string(54) "epistula-e-javes-rilke-per-konteshen-lili-kanitz-menar"

Arte

Gazeta Express

28/03/2025 15:05

Epistula e javës/ Rilke për konteshën Lili Kanitz-Menar

Arte

Gazeta Express

28/03/2025 15:05

Lili Kanitz-Menar (1869–1943) ishte stërmbesa e konteshës Luise Schwerin (1846–1906), në kujtim të së cilës Rilke kishte shkruar poezinë ‘Përvoja e vdekjes’ (1907). Ka performuar si këngëtare dhe dirigjente me emrin Lili Menar.

16 korrik 1908 (mbrëmje)

Lexo Edhe:

Paris, 17, rue Campagne-Première

Të falënderoj, mikja ime e shtrenjtë, që më ke shkruar. Nja pesëdhjetë herë kam dashur të të përgjigjem prej se e kam marr letrën tënde, por s’kam mundur ta bëj. Kam shumë punë, prandaj duhet ta bëj këtë menjëherë tash: po mendoj në punën time dhe nuk kam edhe aq energji sa nevojitet. Pastaj, për t’ia shtuar gjithë kësaj, kjo ngjarje e pakrahasueshme. Çfarë duhet të thotë njeriu? Si duhet të arsyetohet? Përherë të njëjtat pyetje.

Gjatë viteve të kaluara më është dashur t’ia parashtroj vetes këtë pyetje shumë herë. Vdekja e konteshës Schwerin dhe vdekja e babait tim (çdonjëra prej të cilëve më ka dhuruar një përvojë madhështie dhe zemërgjerësie) kanë rezultuar me faktin se më nuk ia kam tuten asaj çështjeje. Po prapë është e vështirë të përballesh me të për së afërmi, qoftë edhe në ditën më të ndritshme. Dhe ky është rasti i mbramë, është i komplikuar për shumë arsye: Kush ishte kjo grua që jetonte për të tjerët dhe prapë, përtej gjithçkaje dhe pa e ditur apo pranuar atë, i kishte ushqyer nevojat e një jete të tërë brenda saj sikur të ishin lënë aty krejtësisht të prekura, sa mund të kishe idenë se ajo po ashtu ishte e kundërta e asaj që donte të ishte dhe që të dy këto gjendje mund të ishin barbar të vërteta dhe barabar joreale? Dhe në fund, çfarë lloj marrëdhënieje kishin të tjerët me të, ku dhembshuria e madje admirimi ishin aq çuditërisht në ujdi me rezistencën, refuzimin dhe gjykimet e ashpra që njeriu kurrë s’guxon t’i grumbullojë në një vend dhe të arrijë te një përfundim i pastër?

Për një kohë bukur të gjatë kam përjetuar këndshmërinë që ajo ma shfaqte dhe e cila në të vërtetë u kthye në një miqësi – s’e di kur – më shumë si një trashëgimi e jetësuar shumë bukur nga motra e mrekullueshme që kishte qenë para saj se sa si një dhuratë prej saj.

Duke u përpjekur t’i gjej kuptimin kësaj gjëje, unë veç kisha ikur sa më larg çfarëdo aftësie të tillë të saj. Sot, qëndrimi im ndaj vdekjes është se më frikëson edhe më shumë tek ata me të cilët kam dështuar të përballem përnjëmend dhe të cilët kanë mbetur të pashpjegueshëm ose shkatërrues për mua, se sa që më frikëson tek ata që i kam dashur pa asnjë mëdyshje sa ishin gjallë, edhe nëse ia kanë behur qoftë edhe për një moment të shkurtër në transfigurimin rrezatues të intimitetit që mund ta arrijë dashuria. Nëse njerëzit do të gjenin ndonjë lloj kënaqësie te realiteti (që është krejtësisht i pavarur nga koha), atëherë kurrë s’do të kishin nevojë të vinin me idenë se prapë do të mund të humbnin diçka me të cilën janë të lidhur përnjëmend. Asnjë konstelacion nuk është aq i palëkundur, asnjë arritje nuk është aq e parevokueshme si një lidhje mes qenieve njerëzore që, në momentin që bëhet e dukshme, vepron më fuqishëm në ato thellësi të padukshme ku ekzistenca jonë është po aq e qëndrueshme sa ari i vendosur në gur, më konstante se sa ylli.

Ja pse jam i një mendjeje me ty, mikja ime dashur, kur thua se ti i qan “ata që ikin”. Medet, vetëm ata që kurrë s’i kemi pasur mund të ikin nga ne. Madje as nuk mund të pikëllohemi nga fakti se në të vërtetë kurrë s’e kemi pasur në posedim këtë apo atë: kurrë s’do të kishim as kohë as fuqi as justifikim për një gjë të tillë. Ngase tashmë eksperienca më kalimtare e posedimit të vërtetë (ose e të pasurit të diçkajes të përbashkët me një person tjetër, që pas së gjithash është vetëm posedim i dyfishtë) na flak mbrapa te vetvetja me një forcë të atillë të madhe dhe na kërkon aq shumë mund ta bëjmë dhe një zhvillim vetmitar të skajshëm sa do të ishte e mjaftueshme të na mbajë të gjithëve të zënë individualisht përgjithmonë.

A nuk është ky rasti?

Letra para letrës tënde të fundit përcillte shumë lajme të mira sa do të doja një mijë herë që udhëtimet e tua të tanishme dhe vendosmëria jote të çonin deri te disa lajme të tjera po aq të mira dhe shpresoj se ti s’do të harrosh të m’i bësh me dije.

Clara është e zënë me punë dhe po bën gjëra të mrekullueshme. Do ta takoj në fund të javës.

Miku yt lojalisht i përkushtuar

Rilke

/Marrë nga Rilke, ‘The Dark Interval: Letters on Loss, Grief, and Transformation’, Modern Library, 2018

/Gazeta Express