Mbrëmë në Galerinë ‘Qahili’, Organizata “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” organizoi dhe hapi ekspozitën “TESTAMENT”, një ngjarje që vë në qendër dëshmitë e identitetit, rezistencës dhe suksesit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Titulli i ekspozitës ‘Testament’ ishte shkruar vertikalisht, përkitazi me vargjet e poetit Kujtim Paçaku; e në vargjet e tij ndër tjerash shkruhet:
«Më varrosni në këmbë!
Së paku atje qëndroj vertikalisht
Meqë gjithë jetën,
S’me lanë se s’më lanë,
Të ngrihem në këmbë!»
“Sa herë flasim për artin e muzikën, poezinë e letërsinë në përgjithësi është e pamundur pa u ndeshur me dromca të shumta të ndikimeve që populli rom ka pasur në formësimin e tyre gjithandej kah kanë lëvizur e ku janë vendosur. Por ndikimet kanë qenë të dyanshme sepse edhe populli rom kudo që është stacionuar ka marr diçka nga kultura gjeografike dhe kulturore vendase. Dhe kështu ka qenë përherë, me një fluiditet konstant duke ndërtuar një marrëdhënie e cila kultivohet e formësohet në vazhdimësi. Ata quheshin nomad dikur e ne sot jemi të gjithë nomad ne një formë apo tjetër, nomad të jetës bashkëkohore diçka qe ata e kishin kuptuar si duket qe moti. Që njeriu është banor e kalimtar në tokë dhe kudo ndodhet ai jep dhe merr aq sa i nevojitet për ta gëzuar jetën”, lexojmë në tekstin kuratorial të Eliza Hoxhës.
Në mes të paragykimeve dhe neglizhimit, të palëkundur për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie gjithpërfshirëse
Duke bërë gërshetimin e të kaluarës me të tashmen, ekspozita “TESTAMENT” sjell në dritë rrëfimet dhe portretet e 20 profesionistëve nga këto komunitete, të cilët përmes talentit, punës dhe përkushtimit të tyre, kanë sfiduar dhe vazhdojnë të sfidojnë stereotipa, paragjykime dhe të kontribuojnë për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
Në mesin e këtyre portreteve shohim policë, gazetarë, muzikantë, boksierë, mësuese, e plotë profesione tjera.
Portretet e këtyre figurave nuk janë thjesht individë që paraqesin një profesion të caktuar, janë profesionistë që kanë lobuar në shoqërinë tonë në shumë forma dhe duke qenë prezent kanë instaluar bashkë me profesionalizmin e tyre edhe idenë e bashkëpunimit ndërkulturor në Kosovë. Në kulturë historikisht gërshetimet sjellin rezultate kreative dhe shumëdimensionale e ketë me së miri e bën arti, fotografia, teatri.
Tek fotografitë e prezantuara në ekspozitë shohim një dyzim mes të kaluarës dhe të tashmes, përmes ekspozimit të figurave si Kujtim Paçaku e Negjip Menkshe e deri te portretet e profesionistëve aktualë të çfarëdo fushe.
Kur jemi tek teatri emri i Negjip Menkshe është domosdo prezent.
“Nga mësimet e para që kishte marrë në shkollën fillore, ku shokët dhe fqinjësia ndanin përvojat e përbashkëta, deri tek studimet në Agrobiznes, Negjipi tregoi qe arsimi dhe përpjekja janë çelësi i suksesit. Për të frymëzim ishte xhaxhai i tij, Shaip Menekshe, themelues i shoqatës kulturo-artistike “Durmish Aslano”. Duke u përpjekur ta tejkalojë çdo sfide, ai vazhdoi rrugën e tij me pasion dhe multidisiplinaritet, duke përvetësuar “10 profesione” të ndryshme qe promovonin kulturën, gjuhën dhe të drejtat e romëve”, kjo është pak nga biografia e tij.
Bashkë me punën, sakrificën dhe kohën, ata mbajnë mbi supe peshën e paragjykimeve
Ekspozita “Testament” na vjen me synimin që përmes ekspozimit të këtyre personaliteteve të rrëfej luftën e tyre për të zhdukur stereotipet dhe paragjykimet në një vend që zor ju kundërvihet paragjykimeve e zor e ushqen artin në përgjithësi e edhe më zor artin ndërkulturor. Hapësira e Galerisë ‘Qahili’ na i sjell para portretet e 20 protagonisteve të cilët ndikojnë në shoqëri, edukojnë në shoqëri, punojnë në shoqëri dhe i ofrojnë shoqërisë tonë një tjetër perspektivë të perceptimit.
Rrëfimet e protagonisteve të ekspozitës dalin në sipërfaqe për të forcuar identitetin e secilit nga ta, mbështjellë me përpjekjet e vazhdueshme për një vend të denjë në sistemin shoqëror. Në mesin e këtyre protagonisteve është edhe Besim Qorri, pianist dhe pedagog. Ai studioi në Fakultetin e Arteve për t’i hapur rrugë vetës që të performojë në skena botërore dhe të mbajë koncerte në Gjermani pa harruar faktin që Besimi është një pedagog i përkushtuar ndaj studenteve të tij në Fakultetin “Haxhi Zeka”.
Si Besimi, kanë histori secili nga protagonistet e ekspozitës, secili nga këto portrete ka bërë një punë, ka ndjekur një ëndërr, ka shtyrë përpara një ide, e si pasoj ka sakrifikuar diçka për të qenë këtu, rëndom secili nga ne vepron njësoj, secili nga ne kërkon vazhdimisht vendin se ku përket.
Megjithatë, a kemi secili nga ne edhe një bonus negativ që na vjen me punën, kohën e sakrificën?
Jo, secilit nga ne i nevojiten të tilla tipare që të gjejë vendin në sistemin shoqëror, ama jo edhe protagonisteve të këtyre fotografive, secili nga këto portrete bashkë me punën, sakrificën dhe kohën ka mbajtur mbi supe peshën e paragjykimeve. Kjo nuk është vështirë të detektohet fatkeqësisht, dhe nëse jeton në vendin tonë e vëren shumë lehtë, të tilla ndasi e paragjykime bëhen vazhdimisht qoftë me a pa vetëdije.
Edis Galushi: «Kontributi im në arsim, kulturë dhe shoqëri është pjesë e një rruge që synon ta bëjë normalitet suksesin e pjesëtarëve të komunitetit tim»
Edis Galushi u rrit në një ambient të pasur me vlera familjare, ku dashuria për arsimin, kulturën dhe puna e ndershme ishte themeli i çdo gjëje. I rritur në Prizren, një qytet me trashëgimi kulturore dhe shumellojshmëri gjuhësore, bëri që ai të kishte një kureshtje dhe një pasion të madh për artin dhe gjuhët. Që nga fëmijëria, shpirtin e tij energjik dhe kreativ e shndërroi nga një “sherr” i çmendur në një edukator të përkushtuar, duke ëndërruar gjithmonë të lërë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe shoqërinë kosovare.
I pyetur për sfidat, paragjykimet dhe stereotipet nëpër të cilat ka kaluar që nga fillimi deri tek kontributi në shoqëri, Edisi thotë kështu:
“Si mësimdhënës, artist, aktivist dhe tashmë udhëheqës shkolle, kam zgjedhur që përmes punës sime të jem zë i ndryshimit – jo duke u distancuar nga identiteti im rom, por duke e fuqizuar atë. Kam sfiduar paragjykimet jo me fjalë, por me veprim: duke ndërtuar ura dialogu, duke krijuar mundësi për të rinjtë, dhe duke treguar që profesionalizmi, talenti dhe përkushtimi nuk kanë etni. Kontributi im në arsim, kulturë dhe shoqëri është pjesë e një rruge që synon ta bëjë normalitet suksesin e pjesëtarëve të komunitetit tim”, përfundon Galushi.
Selamir Qerimi: «Rrugëtimi im ka kërkuar angazhim të vazhdueshëm për të ndryshuar perceptimet»
Në anën tjetër Selamir Qerimi, gazetar dhe ndihmës redaktor në Televizionin 7, poashtu ka rrëfimin e tij mbështetur mbi idenë së fusha e gazetarisë ka ndihmuar tek ai si individ që ta ketë impaktin e duhur në shoqëri.
“Që në momentin kur kam vendosur të hyj në tregun medial dhe ta ushtroj profesionin e gazetarit, kam ditur se rrugëtimi nuk do të ishte i lehtë dhe do të ishte plot sfida. Fillimisht ka qenë e vështirë të bëja me dije se edhe unë mund të përshtatem njësoj si të tjerët, pasi ekzistonte një ide, së paku në kokën time, se të qenët gazetar nuk ishte mundësi shumë e hapur për komunitetet si i imi, pasi në të kaluarën nuk kishte pasur rol model, çka e bëri më të vështirë përshtatjen në një fushë që nuk ofronte shumë hapësira për përfaqësimin e këtyre grupeve. Në këtë kuptim, rrugëtimi im ka kërkuar angazhim të vazhdueshëm për të ndryshuar perceptimet. Pastaj, pas ambientimit, një tjetër sfidë ka qenë përballja me një term diskriminues në raportimet e të gjithë kolegëve, siç është përdorimi i termit RAE (Rom, Ashkali dhe Egjiptian). Ky term është përdorur për vite me radhë dhe ka kontribuar në forcimin e stereotipeve dhe paragjykimeve ndaj këtyre grupeve. Sfida ime ka qenë të zhbëj këtë narrativë”, thotë ndë të tjera Qerimi.
Ai poashtu mendon se kjo është një rrugë e gjatë dhe ende në proces e sipër, këto paragjykime e stereotipe janë zbutur e megjithatë ende i gjejmë prezentë.
“Pavarësisht ndryshimeve pozitive që janë bërë, rrugëtimi nuk ka përfunduar ende. Ende ka shumë punë për të bërë në përmirësimin e përfaqësimit dhe reduktimin e stereotipeve, dhe po, unë po vazhdoj të punoj për këtë qëllim”, përfundon Selamiri.
Rrëfime si testament në kohë
Si përfundim, historitë e tilla janë tamam histori suksesi, portretet e ekspozitës ‘Testament’ janë fotografi që dokumentojnë histori të veçanta pa pasur nevojën të ngulfaten në vorbullat e shpjegimeve. Anash çdo fotografie është shkruar emri, mbiemri dhe profesioni, kaq është mjaftueshëm, historitë e personazheve të ekspozitës mund edhe të shkëputura të na vijnë në katalog, me siguri këto histori janë më të gjata, me të mundimshme dhe si të tilla nuk kanë nevojë për interpretime të gjata. Këto rrëfime që shihen pa pasur nevojën të lexohen a dëgjohen janë rrëfime që janë ngritur si të veçanta dhe të tilla i mbijetojnë kohës si testament.
/Gazeta Express