string(84) "evakuohet-stacioni-hekurudhor-ne-gjermani-gjenden-4-bomba-te-luftes-se-dyte-boterore"

Evakuohet stacioni hekurudhor në Gjermani, gjenden 4 bomba të Luftës së Dytë Botërore

Lajme

Gazeta Express

06/04/2025 17:07

Stacioni qendror hekurudhor në Osnabrück, një qytet në veriperëndim të Gjermanisë, u mbyll të dielën dhe zona përreth u evakuua, pas gjetjes së katër bombave të Luftës së Dytë Botërore. Lajmin e bëri të ditur kompania shtetërore hekurudhore Deutsche Bahn (DB), përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të DB, kufizimet në trafikun e udhëtarëve dhe transportin e mallrave do të mbeten në fuqi gjatë gjithë ditës, ndërkohë që të gjithë qytetarët dhe banorët e zonës përreth stacionit janë urdhëruar të largohen. Autoritetet bënë me dije se evakuimi i rreth 15,400 banorëve u krye herët në mëngjes, pas gjetjes së bombave në oborrin e ish-shtëpisë së mallrave të qytetit.

Lexo Edhe:

Nëse bombat do të konfirmohen si të pashpërthyera, ekspertët do të thirren për t’i asgjësuar ato. Ky nuk është rasti i parë i evakuimeve në Osnabrück për shkak të mbetjeve të Luftës së Dytë Botërore, pasi qyteti ka qenë objektiv bombardimesh masive gjatë luftës. Në shkurt, autoritetet lokalë theksuan se rajoni ka ende mundësi për gjetje të tjera të materialeve të rrezikshme, pasi disa zona nuk janë hetuar ende.

Osnabrück ndodhet rreth 70 kilometra në lindje të kufirit holandez, dhe evakuimet për arsye të mbetjeve të luftës janë bërë një fenomen i përsëritur në këtë qytet.