Isaac Bashevis Singer (1903-1991), shkrimtar dhe përkthyes polak me nënshtetësi amerikane, autor në gjuhën jidish. Fitues i çmimit Nobel për Letërsi më 1978.
GAZETARIA DHE LETËRSIA
Nga Isaac Bashevis Singer
Njoh shkrimtarë që e konsiderojnë zezonë faktin se u duhet të punojnë për ta fituar bukën e gojës përmes gazetarisë. Pohojnë se kjo shkon në dëm të kohës së tyre të lirë dhe se gazetaria në përgjithësi e dëmton kreativitetin letrar. Pohojnë se gazetari mësohet të shkruajë me nxitim pa i peshuar dhe matur fjalët e veçanta dhe se mjetet dhe metodat e gazetarisë janë saktësisht e kundërta e kreativitetit. Përvoja ime sugjeron një qasje ndryshe ndaj kësaj çështjeje.
Veprat e mia më të mira i kam shkruar në mesin e kaosit të gazetës, shpesh tamam në zyrat e redaksisë, mes një artikulli e një tjetri. Romanet e mia Familja Moskat dhe Qëndresa janë botuar me vazhdime në «Forverts» dhe çdo javë përgatisja një kapitull të ri për të shtunën e ardhshme.
Është e vërtetë se pastaj i kam ripërpunuar, duke e përmirësuar gjuhën dhe duke bërë shkurtime, por pjesa më e madhe e veprës ishte kryer me nxitim derisa redaktori dhe tipografi më rrinin mbi kokë për ta çuar në shtyp.
Gati se të gjithë shkrimtarët e mëdhenj rusë kanë publikuar veprat e veta në gazeta e revista. Dostojevski ishte gazetar i shkëlqyeshëm dhe, nëse është e vërtetë se shkrimet e tij letrare përmbajnë elemente gazetarie, me sa duket nuk kanë pësuar kurrfarë dëmi. Tolstoi me siguri do të kishte me qenë mjeshtër i gazetarisë veç sikur të kishte marrë mundin të bëhej gazetar. Tregimet e Çehovit pothuajse që të gjitha qenë shkruar për gazeta. Shkrimtari i vetëm i famshëm rus që e shmangu shtypin periodik dhe ndau mendjen të tërhiqej në ishuj dhe pallate ishte Andrejevi, shkrimtari më pak i rëndësishëm në mesin e mjeshtrëve rusë. Në letërsinë franceze, Maupassant dhe Zola mbajtën lidhje të ngushta me shtypin; e në atë amerikane ishin gazetarë si Edgar Allan Poe si Walt Whitman.
Po nuk është çështje e emrave dhe rasteve të veçanta. Mendoj se gazetaria ushtron një ndikim mirëbërës mbi kreativitetin letrar, ngase për të dyja vlejnë të njëjtat ligje. Ripërtypja e fakteve të vjetra nuk është gazetari. Gazeta është organ që duhet të japë lajme. Mund të duket paradoksale, por kjo është e vërtetë edhe për letërsinë, qoftë pra edhe në një kuptim më të gjerë. Të gjitha veprat letrare me vlerë duhet të përmbajnë një element informacioni. Lexuesit duhet të kapin te shkrimtari qasjen origjinale, një gjendje shpirtërore të pazakontë, një formë të re. Edhe në letërsi kërkojmë të rejat, sado që të një natyre tjetër. Një vepër që nuk u ofron lexuesve një shikim të ri, fakte të reja, personazhe të reja – ja, një vepër e tillë është e pavlerë. Letërsia na fut shpesh në një tip të ri të shoqërisë. Një tekst i mirë letrar mund të krahasohet me një udhëtim në një tokë të huaj. Romani historik – nëse është roman i mirë – shpesh na pajis me lajme që nuk i kishim dhe me një rilexim të historisë. Salamboja e Flaubertit përmban bukur ca informacione. Lufta dhe paqja e Tolstojit mbase nuk zbulon asgjë të re mbi Napolonin, por propozon një pikëpamje origjinale mbi aristokracinë dhe militarizmin rus.
Letërsia, si gazetaria, është në kërkim të së resë, por të dyja e bashkëndajnë edhe elementin më domethënës. Letërsia e mirë, si edhe gazetaria e mirë, mundohet të paraqesë faktet e zhveshura nga interpretimet sipërfaqësore. Nëse kjo nuk është e vërtetë sot, megjithatë ka qenë e vërtetë deri më sot dhe besoj se do të jetë përsëri në të ardhmen. Nuk është detyrë e autorëve, aq më pak e gazetarëve, të interpretojnë çdo fenomen që e përshkruajnë, ta ngërthejnë në mënyrë të përsosur në zinxhirin e shkakut dhe pasojës. Autorët nuk janë aspak të obliguar t’i referohen psikologjisë, të deklarojnë me saktësi se si ky a ai fakt kanë ndikuar te personazhet e tyre. Sot, kur letërsia angazhohet aq fuqishëm për t’u bërë degë e psikologjisë dhe për t’ia avokuar vetes, në një pjesë të mirë, rolet e psikologut dhe të sociologut, kjo pikëpamje imja mund të duket e vjetruar, por unë besoj se aty ku letërsia bëhet tepër psikologjike, i humb që të dy cilësitë e saj: atë letrare dhe atë psikologjike. I ashtuquajturi shkrimtar psikologjik është psikolog në letërsi dhe letrar në psikologji. Mjeshtrit e mëdhenj të letërsisë mësoheshin me pengesat e atij që shkruan në gazeta. I paraqitnin faktet pa u merakosur se sa të çuditshme mund të dukeshin për lexuesit. Është fakt, për shembull, se Dostojevski në Krim dhe ndëshkim nuk sqaron kurrë pse Roskolnikovi ka vendosur të bëjë një vrasje, as nuk i zbulon motivet e vrasjeve te Vëllezërit Karamazov. Ua lejon personazheve të tij shpjegojnë veprimet e tyre, por nuk e bën kurrë ai vetë në veten e parë dhe Roskolnikovi mbetet enigmë – ashtu siç në të vërtetë ndodh shpesh, me vrasësit. Në një vend tjetër kam pohuar se faktet nuk tejkalohen kurrë, ndërsa komentet lindin tashmë të ndenjura.
Megjithatë ekziston një lidhje e fundit e rëndësishme mes gazetarisë dhe letërsisë. Kur shkencëtarët kanë diçka për të thënë nuk pritet prej tyre të bëjnë hesap durimin e lexuesve të tyre. Askush nuk pretendon tekste interesante dhe argëtuese nga një mjek që shkruan për një sëmundje të lëkurës. Shkencëtarët shkruajnë derisa ta kenë zhveshur argumentin.
Gjendja është krejtësisht ndryshe kur bëhet fjalë për shkrimin e një lajmi. Duke u nisur nga ajo se sa lajmi mund të jetë i rëndësishëm, gazetarët duhet ta kenë parasysh durimin e lexuesve. Në çfarëdo gazete, drejtori hedh një grumbull artikujsh që me mendjen e tij do t’i mërzisnin lexuesit. Lajmi i mërzitshëm nuk është lajm nga pikëpamja gazetareske, edhe pse do të mund të ishte në bazë të çfarëdo kriteri tjetër.
E njëjta vlen për letërsinë. Një vepër letrare mund të jetë shumë e thellë, por nëse e mërzit lexuesin është krejt e kotë. Në këtë kuptim, letërsia madje shkon përtej gazetarisë. Gazetat moderne kanë rubrika të ndryshme që u përgjigjen interesimeve të ndryshme të lexuesve. Atij që lexon faqet sportive do të mund të mos i interesonin ato financiare dhe anasjelltas. Në letërsi nuk ka rubrika. I gjithë libri duhet të jetë interesant.
Shumë shkrimtarë që kanë frikë nga gazetaria kërkojnë – me a pa vetëdije – t’i këpusin lidhjet e natyrshme mes gazetarisë dhe letërsisë. Sa për të filluar, janë të bindur se roli i letërsisë është mbi të gjitha ai i analizimit ose hetimit. Nuk e konsiderojnë të domosdoshme t’u japin lexuesve informacione shteruese rreth kontekstit, ambientit fizik apo rreth zakoneve të personazheve të tyre. Nuk e pranojnë pohimin se letërsia duhet të jetë interesante. Përkundrazi i idolatrojnë veprat që mërzitin, duke i prezantuar si produkte të një martese mes letërsisë dhe shkencës, ndërkohë që nuk janë as njëra as tjetra. Në këtë mënyrë puna e shumë shkrimtarëve modernë është gjithnjë e më tepër e kthyer kah interpretimi i fakteve – thua se faktet mund të interpretohen përnjëmend.
Është e habitshme se si shkrimtarët që janë munduar me aq zjarr të çlirohen nga gazetaria janë tërhequr dhe kushtëzuar prej saj në mënyrë të fshehtë. Autorët modernë që mundohen të aplikojnë analizën dhe psikologjinë, të shpjegojnë motivet e protagonistëve të tyre, heqin dorë nga stili, përfundojnë duke lënë anash formën dhe duke u shndërruar në gazetarë mediokër. Analiza kërkon përsëritjen, ndërsa letërsia duhet të jetë pa përsëritje. Analiza është fjalëshumë, ndërsa letërsia e vërtetë duhet të jetë sintetike dhe përzgjedhëse. Vëllimet e mëdha të mjeshtërve ishin të tilla sepse ishin të pasura me informacione dhe ngjyrë. Libri modern me aq faqe shpesh është i fryrë nga përsëritjet. Ja pse redaktorët sot kanë rol kaq thelbësor. Ja pse nga veprat letrare hiqen blloqe të tëra. Botuesit dhe redaktorët janë bërë gjykatës të mbramë të gjatësisë së librave. Në shumë raste libri modern bëhet i kalueshëm vetëm pasi të dalë në version të tkurrur.
Letërsia s’ka pse të ketë frikë fare nga gazetaria e mirë, duke qenë se të dy aktivitetet kanë shumë gjëra të përbashkëta. Shkrimtari i mirë është gjithmonë po ashtu edhe gazetar i mirë.
Marrë nga Isaac Bashevis Singer, ‘A che cosa serve la letteratura?’, Adelphi, 2025
/Gazeta Express