Më 10 prill, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, u hap ekspozita “Fuqia e dëshirës”, e artistit Jetmir Idrizi. Kjo ekspozitë, e cila paraqet kulturën queer të Sao Paulos dhe Rio De Janeiros, është njeherit ekspozita e parë e Idrizit në Kosovë
“Fuqia e dëshirës” mbledh një numër të madh fotografish të formatit bardhë e zi që autori i ka shkrepur në dy qytete të Brazilit, në dy periudha, nga viti 2015 deri në 2017 dhe 2023 deri në 2024. Këto periudha, përtej vështirësive në parim të komunitetit LGBTQ+, flasin edhe për dy sisteme politike në Brazil, të cilat shënojnë rëndësinë e tyre në çështjet e këtij komuniteti.
Mes xixave, eksplicites dhe publikut në Kosovë
Fotografitë e ekspozuara në Galeri kanë në përmbajtje imazhe të relaksuara, jetë të natës, revoltë, protesta, çifte, intimitet, gjallëri dhe shpresë. Në shumicën prej këtyre fotografive na paraqiten çifte të komunitetit LGBTQ+ dhe grupe shoqërish të cilat pos që na sjellin para intimitetin e tyre, na rrëfejnë indirekt për empatinë e këtij grupi, të cilën nuk e hasin shpesh herë në rrethe të gjëra, madje në këmbim marrin paragjykimin dhe urrejtjen. Brazili nuk është së mund të njëjtësohet me Kosovën kur vjen puna tek trajtimi i komuniteteve të caktuara, e megjithatë nuk është se edhe atje qëndrojnë më së miri. Në fakt ka shumë pak vende në botë që grupet e komuniteteve të cilësdo natyre i trajtojnë denjësisht. Paragjykimi dhe stigmatizimi është në përbërje të shumë shoqërive, përfshirë edhe atë kosovare. Jetmir Idrizi me portretet, fotografitë që na i sjell për herë të parë në Kosovë, në Galerinë Kombëtare, kalon përtej të rëndomtës dhe kap një tjetër sistem shoqëror dhe një tjetër mënyrë ekspozimi. Eksplicitja (nëse na lejohet të themi) si dozë shoqëruese e kreativitetit dhe mesazhit të imazheve tundon publikun, duke e bërë të ofrohet me kulturën e një vendi tjetër dhe zgjon njehërit idenë e heqjes së limiteve artistike.
Artisti, Idrizi tregon se si u prit ekspozita në Kosovë, e po ashtu cilat janë përshtypjet e tij në lidhje me reagimin e publikut sa i përket kulturës queer.
“Kur kam filluar këtë projekt, në vitin 2015, temat rreth identitetit gjinor dhe seksualitetit kanë qenë jashtëzakonisht tabu në Kosovë. Ndonëse mjaft gjëra kanë ndryshuar gjatë këtyre 10 vjetëve, mendoj që ka ende hapësirë për dialog e poashtu nevojë që të inkurajohen personat e komunitetit LGBTQ+ qe ta jetojnë jetën e tyre ashtu siç ato/ata dëshirojnë. Nga ata qe ishin prezent ekspozita u prit jashtëzakonisht mirë, madje 3 punime u shiten po atë ditë; megjithatë jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me nivelin e ulet të interesimit të shoqërisë për art në Kosovë”, thotë nder tjerash ai.
Shpërfillja e zënë në aparat dhe jeta e natës e shoqëruar me veshje ekstravagante, pije, xixa, e make up, rrëfen një lloj revolte të ngërthyer pas asaj që duket e hareshme, një lloj lufte e cila behet vazhdimisht, në një arenë që nuk mbulon veç kufijt e një shteti, por fatkeqësisht kap një perimetër shumë më të gjerë.
Sistemet politike dhe rrjeta e tyre filtruese
Fotografitë në këto seri janë realizuar gjatë dy periudhave të ndryshme politike në Brazil. Periudha e parë, nga viti 2015 deri në 2017, përkon me shkarkimin e Presidentes Dilma Rousseff në vitin 2016, ngjarje kjo që shënoi një ndryshim në drejtim më konservator dhe parapriu ngritjen e së djathtës ekstreme, duke kulmuar me zgjedhjen e Jair Bolsonaros në vitin 2019. Periudha e dytë, nga viti 2023 deri në vitin 2024, pason rikthimin e Luiz Inácio Lula da Silva në pushtet, moment i ri shprese për çështjet sociale, përfshirë të drejtat e LGBTQIA+.
Në lidhje me ndërrimet e sistemeve politike Idrizi thotë se ka qenë pranë kulturës queer duke dokumentuar mënyrën e jetesës së tyre përmes fotografive.
“Që nga vite 2015, duke qenë pranë komunitetit queer dhe duke dokumentuar vazhdimisht jetët, ndjesitë dhe betejat e tyre, sfida më e madhe nuk është vetëm pranimi nga jashtë – por edhe lufta për të ekzistuar pa frikë. Frika nga përjashtimi, nga dhuna, nga humbja e familjes apo punës”, shton Idrizi.
Ani pse në vitin 2013 u votua ligji për martesa të së njëjtës gjini dhe ndër vite u bën disa përparime pozitive, prapëseprapë Brazili mbetet ndër vendet me nivel të lartë të dhunës ndaj personave LGBTQIA+, veçanërisht ndaj grave trans. Një rast i tillë i njohur ishte ai i Dandara dos Santos në vitin 2017. Dandara ishte një grua trans 42 vjeçare e cila u rrah brutalisht në rrugë nga një grup burrash, të cilët më pas e qëlluan për vdekje me armë zjarri.
Prandaj fotografitë e Idrizit, pos artistikes, na servojnë edhe një sistem të gjerë politik e shoqëror të një vendi me rreth 200 milionë banorë. Detajet e zëna brenda kornizave të fotografive pos jetës së komunitetit shpjegojnë edhe mënyrën e jetesës së tyre duke paraqitur përzierjen e stilit brazilian me elemente të kulturës queer.
Këtë e potencon edhe vetë artisti, i cili shpjegon mediumin e fotografisë dhe rëndësinë e saj në bartjen e emocionit.
“Për mua fotografia ka fuqinë të prekë emocionalisht, të sfidojë perceptime dhe të nxjerrë në pah realitete që shpeshherë neglizhohen. Në kontekstin politik dhe shoqëror, ajo bart me vete një potencial të jashtëzakonshëm për të ngritur vetëdije, për të nxitur debat”, shprehet ai.
Përmes syve tanë
Në disa prej fotografive shohim grupe të cilët protestojnë, në grumbull, duke mbajtur në duar flamuj, duke u përqafuar dhe duke bërë thirrje. Të tilla pamje shpalosin protestat dhe pakënaqësit e komunitetit kundrejt sistemeve politike dhe paragjykimeve shoqërore. Përtej kësaj ekspozita nxjerr në pah edhe jetën private të disa prej personazheve të fotografive, duke kapur momente brenda dhomave të apartamenteve ku ata jetojnë, të tilla fotografi paraqesin jetën brenda oazës së sigurisë dhe jashtë paragjykimeve kolektive.
Imazhet bardh e zi qëndrojnë edhe më bukur për shkak të neutralizimit të ngjyrave të cilat duket sikur i kemi në mendje ani pse nuk i shohim. Gjallëria e përcjellë nëpërmjet fotografive përmes këtyre imazheve është një paraqitje relaksuese për publikun që i sheh. Ndër tjerash mbërthen me vete edhe një lloj përzierjeje, duke filluar nga interesimi dhe kureshtja për të përfunduar tek dashuria revolta dhe shpresa. Përtej kësaj atë që ne e shohim të bukur në parim, në sfond është e mbushur me vështirësi dhe lodhje.
“Është jashtëzakonisht e lodhshme të jetosh të vërtetën tënde në një botë që ende të paragjykon, të shtyp apo të bën të ndjehesh inferior”, përfundon Idrizi.
/Express
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...