string(58) "eseja-e-javes-giorgio-agamben-mbi-ate-qe-nuk-mund-te-bejme"

Eseja e javës/ Giorgio Agamben: Mbi atë që nuk mund të bëjmë

Arte

Gazeta Express

28/03/2025 15:07

Giorgio Agamben (1942), filozof italian. Ka shkruar vepra të shumta që merren me probleme të ndrsyhme nga estetika te filozofia politike, nga linguistika te historia e koncepteve, duke propozuar interpretime origjinale të kategorive si forma e jetës, homo sacer, gjendja e përjashtimit, dhe biopolitika

Mbi atë që nuk mund të bëjmë

Lexo Edhe:

Nga Giorgio Agamben

Deleuze njëherë e ka përkufizuar operacionin e pushtetit (potere) si një ndarje të njerëzve nga ajo që munden, do të thotë nga fuqia (potenza) e tyre. Forcat aktive pengohen në ushtrimin e tyre, o për shkak se janë të privuara nga kushtet materiale që e bëjnë të mundshme, o për shkak se ndalimi e bën këtë ushtrim formalisht të pamundshëm. Në të dy rastet pushteti – dhe kjo është figura e tij më shtypëse dhe brutale – i ndan njerëzit nga fuqia e tyre dhe, në këtë mënyrë, i bën të pafuqishëm. Sidoqoftë, ka edhe një operacion tjetër dhe hileqar të pushtetit, që nuk vepron menjëherë në atë që njerëzit mund të bëjnë – mbi fuqinë e tyre – përkundrazi, mbi pafuqinë e tyre, do të thotë mbi atë që nuk mund të bëjnë ose, thënë më mirë, mund të mos e bëjnë.

Se fuqia është përherë edhe në mënyrë konstituive pafuqi, se çdo të mund të bësh është edhe gjithmonë një të mund të mos bësh është një nxënie vendimtare e teorisë së fuqisë që Aristoteli e zhvillon në librin IX të Metafizikës. «Pafuqia [adynamia]», shkruan ai, «është privim i kundërt me fuqinë [dynamis]. Çdo fuqi është pafuqi e së njëjtës dhe në raport me të njëjtën [fuqi e së cilës është]» (Met. 1046a, 29-31). «Pafuqia» nuk do të thotë këtu vetëm mungesë e fuqisë, të mos mund të bësh, por edhe dhe mbi të gjitha «të mund të mos bësh», të mund të mos e ushtrosh fuqinë tënde. Madje pikërisht kjo ambivalencë specifike e çdo fuqie, që është përherë fuqi e të qenit dhe të mos qenit, e të bërit dhe të mos bërit, e përkufizon fuqinë njerëzore. Njeriu është, pra, qenia e gjallë që, duke ekzistuar në botën e fuqisë, mund të bëjë qoftë një gjë qoftë të kundërtën e saj, qoftë të bëjë qoftë të mos bëjë. Kjo e ekspozon, më shumë se çdo qenie tjetër të gjallë, para rrezikut të gabimit, por, në të njëjtën kohë, ia mundëson të akumulojë dhe zotërojë lirisht zotësitë e veta, t’i shndërrojë në «aftësi». Ngaqë jo vetëm masa e asaj që dikush mund të bëjë, por edhe dhe para së gjithash zotësia për ta mbajtur lidhjen me mundësinë vetanake për të mos e bërë e përkufizon rangun e veprimit të tij. Derisa zjarri vetëm mund të djegë dhe qeniet e tjera të gjalla munden vetëm fuqinë e tyre specifike, munden vetëm këtë ose atë sjellje të gdhendur në vokacionin e tyre biologjik, njeriu është kafsha që mundet pafuqinë e vet.

Mbi këtë fytyrë tjetër dhe më të errët të fuqisë sot parapëlqen të veprojë pushteti që ironikisht përkufizohet «demokratik». Ai i ndan njerëzit jo vetëm dhe jo aq nga ajo që mund të bëjnë, po mbi të gjitha dhe për më tepër nga ajo që mund të mos e bëjnë. I ndarë nga pafuqia e tij, i privuar nga përvoja e asaj që mund të mos bëjë, njeriu i sotëm besoj se është i zoti për gjithçka dhe e përsërit atë «nuk ka problem» gazmore dhe të papërgjegjshmen e tij «mund të bëhet», pikërisht kur përkundrazi do të duhej ta kuptonte se është i dorëzuar në masë të paparë ndaj forcave dhe proceseve mbi të cilat e ka humbur çdo kontroll. Ai është bërë i verbër jo në zotësitë e tij, por në pazotësitë e tij, jo në atë që mund të bëjë, por në atë që nuk mundet ose mund të mos e bëjë.

Nga këtu vjen ngatërrimi definitiv, në kohën tonë, i zanateve dhe vokacioneve, i identiteteve profesionale dhe roleve shoqërore, ku secila prej tyre është impersonalizuar nga një dukje fudullëku i së cilës është, në mënyrë të ndërsjell, proporcional me përkohësinë dhe paqartësinë e shfaqjes së tij. Ideja se çdonjëri mund të bëjë ose të jetë në mënyrë të padallueshme çfarëdo gjëje, dyshimi se jo vetëm mjeku që më ekzaminon do të mund të ishte nesër videoartist, po që madje edhe kasapi që më vret është në të vërtetë, si te Procesi i Kafkës, këngëtar, nuk janë tjetër veçse reflektimi i vetëdijes se të gjithë thjesht janë duke u përkulur ndaj atij fleksibiliteti që sot është cilësia e parë që e kërkon tregu nga çdonjëri.

Asgjë nuk na bën më të varfër dhe më pak të lirë si kjo zvjerdhje e pafuqisë. Ai që është ndarë nga ajo që mund të bëjë, mund, sidoqoftë, të rezistojë ende, ende mund të mos bëjë. Ndërsa ai që është ndarë nga pafuqia e vet humb, para së gjithash, zotësinë që të rezistojë. Ashtu siç vetëdija djegëse e asaj që nuk mund të jemi na e garanton të vërtetën e asaj që jemi, po ashtu vetëm vizioni lucid i asaj që nuk mund ose mund të mos e bëjmë e bën të qëndrueshëm veprimin tonë.

/Giorgio Agamben, ‘Nudità’ Nottetempo, 2009

/Gazeta Express