string(95) "fbk-isuf-lumin-do-ta-kujtojme-gjithmone-per-kontributin-e-tij-te-madh-ne-basketbollin-e-kosoves"

FBK: Isuf Lumin do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin e tij të madh në basketbollin e Kosovës

Basketboll

Gazeta Express

11/04/2025 11:53

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka nderuar me mirënjohje, të ndjerin Isuf Lumi, i cili ishte Kryetar i parë i FBK-së dhe Sekretar i Përgjithshëm.

Ceremonia u organizua para ndeshjes ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Pejës, çerekfinalja e “Play-off”-it të ProCredit Superligës.

Lexo Edhe:

Nënkryetari i FBK-së, Fatmir Gashi për familjen Lumi ka ndarë mirënjohjen, fanellën me numër 15 në kujtim të 15 vjetorit të ndërrimit të jetës së tij, si dhe një buqetë me lule.

Mirënjohjet i kanë pranuar familja e ngushtë e Lumit, duke u ndjerë krenarë të nderuar për vlerësimin që i jepet Isuf Lumit.

I ndjeri Isuf Lumi ka qenë kryetari i parë i FBK-së pas mëvetësimit të sportit të Kosovës, ndërsa pasluftës për disa vite radhazi ka qenë në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm të FBK-së, duke kontribuar kështu maksimalisht në të gjitha mënyrat në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë.

Në vitin 1991, ishte ndër nismëtarët e themelimit te Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndërkaq në Kuvendin e parë zgjedhor, ishte zgjedhur Kryetar i Parë i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Në mandatin e parë të themelimit, Isuf Lumi udhëhoqi me shumë sukses hapat e parë të organizimit të pavarur të sportit të basketbollit në Kosovë.

Nga viti 1995, Isuf Lumi vazhdoi të ishte pjesë e Bordit udhëheqës të Federatës, si dhe ishte në të njëjtën kohë edhe delegat në ndeshjet e basketbollit.

Funksione të ndryshme dhe aktivitetin e tij, Isuf Lumi e vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës, ku tashmë beteja kryesore ishte anëtarësimi në FIBA.

Fatkeqësisht, frytet e punës së tij dhe suksesin e madh të anëtarësimit në FIBA, Isuf Lumi nuk arriti ta shoh pasi që ndërroi jetën në vitin 2010, kur edhe ishte në mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm i FBK-së.

FBK do ta kujtojë gjithmonë kontributin e tij të madh në basketbollin e Kosovës.