string(55) "eseja-e-javes-mark-strand-shenime-mbi-zanatin-e-poezise"

Eseja e javës/ Mark Strand: Shënime mbi zanatin e poezisë

Arte

Gazeta Express

18/04/2025 15:57

Mark Strand (1934 – 2014), poet, eseist dhe përkthyes amerikan. Poet Laureat i SHBA, më 1990; fitues i Pulitzerit më 1999 për përmbledhjen Blizzard of One; Wallace Stevens Award më 2004; ndërsa më 2009 i është ndarë Medalja e Artë për Poezi nga Akademia amerikane e Arteve dhe Letrave

SHËNIME MBI ZANATIN E POEZISË

Lexo Edhe:

Nga Mark Strand

Për disa nga ne, sa më pak që të flasim përkitazi me mënyrën se si i bëjmë gjërat, aq më mirë është. Nga ana ime, madje as nuk jam i sigurt në kam ndonjë mënyrë të veçantë të të bërit të gjërave, e edhe po të kisha, s’jam i sigurt se do të mund të flisja për të. Nuk posedoj me ndonjë mënyrë sekrete të të shkruarit dhe as nuk shërbehem me ndonjë listë të gjërave që duhen bërë a nuk duhen bërë. Çdo poezi kërkon që ta trajtoj ndryshe nga të tjerat, që të bie në ujdi me të, që të arrij të gërmoj për të incipitin dhe mbylljen më të mirë. Por do ta bëja veten qesharak po të besoja se nuk ka kurrfarë vazhdimësie në ndërmarrëdhëniet mes meje dhe poezive të mia. Ma ha mendja të jetë kjo ajo që ne e quajmë zanat: ato ndërmarrëdhënie që bëhen aq shpesh të vazhdueshme sa jo vetëm që e njohim veten në to, por edhe ua lejojmë ta përfaqësojnë mënyrën se si bëjmë art. Por, duke qenë se vetëm rrallëherë e afirmojnë veten në terma proceduralë, atëherë si mund të flasim për to? Në pjesën më të madhe, ndërmarrëdhëniet që kam zgjedhur t’i quaj zanat janë pronësi ekskluzive e poetit të veçantë dhe nuk mund të transferohen te të tjerët as të adoptohen nga të tjerët. Njëra prej arsyeve është se janë gjerësisht të panjohura në momentin kur shkruhet, ngase zbulohen – nëse zbulohen ndonjëherë – vetëm në vijim.

Një ese që për mua ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme kur po filloja të shkruaja është Politika dhe gjuha angleze e George Orwell. Duke e lexuar kam gjetur aty për herë të parë të shpallet vlera morale e të shkruarit mirë. E vërtetë, Orwell nuk fliste për përdorimin letrar të gjuhës, por të gjuhës si instrument të shprehjes së mendimit. Pohonte se pikërisht ashtu siç anglishtja jonë mund të bëhet e tmerrshme dhe e pasaktë ngase mendimet tona janë të budallepsura, ashtu edhe shkujdesja e gjuhës sonë favorizon te ne shfaqjen e papritur të mendimeve të budallepsura. Rregullat që vijojnë, shpjegon Orwelli, mund të bëhen të dobishme kur shkrimtari është në dyshim rreth efektit të një fjale apo të një fraze dhe instinkti i tij nuk i del në ndihmë fare.

1) Kurrë mos e përdor një metaforë, krahasimin a ndonjë figurë tjetër retorike që has shpesh në libra a revista.

2) Kurrë mos e përdor një fjalë të gjatë nëse ekziston një sosh e shkurtër e barasvlershme.

3) Nëse është e mundur të hiqet një fjalë, duhet të hiqet gjithmonë.

4) Kurrë mos e përdor mënyrën pasive aty ku mund të përdoret aktivja.

5) Kurrë mos e përdor një shprehje të huaj, një shprehje shkencore apo çfarëdo qoftë që i përket një gjuhe sektoriale, nëse të vjen në mendje një barasvlerës në anglishten tënde të përditshme.

6) Shkeli këto rregulla më parë se sa të thuash diçka paturpësisht të tmerrshme.

Natyrisht bëhet fjalë për rregulla më tepër elementare, do të mund të ndiqeshin që të gjitha dhe, siç e pranon vetë Orwelli, të shkruash prapë në një anglishte të keqe, edhe pse jo aq të keqe sa do të ishte po të mos ndiqeshin. Po deri në çfarë pike mund të sillen ato në shkrimin e një poezie? Dhe sa nga ndërmarrëdhënia për të cilën fola më sipër përshkruhet nga këto rregulla? Nëse ndjekja e një bashkësie të caktuar rregullash do të respektonte suksesin e një poezie, poezitë s’do të gëzonin konsideratën e thellë që, siç shishet sheshazi, e gëzojnë. Dhe një numër i tepërt njerëzish do ta kishte të lehtë t’i shkruante ato, çka, natyrisht, nuk është e vërtetë. Ngase poezitë e vlerës më të lartë janë ato që në mënyrë të pashmangshme i thyejnë rregullat duke i bërë bisht kontrollit të vetëdijshëm, pra poezi nevoja absolute e të cilave i bën rregullat të parëndësishme.

Unë mendoj se e gjithë poezia është formale dhe se ekziston brenda ca limiteve, limite që janë trashëguar nga tradita, ose limite që i imponon vetë gjuha. Këto limite ekzistojnë nga ana e tyre në brendi të konceptimit që poeti i veçantë ka për atë se çka është a çka nuk është poezia. Ngase, nëse poeti aspirues nuk e ka idenë se çka është poezia, rrjedh se nuk ka asnjë gur krahasimi për të determinuar, ose për të karakterizuar veprimet e veta si poet, do të thotë poezinë e vet. “Forma”, duhet të rikujtojmë, është fjalë me domethënie të shumta, disa prej të cilave gati se të kundërta. Forma ka të bëjë me strukturën, ose me pamjen e jashtme të një gjëje, por edhe me esencën e saj. Në diskutimet mbi poezinë, forma është një fjalë e fuqishme pikërisht për këtë arsye: struktura dhe esenca duket se unifikohen, ashtu si edhe vendosja e fjalëve dhe domethënia e tyre.

Duket gati e panevojshme të nënvizohet miopia e atyre që do të dëshironin të na bëjnë të besojmë se forma e një poezie kufizohet në trajtën e saj. Pohojnë se ekziston një poezi formale dhe një poezi pa formë – vargu i lirë, me fjalë të tjera; se poezia formale ka dimensione ritmike e strofike, etj., për rrjedhojë të matshme, ndërsa vargu i lirë ekzistuaka vetëm si një stërzgjatje vendosja e të cilit është arbitrare, prandaj, si i tillë, i pamatshëm. Por, nëse kemi mësuar ndonjë gjë nga poezia e njëzet a tridhjetë vjetëve të fundit, është se vargu i lirë është formal si çdo varg tjetër. Ekzistojnë dëshmi të bollshme të faktit se përdor tërë gamën e artificieve mnemonike, më të rëndomtat ndër të cilat janë anafora dhe strukturat paralele, që të dyja restriktive nga pikëpamja sintaksore po aq sa të obliguara nga ajo ritmike. Nuk dua të lë të kuptohet se vargu i «matur» dhe vargu i lirë paraqesin forma të ndryshme mnemonike. Me tepër do të doja t’i kemi parasysh bashkërisht, si të strukturuar dhe konfirmuar, pra formalë, ose të paktën formalë nga mënyrat e jashtme, lehtësisht të përshkrueshëm.

Forma manifestohet me qartësinë më të madhe në aparatin e argumentimit dhe imazhit, ose, me fjalë të tjera, e intrigës dhe figurave të ligjërimit. Ky aspekt i formës është i vështirë të diskutohet, meqë është më pak i pastër; rasti e ka dashur që të jetë edhe zona ku poezitë e ndjekin individualitetin e tyre më të madh dhe ku, si rezultat, bëhen më personale. Nëse gjërat qëndrojnë kështu, si është e mundur të aplikohen idetë e zanatit? Paj, do të mund të pohonim se metaforat e përziera janë më të këqijat, se krahasimet, përveç nëse përbëjnë paradokse të dëshiruara, duhet të shmangen, se ky a ai imazh nuk është në vendin e duhur. Çka është krejt a tepër e vagullt, tepër e ankthshme, ose në pjesën më të madhe jashtë shënjestrës – duke qenë se ka mjaft mësimdhënës të shkrimit kreativ që nuk hasin në asnjë vështirësi të diskutojnë karakteristikat më të larmishme dhe të fshehta të formës. Dhe unë e përdor fjalën e «fshehtë» ngase në njëfarë mënyre, kur ballafaqohemi me pyetjen çka nënkupton poezia, jemi duke iu avitur shumë burimit të kësaj ose asaj që e ka bërë të jetë. Pak por sigurt, nuk ka recetë të thjeshtë, të ngjashme me atë të George Orwellit, se çka të themi e çka të mos themi në një poezi.

Duke folur për poezinë e tij The Old Woman and the Statue, Wallace Stevens ka thënë:

«Derisa nuk ka asgjë automatike te poezia, aq më pak ajo fiton një aspekt automatik në kuptimin se del të jetë ajo që doja të ishte pa e ditur para se të shkruhej çka doja që të ishte, edhe pse e dija çfarë doja të bëja para se të shkruhej».

Bëhet fjalë për pohimin më të saktë përkitazi me atë që e kam definuar «procesi kreativ» që kam lexuar ndonjëherë. Dhe besoj se e qartëson atë se pse diskutimet mbi zanatin e poezisë janë, në hipotezën më të mirë, pak të bazuara. Vetëm më pas e marrim vesh atë që kemi bërë. Pjesa më e madhe e poetëve, ma ha mendja, tërhiqen nga e panjohura dhe shkrimi, për ta, është një mënyrë për ta bërë të dukshme të panjohurën. E nëse objekti i kërkimit personal është i fshehur ose i panjohur, si mund t’i afrohemi duke përdorur mjete të parashikueshme? E pranoj se kam dëshirë ta lë anash njohjen, posaçërisht kur ulem të shkruaj poezi. Ndërmarrëdhëniet e vazhdueshme të zanatit zënë vend në terr. Jungu e kishte kuptuar, kur kishte thënë: «Derisa ne vetë jemi të burgosur në procesin e krijimit, nuk shohim dhe nuk kuptojmë; e në të vërtetë nuk do të duhej të kuptonim, sepse asgjë e zhvlerëson më shumë se sa njohja përvojën e menjëhershme». E edhe Stevens, kur ka thënë: «Duhet, nuk dihet se si, të njihet tingulli që të jetë tingulli i saktë: e faktikisht e njeh pa e ditur as si as pse. Njohja jote është iracionale». Me këtë nuk po them se racionaliteti është i gabuar apo i keq, po vetëm se ka pak gjë të bëjë me të shkruarit e poezisë (në krahasim, për shembull, me të kuptuarit e poezisë). Bile edhe personazhe aq racionale si Paul Varely tregohet çuditërisht bishtnues kur flet për atë se si krijohet poezia. Në esenë e tij brilante, por bizare, Poezia dhe mendimi abstrakt thotë kështu:

«Kam (…) hetuar te vetvetja dofarë shtresash që do të mund t’i përkufizoja poetike, meqë disa prej tyre tekembramja janë shndërruar në poezi. Kam hasur në to pa ndonjë shkak të dukshëm, kanë lindur nga ky a nga ai rast tjetër; janë shpështjellë sipas natyrës së tyre dhe për rrjedhojë kam gjetur veten për njëfarë kohe të projektuar jashtë gjendjes sime mendore të zakonshme».

Dhe në vijim thotë prapë se «gjendja e poezisë është krejtësisht e parregullt, jokonstante dhe e brishtë» dhe se ne, «e humbim, ashtu siç e gjejmë, rastësisht» dhe që, «poeti është njeri që, si rezultat i një ngjarjeje të posaçme rastësore, person një shndërrim okult». Në aspektet e saj më komike, bëhet fjalë për një situatë alla doktor Jekyll/Mr Hyde. Dhe mendoj se edhe në aspektet e saj më tragjike është e njëjta gjë. Por është e habitshme se si zanati, deri edhe te një figurë se ajo e Valerys, ka të bëjë fare pak ose hiç fare. Kemi përshtypjen se Valery, po t’i ishte dhënë më shumë kohë, do të kishte mundur të bëhej i ngjashëm me Bachelardin, që mes shumë gjërash të tjera ka thënë se «kritika intelektuale e poezisë nuk do të çojë kurrë te zemra ku formohen imazhet poetike».

Po zanati çfarë ka të bëjë me formimin e imazheve poetike? Çfarë ka të bëjë me burimet e panjohura të poezisë? Asgjë. Ngase zanati, ashtu siç mësohet dhe diskutohet, funksionon qartë vetëm nëse poezia konsiderohet në radhë të parë si një formë e komunikimit. Megjithatë, është përgjithësisht e pranuar se poezia përdor aspekte gjuhësore ndryshe nga ato të komunikimit dhe në masë posaçërisht domethënëse, sado që në nivel më të ulët, më tepër në aspektin e një teksti të shenjtë. Duke marrë parasysh këtë gjendje, gjendje që është e tillë për poetin derisa shkruan nuk është e konfirmuar nga referenca në përvojë, por ekziston në një mënyrë autonome, ose autonome derisa ta lejojë historia. Në esenë e tij Mbi raportin mes psikologjisë analitike dhe poezisë, Jung avitet më afër shënjestrës kur thotë:

«Vepra na e shfaq një kuadër të kryer dhe një kuadër i tillë është i nënshtrueshëm ndaj analizës vetëm në masën që e njohim si simbol. Por nëse nuk jemi në gjendje të zbulojmë në të asnjë vlerë simbolike, jemi të kufizuar të kuptojmë se, sa na përket neve, nuk ka ndonjë domethënie më të madhe se as aq sa thotë, ose, thënë në një mënyrë tjetër, nuk është më shumë se sa që duket të jetë».

Ky më duket një pohim bujar, ngaqë i lejon poezisë një ekzistencë në fund të fundit tautologjike. Nga ana tjetër, Freudi, që hipotetizon një lidhje mes ëndërrimeve dhe poezive – por s’e thellon tutje – dhe që u përkushtohet fantazive të «shkrimtarëve më pak pretendues, autorëve të romaneve, novelave, tregimeve», duke shndërruar veprat e tyre në forma të zgjatura të kënaqësisë dhe dëshirës, duket mbi të gjitha i përkushtuar ta demonstrojë epërsinë e gjendjeve mendore. Por qëllimi i poezisë nuk është hapja, ose tregimi i një historie a ëndrre syhapur; aq pak poezia është simptomë. Poezia është vetja e saj dhe akti përmes së cilës është lindur. Është autorefernciale dhe nuk paraprihet domosdoshmërisht nga çfarëdo rendi, përveç atij të poezive të tjera.

Nëse poezitë shpesh nuk i referohen ndonjë përvoje të njohur, asgjëje në gjendje që ta karakterizojë qenien e tyre, dhe që pra nuk mund të kuptohen sa më tepër të përthithen, si mund të aplikohen shqyrtimet mbi zanatin kur justifikohen duke pohuar se e përmirësojnë komunikimin? Kjo ndoshta është njëra prej arsyeve për çka pjesa më e madhe e diskutimeve mbi zanatin e poezisë nuk arrin t’i trajtojë konstituuesit esencialë të vetë poezisë. Ndoshta poezia definitivisht është një metaforë e një entiteti të panjohur, mënyra e saj për të gjetur një mënyrë shërimi. Mund të jetë se ruajtja e zanafillës munguese është pika e domosdoshme në jetën e pandërprerë të poezisë si artefakt i pashtershëm. (Edhe pse fjalët mund të paraqesin gjëra ose veprime, kur kombinohen mes tyre mund të paraqesin tjetër gjë – të pathënën, deri në atë moment unitet i panjohur shembull i të cilit është poezia). Nga ana tjetër, do të mund të thoshim se shkalla deri te cila mund të shpjegohet poezia, ose të parafrazohet saktësisht, është shkalla ku resht së qeni poezi. Nëse nuk mbetet asgjë nga poezia, atëherë është bërë perifrazë e vetvetes dhe lexuesit do të kenë përvojën e perifrazës dhe jo të poezisë. Për këtë arsye poezitë duhet të ekzistojnë jo vetëm në gjuhë, por përtej saj.

/Marrë nga Mark Strand, Tutte le poesie’, Mondadori, 2025

/Gazeta Express