“Gazeta Express” e ka siguruar deklaratën e të arrestuarit për sulmin fizik e racist ndaj Belgin Jasharit, që e ka dhënë në Policinë e Kosovës Januz Faniqi.
Ai e ka pranuar se e ka goditur, por ka thënë se nuk e ka ditur që është nga komuniteti ashkali.
Ai ka thënë në polici se ka hyrë në fushë dhe e ka goditur me shqelm Belgin Jasharin, për ta ndaluar një “fërkim mes lojtarëve të rinj në fushë”.
“Më 20.04.2025 rreth orës 14:00 unë kam arritur tek fusha e futbollit në fshatin Mazgit – Obiliq ku ishte e planifikuar të zhvillohej një lojë e futbollit në mes të ekipeve “Arsenal” dhe “Fushë Kosova”, lojë në të cilën ka marrë pjesë edhe biri im Bleart FANIQI i cili luan për ekipin “Arsenal”, rreth orës 15:10 unë kam vërejtur se një nga lojtarët e ekipit të birit tim “Arsenal” ka humbur një gollë dhe i njëjti ishte shtrirë në tokë për humbjen e gollës, më pas portieri i ekipit të “Fushë Kosovës” ka shkuar dhe e ka kapur për trupit, lojtari i ekipit “Arsenal” ka zgjatur dorën duke i thënë “mos më prek” dhe më pas lojtarët e ekipit të “Fushë Kosovës” kanë reaguar duke u afruar edhe ata tek lojtari në pyetje ku aty ka filluar një përleshje fizike në mes tyre ku njëri nga lojtarët e ekipit të “Fushë Kosovës” e ka goditur me boks njërin nga lojtarët e ekipit “Arsenal”, në atë moment unë kam qenë afër portës dhe kam kaluar rrethojën e fushës dhe kam hyrë në fushë, unë jam afruar tek lojtarët e ekipit të “Arsenalit” për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përleshjen, unë kam vërejtur njëri nga lojtarët për të cilin në atë kohë nuk e kam ditur se është i nacionalitetit “rom” apo “ashkali”, ai i fundit ka goditur njërin nga lojtarët tonë dhe në atë moment unë me qëllim të ndaljes së përleshjes, këtë lojtarë të ekipit të “Fushë Kosovës” e kam goditur me shqelm në këmbë, më pas është ndërprerë ndeshja dhe unë menjëherë jam larguar nga fusha e futbollit, unë kam vazhduar tek tribuna ku kam vazhduar të shikoj lojën e futbollit derisa ka përfunduar dhe nuk ka pasur incidente të tjera”, thuhet në deklaratën e të arrestuarit, e siguruar ekskluzivisht nga “Gazeta Express”.
Ai po ashtu në deklaratën e tij e ka mohuar se ka thënë shprehjet “pse ke ardhë këtu, ti e ke vendin me dalë me mbledh hekra”.
Personi në fjalë, po ashtu ka mohuar se ka përdorur shprehje tjera raciste ndaj tij.
Sulmi ndaj Belgin Jasharit ka ngjallur reagime të shumta ditëve të fundit, si në botën e futbollit edhe jashtë tij. Për sulmin ndaj tij, ditë më parë kishte reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e dënuar veprimin e bërë ndaj tij./GazetaExpress/