string(56) "epistula-e-javes-shirley-jackson-per-stanley-edgar-hyman"

Epistula e javës/ Shirley Jackson për Stanley Edgar Hyman

Arte

Gazeta Express

18/04/2025 15:50

Shirley Hardie Jackson (1916 – 1965), shkrimtare amerikane, e njohur për veprën e saj të horrorit dhe misterit. Karriera e saj letrare përfshin një periudhë prej dy dekadash, gjatë së cilave ka shkruar gjashtë romane, dy memoarë dhe më shumë se dyqind tregime të shkurtra

5 korrik 1938

Lexo Edhe:

i dashur stan1,

kjo mund të jetë një gjë e pashpirt e panevojshme që ta bëj, por shpresoj se do ta kuptosh se është reagimi1 im natyror në këto rrethana. në rast se ti mendon se familja ime është përgjegjëse, asnjëri prej tyre s’të ka përmendur prej se jam kthyer të dielën mbrëma, as nuk do ta bëjnë. evvie s’ka dyshim se ta ka folur për skenën që ndodhi kur u ktheva brenda në orën dy e tridhjetë pasi që i kisha kaluar pesë orë me një burrë të ri i cili jo vetëm refuzoi t’i takonte ata, por madje gjeti mënyrën më idiotike dhe më budallaqe që të bënte me dije se s’donte të kishte asgjë me ta… pesë orë të cilat s’kisha si t’i arsyetoja veçse duke thënë kishim dalë të shëtisnim, çka im atë s’deshi ta besonte fare.

a e kupton, mendoj se mënyra se si ke vepruar atë natë ishte e pajustifikueshme. jo që doja aq shumë ta takoje tim atë… zoti e di se në atë gjendje në të cilën ishe ti ajo do të ishte gjëja që do ta doja më së paku… por se u fyeva që ti e bëre veten aq budalla dhe lë përshtypjen më të keqe të mundshme. për më tepër, më bëre budalla edhe mua, çka, duke qenë se ti më njeh, do ta kuptosh se është një arsye tjetër pse e konsideroj sjelljen tënde të pajustifikueshme. as fakti se të dua nuk qe i mjaftueshëm. të urreva për këtë.

mund të mos jetë e këshillueshme për ty të vish në rochester përsëri këtë verë. më shkruaj, s’do mend, por mos u përpiq të komunikosh me mua në asnjë mënyrë, ky nuk është vendimi i familjes sime, është i imi. sigurisht nuk do të dëbohesh nga shtëpia nëse vjen, por refuzoj të duroj përsëritjen e afere si ajo e së dielës së kaluar. s’do të vij në new york, ose, e panevojshme ta them, në massachusetts.

a mund të shohësh se si një idiotësi e tillë prej adoleshenti si ajo ka arritur të më bëjë të dyshoj se të dua? sigurisht nuk jam në një pozicion që të grindem me ty, por pa fije dyshimi mund ta urrej femijërillëkun tënd kur më nxjerr në një pozitë të tillë ku jo vetëm që më duhet të gjej arsyetime për ty para të tjerëve, por po ashtu edhe të justifikoj veprimet e tua para meje dhe në fund të kuptoj se nuk mund ta bëj këtë. lërmë kohë deri në shtator të kuptoj me saktësi se të dua. e di se të dua, por më duhet të rritem edhe një çikëz para se të mund të jem e sigurt.

kjo ishte ndjesia që ti e hetove tek unë atë natë kur e quajte marrëzi. po përpiqesha të pajtoja dashurinë time për ty me atë irritim të madh që ma kishe shkaktuar. ti u tregove shumë më fëmijë dhe më i pakuptueshëm çdo minutë dhe çdoherë që më fajësoje mua për këtë unë doja të të lija dhe të shkoja diku tjetër, të mendoja, të mundohesha të shihja gjërat më qartë. e dija se do të ndodhte ndonjë skenë me familjen time kur u ktheva, por s’e çava kokën, por ajo se si ti më kryqëzoje dhe më lëndoje gjithë kohës sa isha me ty ishte e tepërt. as nuk mora mundin të ta thosha, këtë herë. e dija se s’do ta kuptoje fare. kështu që nuk thashë asgjë rreth kësaj dhe të lashë të shfryheshe. prandaj të vinte keq që kishe ardhur. edhe mua, veçse nuk doja të të lëndoja doja të isha e lumtur gjatë atyre pak minutave që më kishin mbetur me ty, por ti s’e doje këtë. ti doje të haheshe. kështu që u hëngrëm. ti bëre gjithçka që ishte e mundshme që të shkatërrosh atë dashuri çfarëdo që kisha ruajtur për ty në atë kohë sa po qëndronim në qoshk (ku mu desh të të merrja ngase e dija se babai im ishte zgjuar dhe mund të të përzinte po të na dëgjonte) dhe s’bëra asgjë të të ndalja, se jam lodhur jam lodhur duke e justifikuar veten time në sytë e tu. çfarëdo përpjekjeje që të kisha bërë do të mund të ishte dënuar menjëherë ngase nuk puqej me idetë e tua. e di këtë nga përvoja.

sidoqoftë, e di një gjë. ti nuk, as nuk mund ta bësh këtë, e shkatërrove cilëndo dashuri timen për ty. ende të dua ashtu si më parë, veçse tash kam frikë të të dua aq shumë ngase ti je shumë i ri dhe ngase unë jam shumë e re. ti nuk e ke problem fëmijërillëkun tim ngase ka shumë gjëra të tjera rreth meje që ti dëshiron t’i ndryshosh fillimisht, por ai fëmijërillëku yt është e gjitha që dua ta shoh ndryshe. kurrë s’kam bërë ndonjë përpjekje të të ndryshoj… ti e di këtë. nga shtatori mëtoj të pajtohem me atë që urrej te ti dhe do të të lë një fushë të pastër ku do të ketë vend për ndryshimet tek unë. të gjitha zënkat dhe i gjithë ‘kthimi mbrapa’ i imi ka ndodhur për shkak se unë e përplasa kokën për kësaj gjëje dhe s’mund ta pranoja. shpresoj se do të jetë ndryshe. të dua dhe kam frikë se do të të dua gjithmonë.

S.

Shënim:

1) Stanley kishte shkuar në Rochester për një vizitë dhe derisa ai dhe Shirley ishin duke qëndruar në verandën e Jacksoni – ndërkohë që ajo mendonte se prindërit e saj kishin shkuar në qytet – Leslie dhe Geraldine ia behën aty papritur. Stanley, i tmerruar nga takimi me ta, kërceu mbi rrethojë dhe ia mbathi. Shirley, e habitur dhe konfuze, vrapoi pas tij. Pastaj i kaluan disa orë duke ecur dhe duke u grindur.

/Marrë nga ‘The Letters of Shirley Jackson’, Random House, 2022

/Gazeta Express