përherë, prëveç kur del jashtë, kur mund t’i vësht ato të tjerat. Tash, të lutem, bëje këtë ose do të bëhesh më keq.
Për Mary Doyle
PENSION BOMFORT,
Vjenë, janar 1891
Një rresht aq sa të kuptosh si i kemi punët. Që të dy jemi duke kaluar si s’ka ku të vejë më mirë dhe po pushojmë për mrekulli. S’e kur që të dy ne kemi pasur një ndjesi të tillë të pushimit të plotë. Siç e sheh mund të planifikojmë ose të mos fare asgjë për veten tonë. Çdo gjë e bëjnë të tjerët për ne. vaktet janë të rregullta dhe të mira. Njerëzit janë të këndshëm. Qyteti i madh shtrieht jashtë, ku mund të shkojmë kur të duam, ndërsa brenda kemi dhomën tonë të vogël të qetë të rehatshme, ku mund të punojmë për qejfin tonë. Ne anglezët s’e kemi idenë si duhet të bëhet e rehatshme shtëpia. Është njëmend e hatashme se si ia dalin këta këtu. Edhe po deshe s’të zë dot e ftohura as ndonjë dhimbje fytyre. Jam i sigurt se askush s’mund ta thotë se cila stinë e vitit është në dhomën tonë, se një gjë e tillë si rryma e ajrit këtu është e panjohur. Një natë e patëm shumë nxehtë, por përveç kësaj kemi qenë kryesisht rehatshëm. Zakonisht e ndalim stufën rreth orës 5 dhe prapë dhoma mbetet bukur e nxehtë deri në kohën e gjumit. Nga ana tjetër kurrë s’na është dukur e mërzitshme. Ky është goxha zbulim për mua.
Rregulli ynë i jetës është i thjeshtë. Pas së hënës më duhet të jem në klasë në orën 8 në mëngjes, por veç pakëz jardë larg. Pi nj filxhan kafe me ujin tim të nxehtë, pastaj një të dytë me Touien kur kthehem. Pastaj pesë ditë në javë shkruaj nga mëngjesi deri në orën 1.30 të drekës. Ditëve kur s’më punohet shkojmë të patinazhojmë në një vend të lezetshëm që e kemi zbuluar. Pas drekës dalim të ecim dhe të hedhim një sy rrotull, paskëtaj punoj deri në orën 5 kur kam një tjtër orë mësimi. Rreth orës 10.30 kthehemi në banesë. Njëherë në javë (të dielen mbrëma) shkojmë në një kafene, pimë birrë dhe bëjmë sehir njerëzit. Është një jetë e shëndetshme e kënaqshme dhe mendoj se nuk do të kemi vështirësi nëse i shtojmë shpenzimet tona, mbase për ca paundë më shumë.
Njerëzit janë të mirë, një grua amerikane që ka parë botën, bukur vullgare por e mirë për nga natyra, na e bëri me dije në drekë se disa fjalë në gjermanisht ishin të mjaftueshme për t’ia shtrembëruar gojën. Pastaj një familje amerikane më e fisme, babai, nëna dhe ca fëmijë. Po ashtu një doktor amerikan me të shoqen, njerëz bukur të rezervuar. Njëjtë një zonjë ruse e dashur dhe në moshë, me mbesën e saj, një vajzë vërtet gjatoshe dhe llafazane. Mandej një nënë angleze dhe e bija me emrin Keene, që janë shumë të këndshëm me ne. Ata me Madame B, burrin e saj dhe motrën e saj të vogël që bëjnë shumicën e mbarështimeve, e mbarështojnë edhe banesën tonë. Të gjithë flasin anglisht, kështu që Touie është si n shtëpi. Sidoqoftë unë flas gjermanisht aq sa mundem.
Varim shpresat të marrim letrat tona nesër dhe mezi po presim. Bëji një paktim të mirë dramës dhe dërgoje në adresën e W. Balestier Esqre. 2 Deans Yard, Westminster. Mund t’ia vlejë barra qiranë. I kam shkruar që ta presë. Porositi mirësjellshëm dy kopje të Chambers të këtij muaji me ‘The Surgeon’ brenda saj. Mbase mund ta përfshijmë në ‘Effects and failures’ tonë, kështu që duhet të sigurohemi që ta kemi. Vras mendjen nëse Temple Bar do ta honepsë atë tregim. Mbaj shënime për të gjitha harxhimet e vockla të cilat mund të të kërkoj të bësh. Përcillja dashurinë time çunit – bëje të jepet pas gjermanishtes së tij ashtu si edhe pas kimisë dhe shiko pastaj nëse s’do të jetë diku në maje. Përcillja dashurinë po ashtu edhe Dodos, ma ha mendja se Ida është kthyer pavarësisht grevës së hekurudhave. Touie po e shijon Vjenën mrekullisht.
/Arthur Conan Doyle: A Life in Letters, harperpress, 2007
/Gazeta Express